Në fushën e botimeve, unë ktheva pasionin tim të parë
2024-04-25 09:46:29

Anila Bisha filloi ëndrrën e saj për t’u bërë shkrimtare qysh në moshë të re, por fati e çoi në një udhëtim të ndryshëm, ku ajo u angazhua në ndihmën e autorëve të tjerë për të shkruar. Kjo përvojë e çoi në një kuptim të ri për misionin e saj në botimin e librave, duke e parë veten si pjesë e një qëllimi më të gjerë për të përhapur idetë dhe historitë e njerëzve përmes faqeve të botuara. Në rrugëtimin e saj, Anila u përball me sfida të shumta si një grua në një botë ku karriera dhe familja shpesh shiheshin si sfida të papërputhshme. Nëna e re dhe gazetarja e aftë, ajo përjetoi momente të bukura dhe sfiduese, duke e shfaqur aftësinë e saj për të përballuar detyrat profesionale dhe ato familjare me guxim dhe përkushtim. Intervistat e Anilës, fillimisht me çështjet sociale dhe më pas me personalitete të ndryshme, shfaqën pasionin dhe talentin e saj për të zbuluar dhe ndarë historitë e njerëzve me publikun.  Një moment kyç në karrierën e Anilës ishte themelimi i revistës "Unë Gruaja", një projekt që synonte të promovonte fuqinë dhe ndikimin e grave në shoqëri. Për të, kjo ishte një përvojë sfiduese, por edhe e bukur, që dëshmon aftësinë e saj për të inkuadruar vlerat dhe zërat e grave në media. Megjithatë, si shumë projekte të suksesshme, revista u mbyll për shkak të sfidave menaxheriale dhe kushteve të vështira të kohës.  Sot, Anila drejton një shtëpi botuese, duke kthyer pasionin e saj për botimin në profesion. Ajo ka një rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi ku libri merr jetë dhe shkon në duar të lexuesve me një redaktim dhe një kujdes të veçantë. Përmes punës së saj, ajo siguron që letërsia të shqiptohet me kualitet të lartë dhe të përfaqësohet në mënyrë të plotë në tregun e librit.

CMG:Anila si kanë ndryshuar ëndrrat tuaja për karrierën nga njëri vit në tjetrin?
Anila Bisha: Kur isha ende e re, kisha një ëndërr të madhe për t’u bërë shkrimtare, por fati nuk më çoi në atë drejtim. Megjithatë, u angazhova në fushën e editimit të botimeve, pra duke ndihmuar autorët të botojnë librat e tyre. Në kujdesin për botimet, e shoh veten si pjesë e një misioni më të gjerë se vetëm shkrimi.

CMG: A është e lehtë që në rrugëtime të gjërave që do të arrish të jesh grua?
Anila Bisha: Për gratë gjithmonë është më sfiduese, sidomos kur je ende e re, sepse kërkon të përballësh sfida të mëdha si të ndërtosh karrierën tënde dhe të krijosh një familje. Këto përvoja më kanë sjellë jo vetëm gëzim, por edhe sfida. Kur u bëra nënë, ishte një moment i bukur, por gjithashtu sfidues për mua, pasi isha një nënë e re dhe një gazetare. Asokohe shumë gjëra bëheshin me mjete teknike te kufizuara, mbanim shenime në letër, nuk kishim mundesitë teknike që janë sotorë. Mund të them se për mua ishte një periudhë e vështirë dhe e bukur njëherësh.


