Xi Jinping-u shpreh shpresën që ShBA-ja ta shohë zhvillimin e Kinës në mënyrë pozitive
2024-04-26 20:00:37

Presidenti kinez Xi Jinping tha të premten në Pekin se Kina është e kënaqur të shohë një ShBA të sigurt, të hapur, të begatshme e të lulëzuar dhe shpreson që ShBA-ja gjithashtu ta shohë zhvillimin e Kinës në mënyrë pozitive.

Foto:Xinhua

Xi Jinping takohet me Antony Blinkenin, 26 prill 2024, Pekin(Foto:Xinhua)

"Kjo është një çështje thelbësore që duhet trajtuar, ashtu si kopsa e parë e një këmishe që duhet rregulluar, me qëllim që marrëdhëniet Kinë-ShBA të stabilizohen, të përmirësohen e të ecin përpara," u shpreh Xi Jinping-u në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit Anthony Blinken.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 45-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, presidenti Xi tha se gjatë këtyre 45 vjetëve, këto marrëdhënie kanë kaluar nëpër vështirësi e sfida, por ato mund të shërbejnë si frymëzim edhe në një numër drejtimesh.

Sipas tij, Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë partnere e jo rivale, ta ndihmojnë njëra-tjetrën që të kenë sukses e jo ta dëmtojnë njëra-tjetrën, të kërkojnë bazën e përbashkët duke lënë mënjanë dallimet e jo të angazhohen në konkurrencë negative, si edhe t’i mbajnë fjalët me veprime konkrete e jo të thonë një gjë dhe të bëjnë të kundërtën e saj.

"Unë propozova që respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta të jenë tre parimet kryesore. Ajo janë si mësime të marra nga e kaluara, ashtu dhe një udhëzues për të ardhmen," u shpreh presidenti Xi.

Aktualisht, transformimet e papara në një shekull po zhvillohen në një mënyrë të thellë dhe gjendja ndërkombëtare është e paqëndrueshme dhe e turbullt. Është dëshira e përbashkët e të dy popujve dhe e bashkësisë ndërkombëtare që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të forcojnë dialogun, të menaxhojnë dallimet e të çojnë përpara bashkëpunimin, tha Xi.

Foto:Xinhua

Xi Jinping takohet me Antony Blinkenin, 26 prill 2024, Pekin(Foto:Xinhua)

"E kam thënë shpeshherë që Toka është mjaft e madhe dhe ka vend për zhvillimin e përbashkët dhe begatinë e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara," shtoi ai.

Kreu i shtetit kinez kujtoi takimin e vet me presidentin e ShBA-së Joe Biden në San-Francisko vitin e kaluar, kur shpallën vizionin e San-Franciskos të orientuar drejt së ardhmes. Në dy muajt e fundit, të dy ekipet kanë vepruar në bazë të konsensusit të përbashkët të të dy krerëve të shtetit, kanë mbajtur komunikimin në fusha të ndryshme dhe kanë pasur përparim të mirë.

"Por ka ende çështje që duhen trajtuar, të cilat kërkojnë përpjekje të mëtejshme. Për vizitën tuaj këtë herë presidenti Biden dhe unë ramë dakord në telefonatën tonë disa javë më parë. Shpresoj që ajo do ta jetë produktive," tha Xi.

Ndërsa, Blinkeni i përcolli presidentit Xi përshëndetjet e homologut amerikan Biden.

Kryediplomati amerikan vuri në dukje që, pas takimit ndërmjet krerëve të të dy vendeve në San-Francisko, të dy palët kanë bërë përparime pozitive në fusha si shkëmbimet, kontrolli i drogës, inteligjenca artificiale dhe komunikimi kulturoro-njerëzor. Sipas tij, bota sot po përballet me shumë sfida të ndërlikuara, të cilat kërkojnë bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Blinkeni theksoi më tej se gjatë vizitës së tij në Kinë, shumë amerikanë nga qarqe të ndryshme që ai takoi gjithashtu shprehën shpresën që të shihnin përmirësimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë. “Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një ‘Luftë të Ftohtë të re’, nuk kërkojnë të ndryshojnë sistemin politik të Kinës, nuk kërkojnë të frenojnë zhvillimin e Kinës, nuk kërkojnë ta kundërshtojnë Kinën nëpërmjet aleancave dhe nuk kanë ndër mend të konfliktohen me Kinën,” tha ai.

Foto:Xinhua

Xi Jinping takohet me Antony Blinkenin, 26 prill 2024, Pekin(Foto:Xinhua)

Blinkeni shtoi se Shtetet e Bashkuara i përmbahen politikës së “Një Kine” dhe shpresojnë që të ruajnë komunikimin me Kinën, për të vënë në jetë konsensusin e San-Franciskos të arritur nga të dy krerët e shtetit, duke kërkuar më shumë bashkëpunim, duke shmangur keqkuptimet e gjykimet e gabuara dhe duke menaxhuar dallimet me përgjegjësi, për të nxitur në mënyrë të qëndrueshme zhvillimin e marrëdhënieve amerikano-kineze.

Xi Jinping-u i kërkoi Blinken-it t'i përcjellë përshëndetjet e tij presidentit amerikan Joe Biden.(Zhang Yan/Artan)