Vitrina javore e librit
2024-04-22 11:40:45


Shkrimtari Namik Dokle ne diten e promovimit te librit, duke ndare utografe

Prezantohet libri “Vallëzim me Hënën” i shkrimtarit Namik Dokle

Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është bërë prezantimi i librit të politikanit dhe gazetarit Namik Dokle, “Vallëzim me Hënën” (Legjendat e Gorës). Kanë qenë të pranishëm politikanë, kolegë të autorit, akademikë, botues etj. Në promovimin e “Vallëzim me Hënën”, ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga aktiviteti. Libri sjell për lexuesin legjendat e Gorës, vendlindjes së autorit duke pasqyruar rilievin e ashpër dhe malor dhe njerëzit me një pasuri të madhe shpirtërore. Libri I kushtohet jetës, njerëzve, vajzave, dashurisë, ëndrrave, pasioneve, ndjenjave të holla të banorëve të saj, lidhjeve të tyre me vendlindjen. Libri vjen nga Shtëpia Botuese Toena.

Ne ceremonine promovuese te librit te Gregor Banushit- foto Facebook autori

“Simfonia e papërfunduar” e shkrimtarit Grigor Banushi botohet në bullgarisht

Shkrimtari dhe gazetari shqiptar, Grigor Banushi, prezantoi në Universitetin e Sofjes librin e tij “Simfonia e Papërfunduar” të përkthyer në gjuhën bullgare nga përkthyesja Ekaterina Tarpomanova. Në takim shkrimtari rrëfeu se ky libër tregon historinë e pianistit dhe kompozitorit Adrian Mara, i cili u largua nga atdheu dhe u vendos në Francë. Një nga personazhet e romanit, një shtetase bullgare zgjodhi të martohej me një shqiptar. Shkrimtari shtoi se ka pasur shumë gra të huaja që janë martuar me shqiptarë dhe kanë kaluar në shumë peripeci. Dëshira e shkrimtarit për të takuar publikun bullgar  daton shumë kohë më parë, që nga botimi i romanit të tij të mëparshëm “Zemërimi i Zanave” në bullgarisht  nga shtëpia botuese “Izida”.

Libri pati reagime shumë të mira nga lexuesit bullgar. Përkthimi në bullgarisht vjen pas përkthimit në italisht të romanit. Në gjuhën shqipe libri është botuar nga Shtëpia Botuese Dituria.

Shkrimtari Bashkim Hoxha publikon romanin e ri “Dëshmitarët e shkretëtirës”

Ka dalë nga shtypi romani i fundit i shkrimtarit Bashkim Hoxha “Dëshmitari i shkretëtirës”. Libri është një roman që ndërtohet nga dy narratorë qendrorë, që shkruajnë secili nga një libër, por që në thelb është i njëjti libër, por që ndryshon vetëm nga sfondi historik dhe vizual. Secila pjesë mund të lexohet më vete, pa humbur asgjë nga qendrueshmëria e tij estetike dhe lidhja e tyre është thjeshtë konvencionale. Njëri roman flet për një të ri që merret me muzikë dhe që trashëgon nga gjyshi një libër të vjetër dhe amanetin për ta lexuar. Ky libër i vjetër, flet për një udhëtim mesjetar nëpër qyetetet e Arbërisë. Ndërsa romani tjetër është romani që flet për një grup muzike që udhëton bashkë me romanin misterioz, për të dhënë një koncert në SHBA kundër terrorizmit. Bashkimi i këtyre dy realiteteve, të tashmes dhe të shkuarës, lokales dhe globales, lindjes dhe perëndimit kristalizon idenë se shkretëtirën nuk e sjell njëra apo tjetra anë, por se shkretëtira mbin aty ku njerëzit prodhojnë kushtet për ta ndërtuar atë. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Onufri.

Nga promovimi i librit te Eni Vasilit - foto COD

Libri Kadare ne studio nga Eni Vasili- foto COD

Eni Vasili sjell në COD librin me intervistat e Kadaresë

Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press, sollën për lexuesin librin me intervistat e shkrimtarit Ismail Kadare, realizuar gjatë 20 viteve nga gazetarja Eni Vasili. Raportet e Kadaresë me të shkuarën, krijimtaria para e viteve ’90 si dhe qëndrimi i tij ndaj çështjes shqiptare ishin disa nga qasjet e këtij aktiviteti. Në takim ishin të pranishëm bashkëshortja e shkrimtarit, Elena Kadare, studiues dhe miq të librit, studentë dhe kritikë letrarë etj. Libri i gazetares Eni Vasili, sjell rrëfimin e shkrimtarit të madh në 4 intervista të realizuara në kohë të ndryshme përgjatë 20 viteve.

Tre shkrimtarë shqiptarë për çmimin italian - foto QKLL

Tre shkrimtarë shqiptarë për çmimin italian

Tre shkrimtarë shqiptarë janë kandidatë për Çmimin Giuseppe Acerbi në Itali. Një ngjarje e bukur për letërsinë shqipe.

Tri romane që kanë hyrë në garë janë: "Flama" nga Tom Kuka (pseudonimi i gazetarit Enkel Demi), "Doja të isha Madame Bovari" nga Anilda Ibrahimi dhe "Piramida e Shpirtrave" nga Virgjil Muçi.

Çmimi letrar Giuseppe Acerbi është një çmim kushtuar eksploruesit, shkrimtarit, arkeologut dhe muzikantit Giuseppe Acerbi  dhe organizohet që nga viti 1993. Çdo edicion i këtij çmimi vjen si homazh i diversitetit të letërsisë kombëtare. 

Neritana Kraja