Alban Ndrecpecaj, poeti nga Tropoja që shkruan për natyrën dhe dashurinë
2024-04-24 15:20:21

Alban Ndercpecaj është një poet i ri nga Lekbibaj e Tropojës, i cili sapo ka sjellë vëllimin e tij të parë poetik “Në botë e tërë në poezi”. Deshira për të shkruar ka lindur tek Albani qëkur ishte i vogël, por më vonë u angazhua më shumë në fushën e krijimtarisë letrare. Vëllimi i tij i parë poetik përmbledh mbi 100 poezi për natyrën, ndjenjat njerëzore dhe dashurinë, ku shumëkush që e ka lexuar librin ka gjetur disi veten  brenda vargjeve të poetit. Albani është i pasionuar dhe pas muzikës dhe  prej kohësh ka mësuar të luajë në kitarë, një instrument që nuk e ndan nga vetja. Në  intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin për poezinë, vëllimin e tij të parë poetik dhe planet në vazhdim. 

CMG: Si lindi dëshira për të krijuar vargje dhe për t’i botuar në një libër?

Alban Ndrecpecaj: Dëshira ime për të shkruar ka lindur qëkur isha i vogël, dhe më vonë vazhdova të zgjerohem më shumë përsa i përket letërsisë dhe poezisë. Botova librin e parë të titulluar “Një botë e tërë në poezi”, ku përmblodha disa poezi, të cilat janë pjesë e ndjenjave, natyrës dhe dashurisë. Të shkruash në aspektin e poezisë duhet ta përmbledhësh në mënyrë artistike, më shumë sesa kur shkruan një roman, që është një vazhdueshmëri. Ndërsa poezinë duhet ta përmbledhësh në mënyrën më artistike, për të dalë më e bukur.

CMG: Sa poezi ke përmbledhur në vëllimin tënd të parë?

Alban Ndrecpecaj: Fillimisht kam shkruar pak poezi, dhe nuk i jepja shumë vëmendje të shkruarit, por më vonë lindi dëshira për të shkruar më shumë, dhe e arrita. Në librin tim të parë kam mbi 100 poezi dhe në vetë titullin e librit jam munduar që ta përmbledh në një botë.

CMG: Ke zgjedhur njërën nga poezitë për titull të librit, apo është një titull i përgjithshëm?

Alban Ndrecpecaj: Ky është një titull i përgjithshëm, sepse kam poezi për natyrën, lidhjen e njeriut me natyrën. Ndjenjat dhe dashurinë i kam përmbledhur në një kontekst shumë të gjerë, një botë.

CMG: Si është pritur libri nga lexuesit?

Alban Ndrecpecaj: Në momentin e parë që e kam botuar librin nuk i kam treguar askujt që po bëj diçka të tillë. Më vonë i kam treguar familjes time për herë të parë, të cilët u mahnitën nga kjo gjë. Pastaj i kam treguar edhe shoqërisë, që u habitën akoma më shumë sepse mendonin që një djalë i ri nuk mund të shkruajë, por më pas kur panë që po shkruaja u habitën. Kjo ishte kënaqësi për mua, një emocion që ndonjëherë nuk e kam arritur aq shumë. Kur i kanë lexuar shumicën e poezive të mia, shumë njerëz e gjejnë veten tek ato poezi. Jam shumë i lumtur kur shikoj që të tjerët i lexojnë poezitë dhe më komentojnë me fjalët më të mira. Lexuesit më japin entuziazmin që të shkruaj akoma më shumë.

Alban Ndrecpecaj ne interviste per CMG

CMG: Aktualisht vazhon studimet në fushën e ekonomisë. Ke gjetur ndonjë lidhje midis letërsisë dhe degës që studion?

Alban Ndrecpecaj: Unë kam studiuar në shkollën e mesme për hoteleri-turizëm, dhe ndoshta lidhet pak me artin. Mendoj se hoteleria është një botë e gjerë e turizmit, që në Shqipëri po evulon dita-ditës, qoftë kjo përsa i përket gastronomisë, ku dhe një pjatë shumë e thjeshtë kërkon krijimtarinë tënde. Gjithashtu dhe në arredimin e një strukture hotelerie, që kërkon detaje specifike, por që e bën atë të jetë paksa më artistike. Pra është një lidhje midis artit, qoftë kjo në letërsi, hoteleri, turizëm dhe menaxhimin e hotelit, por dhe në muzikë dhe art.