CMG: Cilat kanë qenë elementët më pozitivë që keni marrë prej punës në gazetari?
Anila Bisha: Kam patur mundësi të njoh shumë personalitete të profesioneve të ndryshme dhe kjo më ka bërë të jem më tepër afër njerëzve.
CMG: Cila është intervista juaj e parë që ju keni bërë si gazetare?
Anila Bisha: Ka qenë një sipërmarrës dhe e kujtoj ende edhe sot. Në vitin 1991, ai themeloi një biznes privat dhe unë vendosa të bëja një intervistë me të. Pas kësaj, unë vazhdova të shkruaj edhe artikuj të tjerë, duke shtrirë interesimin tim përtej intervistave. Punësimi në media më afron me humanizmin. Ky profesion kërkon jo vetëm njohuri teknike, por edhe dashuri dhe pasion për të. Njerëzit që kam intervistuar në atë kohë tani janë miqtë e mi, dhe përherë mësova nga ata. Gazetaria për mua është një profesion i bukur dhe një privilegj që jo të gjithë mund ta kenë!


CMG:  A është shkritmari një profesionist?
Anila Bisha:  Jo është një pasion i thellë që jo çdo njeri mund ta bëjë, shkrimtar mund të jetë edhe një njeri që nuk ka lidhje fare me gjuhën apo letërsinë mund të ketë studiuar për matematikë dhe në këtë formë të krijon idenë se është larg letërsisë por paradoksalisht mund të jetë më afër sa njeriu i zakonshëm.

CMG: Një moment shumë i bukur në karrirën tuaj profesionale ka qënë themelimi i një reviste “Unë Gruaja”, si ka qenë ajo eksperiencë e asaj kohe? 
Anila Bisha: Ka shumë vite që ajo revistë nuk është më në treg, dhe duke kujtuar kthehem në  vitin 1998, kuptova se kisha mësuar shumë nga gazetaria në atë kohë dhe mendova se ishte koha për të sjellë diçka të re që tërësisht vlejti. Kisha njohur shumë gra të suksesshme dhe ato më përcillnin një mesazh universal për forcën e tyre. Kjo ishte një periudhë sfiduese, pasi numri i grave të angazhuara në politikë apo në drejtim të institucioneve nuk ishte aq i lartë sa sot. Po kishte shumë gra të angazhuara në shoqata në mbrojtje të të drejtave të grave. Përditë lexoja revista të huaja dhe duke i shikuar ato, mendoja se pse ne nuk mund të bënim diçka të ngjashme. Prandaj, aplikova menjëherë në një projekt bashkë me Zonjën Iris Luarasi, dhe për ne ishte një përvojë e mrekullueshme. Projekte të tilla promovonin fuqinë e grave, duke i shndërruar ato në pjesë të rëndësishme të shoqërisë.

CMG: Pse u mbyll kjo revistë?
Anila Bisha: Revista u mbyll për shkak të mungesës së financimeve dhe marketingut të kufizuar për kushtet dhe rrethanat e asaj kohe. Kushtet dhe praktikat menaxhuese të atëhershme nuk ishin të ngjashme me këto të sotmet. Bizneset nuk e shihnin të rëndësishëm të caktonin një buxhet të veçantë për marketing, duke e bërë punën tonë të vështirë për t’u realizuar. Kështu, pasi ballafaquam sfida të shumta, vendosëm ta mbyllnim revistën.

CMG:  Ju sot jeni drejtuese e një shtëpie botuese, a është sfiduese puna në këtë sektor?

Anila Bisha: Në fushën e botimeve, unë u në ktheva pasionin tim të parë. Gjatë rrugëtimit në karrierën time, gjithmonë kam qenë e angazhuar në botime, duke e konsideruar si një punë të dytë. Kur vendosa të drejtoja një shtëpi botuese, isha e gatshme për të angazhuar veten plotësisht, pasi isha e pajisur me përvojën e nevojshme nga sfidat që kisha përballuar më parë. Një shtëpi botuese përfshin një ekip të madh dhe krijon një mjedis ku libri merr jetë dhe shkon te lexuesi përmes një punë të kujdesshmë që ka të bëjë me redaktimin, dizenjimin, shtypshkrimin, gjë që siguron që libri të jetë sa më cilësor për lexuesin. Jo vetëm për autorët vendas, por edhe për librat e përkthyer, është e rëndësishme të kemi një përzgjedhje të kujdesshme, për të siguruar që kur letërsia shqipe, të jetë e përkryer në çdo detaj.