Shoqata “Së bashku ne mundemi” me seli në qytetin e Durrësit e ushtron veprimtarinë e saj në dobi të personave me aftësi ndryshe në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Ajo ka një mision humanitar, jofitimprurës, integrues në shoqëri, të cilin po e kryen me sukses
Solidariteti bazohet te ndërgjegjësimi shoqëror për interesat, objektivat, standardet dhe simpatitë e përbashkëta, që i sheh individët, pavarësisht aftësive të tyre si bazë e shoqërisë.
Ambasadorja e Kinës në një veprimtari të Shoqatës
Në shoqërinë shqiptare gjen mjaft shembuj solidariteti individual, por dhe të institucionalizuar në shoqata të ndryshme. Një prej tyre është shoqata “Së bashku ne mundemi” me seli në Durrës, që e shtrin veprimtarinë e saj në mbarë Shqipërinë, por dhe jashtë saj. Drejtorja ekzekutive e shoqatës Elsa Tasha, nisur nga përvoja jetësore, duke qenë bijë e një nëne me aftësi të ndryshme shikimi, vendosi të krijonte këtë shoqatë në ndihmë të të gjithë personave me aftësi ndryshe. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Elsa Tasha dhe koordinatorja e shoqatës Xhensika Bezati tregojnë sfidat e veprimtarisë dhe planet për të mundësuar përfshirjen dhe ndihmën e sa më shumë individëve në nevojë
CMG: Kur është krijuar shoqata dhe cili është synimi i saj?
Intervistë për CMG E.Tasha, Xh. Bezati
Elsa Tasha: Shoqata është krijuar në korrik të vitit 2021. Ideja është personale sepse unë kam mamanë të verbër dhe gjithçka lindi nga dëshira për të ndihmuar të tjerët, personat me aftësi ndryshe. Selinë qendrore shoqata jonë e ka në Durrës, por kemi degë në Tiranë, Cërrik, Bulqizë, Peshkopi. Shoqata është ndërkombëtare dhe me vendim të gjykatës ka shtrirje dhe jashtë vendit, sepse kemi degë dhe në Prishtinë. Në të gjithë Shqipërinë kemi të anëtarësuar në shoqatë 6100 persona me aftësi ndryshe, që kanë marrë ndihma.
CMG: Janë të gjithë anëtarët e shoqatës me aftësi ndryshe?
Xhensika Bezati: Jo vetëm, sepse përveç personave me aftësi ndryshe që janë fokusi kryesor i shoqatës, sepse jemi ndalur dhe në ofrimin e ndihmesës ekonomike, psikologjike, sociale dhe ligjore për njerëzit në nevojë. Gjithashtu pjesë e shoqatës janë persona të kategorisë vulnerabël, gra të diskriminuara, apo që kanë kaluar një episod dhune, për fëmijët me nevoja ndryshe apo që vijnë nga familje në nevojë. Dy komponentë kemi në fokus si shoqatë. I pari është të qenit me aftësi ndryshe, duke mos përdorur më termin “me aftësi të kufizuara”. Ndërsa fokusi tjetër është të ndodhurit në vështirësi ekonomike, por dhe spektrin e bullizmit. Nuk kemi shifra të sakta për fenomenin e bullizmit, për fat të keq, por kemi zbuluar nëpërmjet kësaj shoqate kemi zbuluar këto fenomene. Gjithashtu kemi synuar të depërtojmë përtej Tiranës dhe Durrësit, në zona rurale, ku problemet janë më madhore.
Kemi dashur të kontribuojmë jo vetëm në anën teorike të problemeve, por edhe praktike për fëmijët, me ndihma të ndryshme si materiale, ku përfshihen ndihma në veshmbathje, ushqimore etj
Ndihma të Ambasadës kineze për Shoqatën Së bashku mundemi
CMG: Ideja për krijimin e shoqatës suaj është fisnike, sepse Elsa nga aftësitë ndryshe të nënës së saj ka dashur të ndihmojë dhe njerëz të tjerë në nevojë si ajo. Si arritët të keni një anëtarësi kaq të madhe dhe për pak kohë të mbuloni nevojat e njerëzve me aftësi ndryshe?
Elsa Tasha: Kemi në shoqatë 14 vetë, duke nisur nga unë që punojmë vullnetarisht, pavarësisht se jemi me profesione të ndryshme. Xhensika është juriste në profesion, kemi dhe dy juriste të tjera, dy psikologe. Nga momenti kur krijuam shoqatën të gjithë japin kontribut vullnetar dhe më vjen mirë që nuk dorëzohen kurrë.
