Shfaqja “Tales of Time” vihet në skenë në Teatrin Kombëtar Eksperimental
2024-04-25 10:52:23

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë, do të vihet në skenë mbrëmjen e 25 dhe 26 prillit shfaqja e dansit “Tales of Time” (Rrëfimet e kohës), ku artistët do të prekin historitë që përbëjnë përvojën njerëzore.

Në këtë shfaqje do të eksplorohen përrallat popullore të Shqipërisë dhe të Austrisë, duke i kontekstualizuar ato me realitetin.

Balerina Valentina Myrteveli (Foto nga Teatri Eksperimental)

Balerina Valentina Myrteveli (Foto nga Teatri Eksperimental)

Kjo do të hapë një fushë midis realitetit dhe fantazisë që është një mënyrë për të portretizuar jetën tonë të përditshme.

Shumë pyetje pritet të marrin përgjigje gjatë shfaqjes, si: Kush jemi ne? Cilat janë ngjashmëritë midis historive tona personale? Si ka ndryshuar jeta jonë moderne? Nga çfarë jemi krijuar?

“Kjo është një shfaqje me koreografi nga Ana Possarnig, ku ne do të sjellim tri pjesë. Pjesa ime është e para dhe flet për emigrimin, e ardhur në një mënyrë abstrakte. Puna me objektet që kemi në shfaqje është shumë interesante”,- u shpreh mbi performancën e saj balerina që do të interpretojë në këtë shfaqje, Valentina Myrteveli.

Momente nga provat (Foto nga  TKE)

Momente nga provat (Foto nga  TKE)

Valentina Myrteveli është shkolluar në Rusi dhe mbërriti në Shqipëri pas nisjes së konfliktit në Ukrainë. Pas studimeve ajo ka punuar për dy vjet në teatrin e Moskës, “Moskovski Music Hall”.

Lidhja e familjes së saj me Rusinë është e hershme, në vitet ’60-të, kur gjyshi i saj shkoi të studionte për arkitekturë në Moskë dhe u njoh me një ruse, gjyshen e saj. Edhe babai i Valentinës ka lindur në Moskë. Ishte ajo që e shtyu Valentinën të studionte në Rusi, për t’u njohur me pjesën tjetër të origjinës së saj.

Momentalisht ajo po aktivizohet me projekte të ndryshme artistike, kryesisht në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.

Momente nga provat (Foto nga TKE)

Momente nga provat (Foto nga TKE)

Ky projekt ka ardhur me ide dhe koreografi nga Anna Possarnig, performues Valentina Myrteveli, Mariel Brahimllari e Semela Skënderasi. Muzika është realizuar nga Joel Diegert, skena dhe ndriçimi nga Max Vindisch-Spoerk, kostumet nga Sofi Kara, asistent Joni Österlund.

Kjo performancë magjepsëse ndërthur përrallat tradicionale popullore me realitetin bashkëkohor, duke ofruar një reflektim të thellë mbi identitetin, trashëgiminë dhe ndikimin e modernitetit.

Ky projekt vjen në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Teatrin Eksperimental, si dhe Ambasadën Austriake në Tiranë.  

Valentina Myrteveli (Foto nga TKE)

Valentina Myrteveli (Foto nga TKE)

Përgatiti: Sava Lena