Skema kombëtare e bujqësisë merr mbi 71 mijë aplikime
2024-04-26 10:12:33

Më 19 prill përfundoi afati i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2024. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mësohet se mbi 71 mijë e 500 fermerë kanë aplikuar për përfitimin e tetë masave të Skemës.

Afërsisht në këtë nivel ishin edhe pritshmëritë e qeverisë, që fermerët t’i besonin Skemës dhe të aplikonin. Në Shqipëri ka mbi 100 mijë fermerë me numër identifikimi në organet tatimore(NIPT) dhe praktikisht më shumë se 70 përqind e tyre aplikuan.

Agim Rrapaj kryetar i KASH në intervistë për CMG

Agim Rrapaj kryetar i KASH në intervistë për CMG

Kjo shifër përbën një sukses të mirëfilltë të Skemës Kombëtare në bujqësi. Tani ka nisur procesi i vlerësimit administrativ të aplikimeve për t’i dhënë përgjigje të shpejtë dhe konkrete, përmes financimit, të gjithë fermerëve që plotësojnë kushtet e aplikimit.

Nga të 71.537 fermerët që aplikuan, 69 mijë janë fermerë individualë, 321 kanë aplikuar si grup fermerësh dhe 21 janë shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. 

Skema solli rikthimin e mbështetjes për sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore, një nga drejtimet kryesore të eksporteve tona bujqësore, me 30 mijë lekë për hektar ose rreth 300 euro, për 1 deri në 10 hektarë sipërfaqe.

Fermerët që kultivojnë në sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, do të përfitojnë 50 përqind të masës së financimit për çdo hektar mbi 10 hektarët. Ky sektor ishte më i godituri nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit në tregun tonë të brendshëm në këto dy vitet e fundit. Eksportet e tij janë ulur me 22 përqind vetëm gjatë vitit të kaluar.

Fermerët e sektorëve të eksporteve bujqësore mbështeten në mënyrë indirekte nga Skema, përmes financimit të naftës, me fonde në llogarinë bankare të fermerit.

Kjo mbështetje minimizon kostot e fermerëve për punimet e mekanizuara në fermë. Këtë vit nafta shpërndahet përmes pagesës në lekë për ha, në llogarinë bankare të çdo fermeri aplikues, në bazë të normës së konsumit të naftës, për sipërfaqe më të mëdha se 1 ha. Kjo masë do të realizohet gjatë gjithë vitit, duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve.

Janë 51 mijë fermerët që kanë aplikuar për subvencionin e naftës, ndërsa 15 mijë fermerë të tjerë kanë aplikuar për masat e Skemës për blegtorinë. Për fermerët që kanë aplikuar në grup, paratë i shkojnë secilit për numrin e krerëve që disponon, për sasinë e mbjellë, apo për sipërfaqen e mbjellë me sera.

CMG: Skema Kombetare 2024 e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfundoi periudhën e aplikimeve disa ditë më parë. Rezultojnë mbi 71 mijë e 500 fermerë me NIPT që aplikuan. A mund të konsiderohet kjo Skemë e suksesshme?

Agim Rraaj: Po, mund të quhet e tillë, krahasuar me vitin e kaluar, kur kishim rreth 60 mijë fermerë që aplikuan.

Nga puna në bujqësi (Foto Shqiptarja.com)

Nga puna në bujqësi (Foto Shqiptarja.com)

Pati një rritje dhe kjo tregon se në zonat rurale vijon të punohet . Ka interes për të zhvilluar  veprimtari ekonomike në ato zona, fermerët jane më të preokupuar për veprimtarinë e tyre ekonomike. Kjo, për arsye se janë rritur kostot dhe sepse Skema Kombëtare është një instrument që ndikon në uljen e kostos.