CMG: Në këto 30 vite të pluralizmit në Shqipëri, për fat të keq, kur themi në opinionin publik shoqatë, njerëzit përgjithësisht mendojnë lekët, donacionet, përfitimet materiale. Në rastin tuaj janë të reja profesioniste në fusha të ndryshme që mbështesin vullnetarisht veprimtarinë e shoqatës.Vullnetarizmi juaj është një trend që duhet ndjekur nga të gjithë
Xhensika Bezati: Që në momentin e parë më ka bërë përshtypje fakti që kjo shoqatë e drejtuar nga Elsa ka diçka ndryshe, nga realiteti i jetuar prej vetë asaj. Kur Elsa më ofroi mundësinë edhe materialisht të bëhesha pjesë e shoqatës, si një punë me kohë të pjesshme, nuk e kam pranuar. Por u përfshiva në formë vullnetare, ndaj u bëj thirrje të rinjve të bëhen pjesë e vullnetarizmit, sepse nga kjo punë mësojmë shumë. Ndonëse me këtë punë nuk të lidh një kontratë, apo marrëveshje, ajo bëhet me gjithë zemër. Të arrish të ofrosh ndihmesë për ata persona që presin nga ti, kjo është një përgjegjësi e madhe. Në këtë mënyrë bëhesh një urë lidhëse mes asaj që ata shikojnë dhe pushtetit vendor, qendror dhe institucioneve të tjera ligjvënëse dhe ligjzbatuese
CMG: Gjatë veprimtarisë së shoqatës, sa ka kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në nevojë?
Takim i ambasadores së Kinës me ekipin e Shoqatës
Elsa Tasha: Vetëm në Durrës janë ndihmuar 800 familje. Shërbimet që kemi ofruar në shoqatë janë terapi psikologjike, që bëhet dy herë në javë nga psikologet e shoqatës. Gjithashtu janë ndihmat me pako ushqimore, që i kemi mundësuar duke iu drejtuar institucioneve shtetërore, por dhe biznesit privat.
CMG: Ju shërbeni në këtë rast si ndërmjetës sepse mundësitë financiare ekzistojnë
Xhensika Bezati: Marrim rastin e Bashkisë Durrës me të cilën kemi komunikuar më shumë. Përpos ndihmave ushqimore, kemi arritur t’u ofrojmë anëtarëve të shoqatës edhe ndihma ligjore, drejtimi nëpër organe ku ata kanë patur nevojë. Ne na vijnë ankesa të ndryshme, që ne i ndjekim personalisht për të ofruar ndihmë juridike, apo i afrohemi organeve përkatëse, duke e ndjekur deri në fund të çeshtjes. Përveç pakove ushqimore shumë të rëndësishme për kategoritë vulnerabël të shoqërisë, kemi zhvilluar dhe kurse të ndryshme me fëmijë të grupmoshave të ndryshme për teknika pikture etj.
CMG: Cila është grupmosha ku shtrin veprimtarinë shoqata juaj?
Xhensika Bezati: Janë pothuajse të gjitha moshat, duke nisur nga mosha 5 vjeç deri në 18 vjeç. Këtu kemi parasysh fëmijët me aftësi ndryshe. Risi në shoqatë kemi sjellë për përfshirjen e grave me aftësi ndryshe, si dhe kujdestarë të një anëtari me aftësi ndryshe, kanë qenë punimet artizanale të dorës. Kemi vënë re se sa talent kanë gratë anëtare të shoqatës sonë.
CMG: Ka shumë rëndësi që njerëzve t’u jepet mundësia
Xhensika Bezati: Ne duam që këta njerëz të kalojnë ditë të ndryshme nga rutina e tyre . Kemi sjellë aktivitete me psikologë të shoqatës duke bërë terapi për fëmijët, por edhe për prindërit, gratë me tema të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin e tyre psikomotor. Kemi organizuar edhe ekskursione me shoqatën dhe jemi habitur kur shumica e anëtarëve nuk kishin dalë jashtë Durrësit. Nëse për ata kjo përkthehet në një buzëqeshje, për ne është mision i kryer.
Takim i Shoqatës Së bashku ne mundemi në Bulqizë (Foto BTV news)
Elsa Tasha: Motoja jonë e çdo dite është si të ndihmojmë anëtarët e shoqatës.
CMG: Si e siguroni mbështetjen për të realizuar misionin tuaj?
Elsa Tasha: Ne si shoqatë jemi të hapur për të gjithë ata që duan të na ndihmojnë. Kemi patur bashkëpunime me organizata të ndryshme, një ndër to Qendra “Dyert e jetës”, e përbërë nga një grup mjekësh, e cila ka ofruar vizita shëndetësore, testime për kancerin e gjirit falas për 100 anëtarë të shoqatës sonë.
Xhensika Bezati: Për të gjitha shoqatat thirrja për donacione është një temë sensitive. Mënyra se si kemi arritur të qëndrojmë deri tani në aktivitet me projekte është se jemi vigjilentë në shpalljen e projekteve me organizata qeveritare ose joqeveritare, që veprojnë në Shqipëri ose jashtë saj. Fokusi ynë kryesor është t’u drejtohemi organeve të pushtetit qendror, ambasadave dhe institucioneve të tjera.
