Foto nga Teatri Migjeni
U mbajt në qytetin e Shkodrës, koncerti tradicional pranveror, i cili është shndërruar në një festival të mirëfilltë të këngës qytetare “Pranverë në kangë”. Shkodra gjithmonë di të bëjë gjëra të bukura dhe ky është një festival që sinjifikon ardhjen e pranverës. Në festivalin ‘Pranverë me kangë’ këtë vit morën pjesë 23 artistë, të cilët u ngjitën në teatrin “Migjeni”, për të interpretuar këngë të muzikës së lehtë shqiptare dhe të huaja. Artistët shkodranë sollën këngët më të bukura shqiptare dhe ato të huaja, duke përcjellë energjinë pranverore në "Pranverë me Kangë". Përgjatë këtij koncerti, nuk ka munguar as humori apo dhe interpretimet poetike të disa prej aktorëve të teatrit "Migjeni".
Ky koncert i përvitshëm, tashmë është kthyer në një traditë të bukur, të cilën mezi e presin artistët dhe publiku. Instrumentisti, dirigjenti, kompozitori, njëherazi dhe udhëheqësi artistik i këtij koncert Ilir Zoga, ka theksuar për mediat:
“Kjo vjen si një buqetë për spektatorin shkodran dhe jo vetëm. Është një traditë 20 vjeçare që nga viti në vit, po merr një trajtë shumë të mirë, një formë shumë të bukur me muzikën dhe me zëra të mrekullueshëm të qytetit tonë. Me zërin e bukur të këngëtarëve të rinj, por edhe me punën e palodhshme të instrumentistëve, të karrierës apo edhe djemtë të rinj që Shkodra i ka. Shkodra është burim i pashtershëm i zërave të rinj. Të rinjtë kanë nevojë për ushqim dhe ushqimi i tyre është vetëm skena. Ne e kemi për detyrë t'i promovojmë vlerat e tyre në skenën e teatrit tone”.
Laorjan Ejlli & Niki Mjeda (Foto nga facebook)
Udhëheqësi artistik Ilir Zoga me instrumentistët (Foto nga Teatri Migjeni)
-Koncerti "Pranverë me Kangë" ka një traditë 20-vjeçare. Në këtë koncert morën pjesë artistët e njohur të këtij qyteti. Udhëheqës artistik i edicionit të fundit ishte Ilir Zoga, prezantues Ketlin Pjalmi dhe Fritz Selmani. Këngëtarët pjesëmarës këtë vit, ishin Rezarta Smaja, Laorjan Ejlli, Savjana Vjerdha,Leonard Guga, Orjeta Kelaj, Ademir Fresku, Blerta Cina, Glerdit Turmetaj, Leonora Luca, Ylber Tahiri, Bruna Sata, Martina Serreqi, Niki Mjeda, Arseld Muça, Ana Bushgjoka,Ketlin Pjalmi, Ea Zoga, Irian Taraboshi, Ester Qendro, Selma Bekteshi, Sevina Kurti, Rigersa Loka e Viki Haxhi. Instrumentistët pjesëmarrës ishin Fatmir Mesi, Anton Guri,Dritan Milka, Daniel Prendi, Ermir Zoga, Erion Lishi, Rudolf Çeklijaj, Gjergj Marku. Skenografia e këtij koncerti u realizua nga Divni Gishta, inspektor skene Mikel Vuksani, fonia nga Bledi Doçi, ndriçimi nga Arben Meshnuni, teknik skene Artan Çanga dhe Marko Prendi. Në “Pranverë në kangë” morën pjesë vetëm artistë shkodranë, një ide kjo për të promovuar gjithmonë vlerat e këtij qyteti.
“Pranverë me kangë” solli shumë këngë, pasion, aktrim dhe emocione pafund nga artistët e pranishëm, si dhuratë për publikun e tyre shkodran. Këtë vit ky edicion, kishte larmi muzikore, si dhe interpretime në duete, njëjtë si pranvera që vjen me lule të shumëllojshme. Koncerti u mbyll me një kolazh këngësh të përzgjedhura me kujdes, e të interpretuara nga të gjithë artistët pjesëmarrës.
Sava Lena