CMG: Një tjetër pasion i yti është dhe muzika, prej vitesh luan në kitare. Flasim për këtë lidhje me muzikën?

Alban Ndercpecaj: Nuk mendoja kurrë se do ta mësoja instrumentin e kitarës. Gjatë periudhës së pandemisë fillova të luaja në kitare, kisha një kitare paksa të vjetër në shtëpi dhe sa herë që flija e shikoja dhe mendoja nëse do të arrija ta mësoja. Kështu që vazhdova të studioja me një profesor italian, që jepte leksione në gjuhën italiane, dhe më pas arrita të mësoja akordet, notat dhe specifikat e kitares. Arrita që ta mësoja për një javë, ku dhe sot që e mendoj më duket e pabesueshme. Dëshira dhe vullneti bëjnë që të realizosh diçka, që ndoshta nuk ta merr mendja.

CMG: Luan në kitare shpeshherë në shtëpi kur ke kohë të lirë?

Alban Ndrecpecaj: Unë zakonisht luaj në shtëpi me kitare, por dhe kur dal me shoqërinë e marr kitaren me vete dhe luaj, ose në ndonjë aktivitet shkollor e marr kitaren me vete. Kjo është një kënaqësi për mua, sepse bën që të shpalos artin tim tek të tjerët.

CMG: Çfarë ka të veçantë vendlindja juaj Tropoja, që dallohet nga qytetet e tjera të vendit?

Alban Ndrecpecaj: Vendlindja ime është Lekbibaj, një krahinë e lashtë ilire që ndodhet në alpet e Tropojës. Aty është i lidhur arti, sepse për shumë breza ka nxjerrë artista, qoftë shkrimtarë, aktorë, por dhe artistë të folklorit. Nuk ka familje që nuk ka një çifteli apo një vegël muzikore të lashtë në shtëpi. Në çdo objekt ata krijojnë një melodi, qoftë dhe në një fletë gjetheje ata krijojnë një melodi muzikore. Krahina e Tropojës ka folklorin, por edhe traditat e lashta që e lidhin me kulturën. Gjithashtu Tropoja ka nxjerrë mjaft intelektualë, ku mendoj se çdo familje ka një talent që mund të jetë i pazbuluar.

Albani duke luajtur ne kitare (Foto personale)

Libri me poezi i Albanit (Foto personale)

CMG: Të ka frymëzuar vendlindja në fushën e krijimtarisë?

Alban Ndrecpecaj: Normal që të vjen frymëzimi kur e shikon vendlindjen tënde dhe emocionohesh.

CMG: Ke menduar që pasi të mbarosh studimet të largohesh nga vendi, për të investuar në karrierë jashtë shtetit?

Alban Ndrecpecaj: Unë dua që karrierën time profesionale ta vazhdoj në Shqipëri, sepse në vendin tim e ndjej veten më frymëzues. Mendoj se çdo vend ka vështirësitë e veta, por mesazhi im për të rinjtë është që të qëndrojnë këtu.

CMG: Përveç krijimtarisë letrare dhe muzikës a ke pasione të tjera?

Alban Ndrecpecaj: Aktualisht jam te këto tre destinacione, arti, hoteleria dhe muzika, që po t’i analizosh shkrihen në një. Gjithashtu më pëlqen edhe psikologjia, por më shumë përkushtohem te arti.

CMG: Të pëlqen të udhëtosh?

Alban Ndrecpecaj: Unë nuk udhëtoj shumë, sepse kam shumë angazhime. Më shumë udhëtoj brenda Shqipërisë, dhe nëse e vizitoj dy herë të njëjtin vend, dy herë do mësoj gjëra të reja.

CMG: Cilat janë projektet në fushën e krijimtarisë?

Alban Ndrecpecaj: Aktualisht po punoj për një libër tjetër me poezi, por dhe dëgjoj shumë muzikë sepse duhet të ecin në barazkohë të dyja, si krijimtaria ashtu edhe muzika.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë e tu.

Alban Ndrecpecaj: Përshëndes të gjithë atë që më mbështesin, më japin frymëzim dhe kurajo për të vazhduar në rrugën e krijimtarisë.

Intervistoi: Gazmend Agaj