Pse edhe Moody’s vlerëson në rritje ekonominë e Shqipërisë?
2024-04-23 11:29:34

Më 19 prill 2024, agjencia ndërkombëtare “Moody's” e vlerësimit të borxheve të vendeve dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe, e ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”.

Cilësimi i ekonomisë sonë si ekonomi “pozitive” dhe jo thjesht “e qëndrueshme”, pasqyron për agjencinë mundësinë e një skenari më të mirë fiskal, nga ajo që agjencia priste për vendin tonë.

Moody's (Foto Fax,al)

Moody’s beson tek një përmirësim i qëndrueshëm i forcës fiskale të Shqipërisë. Vlerësimi i Moody’s më 19 prill vjen vetëm katër javë, pas renditjes më të mirë që agjencia tjetër e mirënjohur botërore e vlerësimit të borxheve dhe situatës financiare të vendeve të ndryshme, “Standard & Poor’s”, na dha më 22 mars 2024. 

Atë ditë, “Standard & Poor’s” e rriti vlerësimin e saj për Shqipërinë nga nota “B+” që kishte gjashtë muaj më parë, në notën “BB-“.

Që të dyja agjencitë, si Moody’s dhe Standard & Poor’s, janë qartazi të bindura se ekonomia jonë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.

Ndërsa e para, matjen e borxhit tonë publik për vitin e kaluar, e ul akoma dhe më shumë nga rezultati qeveritar prej 59.2 përqind e prodhimit kombëtar, në 58.2 përqind, Moody’s thekson se raporti i borxhit publik ndaj prodhimit kombëtar(PBB-së) u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse që në vitin 2022.

Ky raport zeroi në vitin 2022, shtimin e borxhit përgjatë periudhës 2019-2021, ku pësuam tërmetin shkatërrimtar dhe pandeminë nga Covid-19.

Moody's pret që raporti i borxhit tonë ndaj prodhimit kombëtar të ulet në 56.3 përqind këtë vit, nga 59.2 përqind në vitin 2023.

Përtej 2024-ës, Moody's parashikon që raporti i borxhit të Shqipërisë ndaj prodhimit kombëtar do të ulet në mënyrë të qëndrueshme, në sajë të bilancit primar (të ardhura mbi shpenzime korente) sufiçit të pritshëm për këtë vit, si dhe të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në vitet që do të vijojnë.

Moody's pret po ashtu që qeveria jonë të respektojë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit të Shtetit, të cilat përfshijnë një bilanc pozitiv primar  dhe një ulje të nivelit të borxhit publik ndaj prodhimit kombëtar çdo vit të ardhshëm, derisa borxhi të arrijë nivelin jo shqetësues të 45 përqind të prodhimit kombëtar.

Agjencia është e mendimit se rënia e borxhit pritet të vijë nga reformat e vazhdueshme fiskale, përfshirë edhe strategjinë afatmesme të të ardhurave të Shtetit dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike.

Rritja ekonomike e Shqipërisë në 2024 (Foto Buletini Ekonomik)

Rritja ekonomike e Shqipërisë në 2024 (Foto Buletini Ekonomik)

Ndikimi pozitiv i këtyre reformave mund edhe të tejkalojë pritjet aktuale të vetë agjencisë, thekson Moody’s. Ajo vlerëson se përmirësimi i konsiderueshëm i bilancit të llogarisë korente(shpenzimet dhe të ardhuart e një viti) kohët e fundit, pritet të jetë strukturor, i mbështetur fuqimisht nga bumi i turizmit dhe rritja e fortë e dërgesave të emigrantëve dhe e investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

Moody’s është e opinionit se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës, mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme të Shqipërisë.

Për këto arësye, ajo parashikon një rritje reale ekonomike për ne prej 3.5 përqind për këtë vit.

Sipas gjetjeve të Moody’s, sistemi ynë bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë, ndërsa banka qendrore e vendit, Banka e Shqipërisë po bën një punë të mirë në kontrollin e inflacionit, duke përdorur me efektshmëri instrumentin e saj kryesor të normës bazë të interesit.

Agjencia gjykon se profili i kreditit të Shqipërisë(aftësia borxhpaguese e saj) do të përfitojë edhe nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme, që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Moody’s thotë se integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, ka të ngjarë që të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë së saj në periudhen afatmesme.

Vlerësimi për ekonominë (Foto Gazeta Si)

Vlerësimi për ekonominë (Foto Gazeta Si)

Ky integrim, sipas agjencisë, do të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave të qytetarëve të Shqipërisë, në raport me të ardhurat e qytetarëve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

 Moody’s shprehet e bindur se Plani i Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Komisioni Europian në nëntor 2023, me mbështetje financiare nga fondet e para-anëtarësimit IPA  të BE-së dhe të investimeve, në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor, do të mbështesë zbatimin e reformave të mëtejshme institucionale në Shqipëri.

Nga të tre agjencitë e mëdha botërore të vlerësimit të aftësisë borxhpaguese të vendeve të ndryshme, “Standard & Poor’s”, Moody’s dhe Finch Ratings, dy të parat kanë dhënë vlerësime për ekonominë tonë në këto dy dekadat e fundit dhe për këtë vit, që të dyja agjencitë e kanë rritur ndjeshëm renditjen dhe parashikimet për ekonominë e vendit tonë.

Shtimi i vlerësimit nga Moody’s vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike, në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

Nota e Moody’s, njëlloj si ajo e “Standard & Poor’s” një muaj më parë, forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit. Tani vendi do të shikohet akoma dhe më pozitivisht nga investituesit e huaj, për të rrezikuar kapitalet e tyre këtu.  

Kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, me kompani me emër që vijnë në Shqipëri, si edhe në kushte më të lehtësuara për huamarrjen e vendit në tregjet ndërkombëtare.

Vleresimi në rritje i Moody’s pritet të japë ndikim dhe në tregun tonë të brendshëm, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët. Ai ndihmon edhe politikën lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, për nxitjen e kreditimit në lekë dhe uljen e kostos së parasë.