Kjo për ta është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht ndikon edhe në plotësimin e boshllëkut që kanë  mjetet e xhiros shpesh sektorët e ushqimit dhe prodhimit vuajnë për mjete xhiroje dhe kjo është e rëndësishme sepse ndikon pozitivisht tek buxheti i tyre. Skema kombëtare ndikon edhe tek konkurenca, kini parasysh që vendet perreth dhe BE financojnë mjaft, shumë herë më tepër sesa financojmë ne “Grand” sektorët e ushqimit, pra ndikon edhe kjo në zbutjen e konkurencës dhe në përqasjen e saj në ngjashmëri për të pasur një konkurencë të ndershme por njëkohesisht skema kombëtare ndikon edhe tek investimet sepse duke patur parasysh që në një moment të caktuar fermerët, subjektet kanë mjete xhiroje ata heqin një pjesë të tyre edhe për investime dhe ky është një element pozitiv i kësaj skeme.

CMG: A janë tetë masat e Skemës ato të duhurat? A duhej të kishim masa të tjera?

Agim Rrapaj: Në fakt ne nuk duhet të kishim masa të tjera. Edhe 8 masa që kemi nuk janë pak, janë mjaftueshëm.

Tani duhet të ndryshojmë organizimin dhe mënyrën sesi subvencionojmë fermerët. Deri tani kemi patur një praktikë, ku përcaktohej një shumë dhe mbi bazën e saj pastaj, në varësi të shumës, përcaktoheshin prioritetet.

Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Duhet të përcaktohen prioritetet, duhet të llogaritet efekti i tyre, të përcaktohen nevojat që fermerët kanë dhe pastaj të vendoset shuma përkatëse e subvencionit.

Shuma e vendosur në viin 2024, krahasuar me vitin 2023 është më e ulët dhe ky nuk është veprim i duhur.

Flitet dhe është deklaruar publikisht, se me Aktin Normativ të qeverisë në qershor apo korrik 2024, do të ketë një ndryshim dhe nga 33 milionë euro që është mbështetja për këtë vit, deri në fund të 2024-ës do të shkoj 58 milionë euro, apo diçka më tepër. Dhe nëse ndodh kështu, mund të përfitojnë të gjithë fermerët që do të shpallen fitues. Ky është një objektiv që duhet realizuar.

CMG: Kemi 321 grupime fermerësh që kanë aplikuar. Si ju duket si shifër? A prisnit më shumë bashkime fermeresh që të aplikonin?

Agim Rrapaj: Nuk është shifër e pakonsiderueshme, është shifër që duhet mbështetur. Natyrisht, grupimet kanë akoma potencial për t’u rritur në progresion gjeometrik, në mënyrë të tillë që ne  të rregullojmë një proces që e kemi me mjaft defekte, edhe per shkak te mendesise se vjeter qe nuk i pranon kooperativat.

Eshtë procesi i kooperimit dhe i koordinimit dhe, në këtë prizëm, nisja përmes Skemës Kombëtare dhe trefishimi i grupimeve, kam parasysh krahasimin me shoqëritë e bashkimit bujqësor, bën që të themi që është hapi i parë i duhur dhe në drejtimin e duhur.

CMG: Sa është ndihmuar nga masat e Skemës Kombëtare 2024 agroturizmi, ky sektor me kaq të ardhme tek ne?

Agim Rrapaj: Agroturizmi mori mbështetje të fuqishme nga IPARD II. Natyrisht që ai është vlerësuar edhe nga pikepamja logjistike, për arsye se ne kemi tashmë një strategji në proces, për konsultimin publik për agroturizmin në Shqipëri.

Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi (Foto Përqasje)

Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi (Foto Përqasje)

Në këtë strategji janë përfshirë disa masa, ku parashikohen edhe lehtësi të tjera për agroturizmin. Parashikohen investime të tjera në rritje. Në fakt, Skema Kombëtare ndikon drejtpërdrejt në agroturizëm. Ndikon tek skema e ushqimit, sepse agroturizmi, përveç fjetjes, bazën më të madhe e ka ushqimin, përgatitjen e ushqimit, prodhimin e tij.

Ne mendojmë që përmes Skemës Kombëtare mbështesim fermat organike, që janë lënda e parë për një agroturizëm. Po ashtu, mbështesim edhe çertifikimin global, Global G.A.P. Edhe ky është një instrument shumë i rëndësishëm, i cili ndikon tek agroturizmi.