Gjej rastin të sjell një ndër bashkëpunimet më të veçanta që Shoqata “Së bashku ne mundemi” ka patur me Ambasadën kineze për të dytin vit radhazi. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me këtë ambasadë për festat e 8 marsit, por jo vetëm ku na ka ardhur në ndihmë me donacione për gratë me rastin e kësaj feste dhe kanë qenë pako me një vlerë që nuk e kishim arritur me donatorët që ishin pjesë e shoqatës. Kjo ambasadë na ka qëndruar pranë në projektet që kemi shpallur dhe na ka inkurajuar për idenë e veçantë që ne kemi për mbrojtjen e njerëzve me aftësi ndryshe.
Shembull i mirë është dhe biznesi privat që është përfshirë në dhurimin e fondeve të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve për personat me aftësi ndryshe.
Nëse do të pyesni a janë të mjaftueshme donacionet do të thoja jo, duke iu referuar nevojave që kjo kategori njerëzish që kemi për objektiv të ndihmojmë.
CMG: Elsa, në përvojën tuaj personale, që e bëtë publike, kujton nëse nëna juaj me aftësi ndryshe ka patur mbështetje? Kishte shoqata si e juaja në atë kohë?
Veprimtari e shoqatës për vitin e ri (Foto Durrës Lajm)
Elsa Tasha: Nëna ime është verbuar vonë. Ka 18 vite që është verbuar në një fatkeqësi që ndodhi në familje, ku humbi jetën vëllai aksidentalisht dhe kjo solli pasoja. Ideja që unë krijova shoqatën ishte se u bëra kordinatore e Shoqatës së të Verbërve për dy vite, duke marrë shkas nga qenia e nënës sime anëtare e kësaj shoqate. Mendova që shoqata të mos ishte vetëm për të verbërit, por të ishte gjithëpërfshirëse, ku të ishin pjesë fëmijët, gratë dhe burrat ashtu siç kemi Shoqatën “Së bashku ne mundemi”.
CMG: Nëna juaj është në dijeni të veprimtarisë së shoqatës? Bisedoni për këtë veprimtari tuajën ku ju kanë mbështetur dhe profesionistë vullnetarë?
Elsa Tasha: Nënën e kam patur dhe në aktivitete të shoqatës sonë dhe si çdo prind që falenderon fëmijët, ajo nuk pushon së bekuari. Gjithashtu falenderon pa masë stafin
CMG: Si është dita juaj në shoqatë? Keni një program të paracaktuar?
Xhensika Bezati: Çdo fillim viti dhe çdo tremujor organizojmë mbledhje me anëtarët e shoqatës, ndërsa mbledhjet me stafin bëhen në fund të çdo muaji. Rendisim objektivat dhe thelbi qëndron në komunikimin nga afër me anëtarët për të parë se cilat janë nevojat e tyre, duke patur parasysh që shëndeti i kësaj kategorie njerëzish mund të ndryshojë nga dita në ditë. Ndaj na duhet të kemi një ndërveprim sa më të shpejtë me ta. Kemi kalendarin e festave që organizojmë, zhvillimin e takimeve informuese dhe sensibilizuese, të takimeve me aktorë të pushtetit vendor, që i ftojmë për ndarjen e eksperiencave të tyre. Kemi takime ku ofrojmë kontributin ligjor, një prej të cilave e drejtoj dhe unë vullnetarisht dhe këtu marrim ankesat e tyre dhe më pas zhvillojmë veprimtaritë përkatëse.
Njera ditë nuk ngjan me tjetrën. Në bazë të kalendarit të aktiviteteve dhe çeshtjeve që trajtojmë ndërveprojmë gjatë gjithë vitit.
Elsa Tasha: Çdo ditë mirëpres anëtarët e shoqatës në qendër për të diskutuar për problemet e tyre
CMG: Cilat janë veprimtaritë e shoqatës këtë vit?
Xhensika Bezati: Kemi një sërë aktivitetesh por për shkak të copyright-it po përmend se do të zhvillojmë një veprimtari me një ambasadë të huaj në vendin tonë. Ka të bëjë me ngrohjen globale dhe se si ndikon ajo te personat me aftësi ndryshe. Është një studim që lidhet me personat me aftësi ndryshe, zonat rurale ku kemi të shtrira degët e shoqatës sonë, por është një veprimtari që edhe ne që po e zbatojmë na ka lënë pa fjalë sepse përbën një risi në këtë aspekt. Lidhur me këtë përveç një studimi të Avokatit të Popullit, nuk ka studime të tjera se si ngrohja globale ndikon te personat me aftësi ndryshe, ata në nevojë etj, nisur që nga shporta ushqimore, deri te zhvillimi psikologjik i tyre.
Intervistoi Eda Merepeza