“Rockwell Automation” në tranzicion digjital dhe të gjelbër në Kinë
2024-04-25 09:43:24

Kompania me bazë në SHBA e automatizimit industrial “Rockwell Automation” po shikon mundësitë që dalin nga transformimi digjital dhe i gjelbër i Kinës, tha një ekzekutiv i lartë.

Ian Shih, president i “Rockwell Automation China”, tha se kompania po planifikon gjithashtu të nxisë më shumë bashkëpunime me industritë strategjike në zhvillim të Kinës, të tilla si energjia e re dhe shkencat e jetës.

Qëkur “Rockwell” hyri në tregun kinez në vitin 1988, ajo ka mbetur e impresionuar thellësisht nga qëndrueshmëria dhe dinamizmi i jashtëzakonshëm i ekonomisë së vendit, tha Shih.

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kinës për të promovuar një model zhvillimi me qarkullim të dyfishtë dhe riformësimin e zinxhirëve të furnizimit global, ai tha se “Rockwell” ka parë një numër në rritje të ndërmarrjeve kineze që zgjerojnë horizontet e tyre dhe kërkojnë mundësi jashtë shtetit për t’u rritur gjithnjë e më tepër.

“Së bashku me këtë zgjerim, këto kompani po i japin përparësi përshpejtimit të rrugëtimit të tyre të transformimit digjital në mënyrë që të forcojnë konkurrencën thelbësore në skenën globale”,- tha Shih.

Ai theksoi se “Rockwell” po shton përpjekjet për të ndihmuar ndërmarrjet kineze të arrijnë një transformim të digjitalizuar dhe inteligjent duke aplikuar teknologjitë e tij novatore dhe pikat e forta në prodhimtarinë inteligjente.

Duke vënë në dukje se Kina i ka vënë theks të madh inovacionit teknologjik, ai tha se kompania mezi pret të shfrytëzojë përvojën e saj në automatizimin industrial dhe transformimin digjital, dhe të përshpejtojë inovacionin dhe aplikimin e teknologjive në zhvillim si 5G, inteligjenca artificiale dhe interneti industrial i gjërave në Kinë.

“Ne besojmë se kultivimi i forcave të reja prodhuese cilësore kërkon përmirësimin e cilësisë dhe modeleve të bizneseve në Kinë”,- tha ai.

Kompania po përfiton nga mundësitë e transformimit digjital dhe të gjelbër të Kinës dhe po forcon bashkëpunimin me një gamë më të gjerë partnerësh lokalë, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kineze.

“Promovimi i zhvillimit ekonomik me cilësi të lartë dhe të qëndrueshëm është bërë një çështje kritike në mbarë botën. Ekonomia e Kinës ka parë përmirësime të vazhdueshme si në efikasitet ashtu edhe në zhvillimin e gjelbër për shkak të një sërë politikash”,- theksoi Shih.

Me mbi 30 vjet përvojë në Kinë, “Rockwell” ka dëshmuar reformën dhe hapjen e vendit. “Ne jemi të inkurajuar nga angazhimi i Kinës për të ofruar një mjedis biznesi të klasit botëror për kompanitë e huaja”,- tha ai.

Kina është vendi më i madh prodhues në botë, me prodhimin e saj industrial që përbën gati 30 për qind të totalit global, duke u renditur e para për 14 vjet rresht, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.

Vendi njoftoi së fundi heqjen e të gjitha kufizimeve për aksesin e investimeve të huaja në sektorin e prodhimit dhe ka prezantuar një sërë politikash që mbështesin zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë digjitale dhe ekonomisë së gjelbër.

“Këto zhvillime forcojnë vendosmërinë tonë për të thelluar rrënjët tona lokale dhe për të bashkëpunuar me partnerët e prodhimit kinez në hartimin e një kursi për zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë”,- shtoi Shih.

foto: VCG

foto: VCG

“Pesë vitet e ardhshme pritet të jenë një periudhë e artë për të çuar përpara digjitalizimin dhe qeveritë në mbarë botën i kanë kushtuar rëndësi të madhe këtij sektori. Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë digjitale do të forcojë avancimin e digjitalizimit”,- tha Kitty Fok, drejtoreshë menaxhuese e konsulencës së tregut “IDC China”.

“IDC” pret që më shumë se 50 për qind e PBB-së globale të drejtohet nga ndërmarrjet e transformuara në mënyrë digjitale gjatë pesë viteve të ardhshme.

“Rockwell” është gjithashtu i përkushtuar për ndërtimin e një zinxhiri furnizimi me zero neto përmes iniciativave inovative si Aleanca mjedisore, sociale dhe qeverisje “Rockii ESG”.

Duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë në ekosistem, kompania po drejton procese të gjelbra dhe me karbon të ulët në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke kontribuar së bashku në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së Kinës, tha Shih.

Digjitalizimi i ndërmarrjeve shërben si gur themeli i ekonomisë digjitale, tha Xiang Ligang, drejtor i përgjithshëm i Aleancës së Konsumit të Informacionit, një shoqatë e industrisë së telekomit.

“Teknologjitë digjitale në zhvillim të përfaqësuara nga 5G, të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale kanë luajtur një rol kyç në rritjen e efikasitetit operacional, uljen e kostove dhe përmirësimin e konkurrencës bazë të industrive tradicionale mes presionit ekonomik në rënie”,- tha Xiang.