Rejan Miloti është 15 vjeçari i apasionuar pas teknologjisë, i cili ka kryer kurse dhe trajnime për robotikë, aplikacione, programim, web development etj. Ai është me rezultate shumë të mira në shkollë, në momentin e zgjedhjes për të ndjekur studimet më tej fushën e teknologjisë. Së fundmi Rejan ka krijuar një website për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës. Në konkursin e zhvilluar mes shkollave, nismë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Rejan ka marrë pikët maksimale.
Rejan Miloti gjatë prezantimit të website të tij ( foto personale)
CMG: Rejan, cila është marrëdhënia që ke me gjuhën shqipe?
Rejan Miloti: Unë kam një dashuri të madhe për gjuhën shqipe, pasi është gjuha jonë amtare dhe pa të nuk kemi identitet kombëtar.
CMG: Pikërisht për gjuhën shqipe është ndërtuar nga ti një website në kohë rekord, si të lindi kjo ide ?
Rejan Miloti: Në kuadër të një konkursi të zhvilluar nga Ministria e arsimit, mbi gjuhën, mori pjesë edhe shkolla jonë. Megjithëse njoftimin për këtë konkurs e morëm shumë vonë, ne filluam nga puna. Madje edhe puna ime u krye brenda një pasditeje. Të gjithë website-n e ideova personalisht dhe brenda asaj dite.
CMG: Çfarë përmban ky website?
Rejan Miloti: Dua të theksoj fillimisht që ky website është në përmirësim e sipër sepse unë e ndërtova atë në një limit kohe shumë të shpejtë dhe pa përpunuar më tej mendimet e mia. Duke e parë aktualisht nga jashtë mendoj dhe gjykoj që ka nevojë për t’u përmirësuar apo avancuar në nivele shumë më të larta. I gjithë website ka një fokus që është nxitja e të rinjve mbi të gjitha i atyre që nuk ndodhen në Shqipëri, por që e duan shumë atdheun e tyre dhe të mësojnë përmes, lojërave, quizeve të ndryshme të përfshira këtu etj. Pasurimi i fjalorit do të vijë në forma të ndryshme, për shembull kemi shtuar inçizime me zë për të mësuar fjalët shqipe.
CMG: Cili është qëllimi parësor i juaji përmes këtij website?
Rejan Miloti i ftuar Në Studio Ejani ( foto personale)
Rejan Miloti: Ky konkurs kishte një projekt që duhet krijuar nga këto grupe, por shtysa e vërtetë është sepse fëmijët në diasporë kanë vështirësi në mësimin dhe marrjen e dijeve në shqip.
CMG: A është një portal i aksesueshëm nga të gjithë?
Rejan Miloti: Është një website që të krijon shumë komoditet për t'i gjetur sepse është menduar për grupmosha të ndryshme dhe çdo gjë është në gjuhën shqipe, gjë që të ndihmon tepër. Grupmoshat që do ta përqafojnë janë moshat e reja sepse janë shumë të apasionuar pas teknologjisë.
CMG: A do të shtoni rubrikat?
Rejan Miloti: Të gjitha rubrikat do shtohen dhe do përmirësohen sepse unë kam pasion IT dhe nuk është puna e parë që bëj në teknologji. Unë jam më tepër i apasionuar pas teknologjisë dhe kam kryer kurse të ndryshme në lidhje me robotikën, web development dhe bëra një ndërthurje ndërmjet pasionit për teknologjinë dhe letërsinë.
Intervisoi: Megi Latifi