Piktori Buron Kaceli pikturon para publikut - foto Facebook Buron Kaceli
Tirana - foto Galeria e Artit Tirane
Kompozim - foto Galeria e Artit Tirane
Me një ceremoni mbresëlënëse dhe të pazakontë, piktori Buron Kaceli, erdhi për publikun me një ekspozitë mbresëlënëse, në ambientet e Galerisë së Arteve në Tiranë. E veçanta e këtij promovimi, është se piktori pikturonte para kavaletit me një tavalloz në dorë, nën tingujt e një orkestre popullore, duke realizuar procesin e pikturimit para miqve dhe të ftuarve.
Ekspozita “Dhoma e Pasme” e Buron Kaceli erdhi me vepra të përzgjedhura nga karriera e gjatë e piktorit. Ekspozita e hapur më 12 prill zbulon edhe një koleksion të paekspozuar të punëve të piktorit tiranas, duke përfshirë tablo që shtrihen mbi 50 vite të historisë, të cilat tregojnë një penel që sfidonte artin realist të kohës.
Në këtë ekspozitë janë ekspozuar sipas piktorit 50 piktura, si dhe rreth 50 vizatime. Janë ekspozuar punë të ndryshme, por puna më e hershme në këtë ekspozitë është një autoportret që i takon vitit 1967 dhe vijojnë të tjerat që janë 30, 40 apo dhe 50 vjeçare e deri në ditët e sotme, te kompozimi i madh “Tirana ime”.
Ekspozita e piktorit të mirënjohur tiranas, Buron Kaceli, të fton të shijosh vepra mjaft të bukura dhe të realizuara me finesë. Djali i piktorit legjendar, Sadik Kaceli, Buroni të fut në botën e mrekullueshme të traditave tiranase. Tirana urbane, jeta e saj, por dhe punë që piktori Kaceli ka realizuar kur ka qenë arsimtar në malësitë e saj apo në rrethina të tjera janë pjesë e ekspozitës, ku të shumta janë edhe portretet.
Piktor Buron Kaceli “Mjeshtër i Madh” thotë se ftesa për këtë ekspozitë erdhi nga Galeria e Artit në Tiranë. Ekspozita vjen e konceptuar nga kuratorja dhe drejtuesja e Galerisë së Tiranës, Edit Pula e cila e ka paraqitur pikturën e Kacelit, si një hulumtim të Tiranës dhe përshkrim të tranzicionit.
Buron Kaceli i takon brezit të mesëm të artistëve që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai shquhet për modelimin piktorik sipas shkollës europiane të pikturës franceze. Kjo ekspozitë, përveçse feston artin dhe karrierën e gjatë të artistit, nëpërmjet tij, njëkohësisht tenton të kushtëzojë përkatësinë e kulturës popullore si element bashkëkohor urban.
Vajza - foto Galeria e Artit Tirane
Kompozim i Buron Kacelit- foto Galeria e Artit Tirane
"Unë e pëlqej shumë natyrën, jemi të dashur për të. Por natyra nuk është vetëm peizazhi, është edhe njeriu. Më pëlqejnë shumë dhe ambientet ku njeriu këndon, jeton. Janë disa vepra të kësaj natyre", - shprehet Kaceli. Si një individualit i spikatur, drita e ngjyrave, dashuria për natyrën dhe frymëzimi që gjen në të, janë tiparet identifikuese të veprave të Buron Kacelit.
Në ekspozitat e hapura në Galerinë e Tiranës synohet të ekspozohen punime dhe autorë që kanë patur si synimin hulumtimin e fenomeneve të vetë Tiranës, njerëzve, lagjeve, bashkëjetesës, bashkërenduar kjo me ringjalljen e trashëgimisë kulturore dhe interpretimet bashkëkohore.
“Të gjithë artistët dhe ekspozitat që kemi hapur deri tani kanë pasur një qasje të tillë që të hulumtojnë Tiranën dhe ta sjellin atë që nga transformimi urban deri te demografika dhe te situatat njerëzore gjatë këtij tranzicioni”, thotë kuratorja Edit Pulaj.
Buron Kaceli (Mjeshtër i Madh), u lind më 25 Janar të vitit 1948 në qytetin e Tiranës, por me përvojën e tij jetësore e artistike është vlerësuar disa herë më tituj të rëndësishëm. Sot ai mban titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi”.
Rrugëtimi i tij në art nisi në vitin 1960 me studimet në Liceun Artistik Jordan Misja. Më pas studioi për pikturë në Akademinë e Arteve, nga viti 1964 deri në vitin 1970. Ndër vite ka dhënë kontributin e tij në institucione të ndryshme arsimore, artistike e kulturore, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në secilin prej tyre. Ka marrë pjesë në disa nga ekspozitat organizuara të Galerisë Kombëtare të Arteve jashtë vendit, si dhe ka çelur një numër të madh ekspozitash personale që nga viti 1975 e deri në ditët e sotme.
Me titullin intrigues, ekspozita e piktorit të mirënjohur tiranas, Buron Kaceli, të fton të shijosh vepra të bukura dhe të realizuara me finesë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 maj.
Neritana Kraja