Foto nga China Daily
Çdo vit, qindra studentë të huaj udhëtojnë mijëra kilometra për të studiuar në Kinë, duke lënë pas shtëpitë e tyre dhe gjuhët amtare. Ndërsa disa prej tyre zhyten në studimin intensiv të gjuhës kineze në Universitetin Tongji në Shangai, një detyrë unike i ndihmon ata të kalojnë kilometrat që ndodhen në mes, të shkruajnë një letër për në shtëpi në gjuhën kineze.
Aktiviteti i shkrimit të letrave është bërë një traditë e përvitshme në programin kinez parauniversitar të Tongji. Pas muajsh studimi të fjalorit, gramatikës dhe hartimit, studentët nga e gjithë bota kanë për detyrë të shkruajnë një letër drejtuar familjeve të tyre, të shkruar tërësisht me shkronja kineze.
“Në fillim, aktiviteti u krye në disa klasa. Por kur studentët e tjerë panë letrat e ekspozuara, morën iniciativën për të shkruar edhe ata letrat e shtëpisë”,- deklaroi Zong Qian, dekan i asociuar i Shkollës Ndërkombëtare të universitetit.
Krijimi i një letre personale kërkon aftësi më të avancuara në krahasim me ushtrimet e thjeshta të shkrimit në klasë, tha Zong, i cili theksoi se përmes saj shpresohej që t'u jepej studentëve një arsye autentike për të vënë në praktikë mësimin e gjuhës.
Ndërsa letrat filluan të vërshonin, mësuesit u impresionuan dhe u prekën nga përpjekjet e studentëve për të shprehur emocionet. Zong vuri në dukje se shumica e studentëve kishin thuajse zero aftësi të mëparshme për gjuhën kineze përpara se të mbërrinin në Shangai për herë të parë vetëm disa muaj më parë.
“Kuptuam se këto letra ofruan një dritare të veçantë në përvojat dhe rritjen e studentëve në Kinë. Ato ishin shumë prekëse për t’u lexuar”-, tha Zong.
Chipo Bard Shanzuwa Chintu nga Zambia shkroi për përshtatjen e saj me jetën në Shangai: “Para se të vija në Kinë, isha pak e mërzitur që duhej të largohesha nga shtëpia. Por, tani jam shumë e lumtur këtu. Mendoj se Shangai është i bukur dhe i sigurt. Të mësosh të shkruash shkronja kineze është shumë sfiduese, por shpërblyese”,- tha ajo.
Neth Chanranuth nga Kamboxhia përshkroi përparimin e tij pas mbërritjes. “Koha kalon dhe aftësia ime për gjuhën kineze është përmirësuar shumë. Jam përshtatur gradualisht me jetën në Kinë. Edhe pse jam shumë i zënë me studime intensive, ndihem mjaft i lumtur. Kam një klasë të shkëlqyer me mësues të aftë. Kam bërë miq të rinj dhe madje jam bashkuar me klubin e karatesë”,- tha ai.
Universiteti planifikon të botojë një koleksion të këtyre letrave nga studentët, duke përfshirë dhe disa nga përgjigjet e marra nga familjet e tyre. Zong beson se ky ribashkim përmes shkrimit ka një rëndësi të veçantë.
“Megjithëse studentët e sotëm mund të komunikojnë menjëherë me familjet e tyre në internet, ka diçka më të përhershme dhe tradicionale te letrat e shkruara me dorë që lejojnë që përvojat të regjistrohen dhe të mbahen mend”,- shpjegoi Zong, duke shtuar se familjet e studentëve janë të gatshëm të njohin mbi mënyrën e jetesës në Kinë të të dashurive të tyre.
Një shembull ishte kur një baba në Turkmenistan i shkroi vajzës së tij, Jennet Gurbangulyyeva: “Jam i sigurt për një gjë, nuk gabuam kur zgjodhëm që të studioje në Kinë. Mund të them se pritshmëria ime kryesore u realizua, je dashuruar me Kinën. Mendoj se pa këtë dashuri për Kinën, njerëzit e saj dhe kulturën e pasur, as puna e palodhur nuk do ta kishte ndihmuar vajzën time të arrinte rezultate të tilla në mësimin e gjuhës kineze në një kohë kaq të shkurtër”.
Një gjysh në Panama i shprehu pritshmëritë e tij mbesës së tij, Fu Jiawei: “Shpresojmë që të vazhdosh të mësosh më shumë për kulturën kineze ndërsa studion atje. Duke bërë këtë, jo vetëm që do ta nderosh familjen, por gjithashtu do të japësh një shembull të mirë për vëllanë dhe motrën më të vegjël”.
Për vetë studentët, shkrimi i letrave për në shtëpi rezultoi të ishte një moment i paçmuar në përqafimin e gjuhës dhe mjedisit të tyre të adoptuar.
Neth tha se gjatë telefonatave video, ai dhe familja e tij zakonisht kanë vetëm biseda të rastësishme për të kapur ngjarjet, por kur shkruan një letër të gjatë, ai vërtet mund të tregojë se sa shumë i mungojnë ata. “Meqenëse nuk kisha shkruar kurrë letra më parë, fjalët përfunduan duke qenë më të menduara dhe prekëse për familjen time”,- tha ai.
Për Fu, që ka prejardhje kineze, por ka lindur dhe ka jetuar në Panama, shkrimi i një letre në kinezisht ishte fillimisht i çuditshëm. Megjithatë, ajo mund të shihte se sa krenar ishte gjyshi i saj pasi mori letrën. “Megjithëse Kina është gjeografikisht larg vendit tim, kultura kineze ka qenë gjithmonë e pranishme në jetën time. Një arsye kryesore që erdha të studioja këtu ishte për të kuptuar më mirë Kinën e dashur të gjyshit tim dhe rrënjët stërgjyshore”,- tha ajo.
Chintu gjithashtu mendon se letrat janë një mënyrë më e veçantë komunikimi. “Pasi merret, ajo letër fizike e mbajtur në duar bëhet një kujtim i qëndrueshëm që mund të rishikohet përsëri e përsëri, duke lexuar gjithnjë fjalët e përzemërta që përmban”,- tha ajo.