Sigurisht që mbështeten  fermat blegtorale në tërësi dhe kjo ndikon në agroturizëm, pasi ushqimet bujqësore dhe ato  blegtorale përbëjnë bazën në agroturizëm, në veprimtarinë që ai ka.  Pra, direkt dhe indirekt, Skema Kombëtare ndikon pozitivisht.

CMG: Pamë që numrin më të madh të aplikuesve, 59 mijë aplikantë, e kishte Skema për mbështetjen me naftë për bujqësinë. Përse, sipas jush?

Agim Rrapaj: Ki parasysh që nafta përdoret për punimin e tokës, kryesisht. Dhe toka është elementi kyç bazë, mbi të cilën ndërtohet veprimtaria e ekonomisë së ushqimit. Në këtë prizëm, shumica e fermerëve janë të interesuar për ta punuar tokën.

Ne kemi afersisht 354 mijë fermerë që kanë tokë. Duke patur një numër kaq të madh fermerësh, edhe për shumë arsye të tjera, që kanë tokë,  ne duhet të kemi mbështetjen më të madhe për punimin e tokës.  Dhe për punimin  e tokës, mekanizimi është element kyç, edhe për uljen e kostos, edhe për rritjen e rendimentit.

Prandaj është e domosdoshme që fermerët duhet t’i japin rëndësi dhe i kanë dhënë rëndësi parësore aplikimit të këtij zëri të shpenzimeve që ata kanë. Duhet të theksojmë se mbi 40 përqind e kostos së mekanizimit shkon për naftën dhe ky është shërbim i mirë që i shkon fermerit, duke i përgjysmuar çmimin e naftës, i cili, për hir të së vërtetës, është mjaft i lartë dhe se ka shumë kosto.

Në Shqipëri ka plot probleme, të cilat e rrisin tej limiteve harxhimin e naftës në ekonominë bujqësore. 

CMG:  Si e shikoni prodhimin bujqësor dhe eksportet bujqësore për këtë vit?

Agim Rrapaj: Eksportet bujqësore janë në një situatë komplekse së fundmi. Veçanërisht, eksporti i perimeve, pasi kemi rënie të ndjeshme të kursit të euros dhe dollarit, në raport me lekun shqiptar, në tregun tonë.

Kuptohet që kompanitë shqiptare blejnë me lekë dhe shesin me euro, por ky disznivel i madh mes euros dhe lekut, në një kohë të shkurtër, i ka dëmtuar rëndë kompanitë eksportuese dhe kjo ka bërë të ketë frenim. Pra, është element që duhen gjetur mënyra për t’i mbështetur eksportuesit në këtë situatë, që të kemi sa me pak dëme.Njëkohësisht, kemi një zhvillim pozitiv në këtë moment në Shqipëri. Janë hapur tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian.

Fermerët aplikojnë për Skemën (Foto Shqiptarja.com)

Fermerët aplikojnë për Skemën (Foto Shqiptarja.com)

Me masat që kemi marrë per çerfifikimin Global G.A.P. dhe me masat e tjera, tashmë eksportuesit tanë kanë gjetur tregje edhe në vendet e BE-së.

Mund të përmend këtu vajin e ullirit. Eksporti i tij është arritur disa herë me çmim të dyfishuar në vendet e Bashkimit Evropian, krahasuar me vende të tjera. Gjithashtu, edhe perimet e tjera kërkohen në vendet e BE-së, që blejnë me çmim të lartë dhe kjo është sfida për ne.

Të shesim në tregje, që kanë çmim të lartë. Fermerët këtë e kanë kuptuar, kompanitë eksportuese e kanë kuptuar dhe shpresojmë  që duhet të vazhdojmë t’i mbështesim fuqimisht, që ata të lehtësojnë kreditimin e tyre.Ne duhet të vlerësojmë edhe finacimin e tyre edhe përmes Skemës Kombëtare duke mos hequr dorë.

Kjo, pasi ne, përveç eksportit, kemi edhe turizmin që është një element i  barabartë me eksportin. Dhe kjo duhet vlerësuar qartë në këtë moment.


Fatos Çoçoli