Arben Dervishi është aktor i mirënjohur shqiptar, që fillimet e para i ka pasur në teatrin e Korçës, dhe më vonë është bërë i njohur për filmat e tij, të cilët janë nga më të preferuarit filma komikë shqiptarë. Ai ka studiuar në Akademine e Arteve në Tiranë dhe ka një karrierë artistike të admirueshme, me shumë role në teatër dhe komedi. Arbeni dallohet për sensin e tij të hollë te humorit. Në një intervistë për Radio Ejani Arben Dervishi tregon për karrierën e tij artisitke në Shqipëri, integrimin me jetën amerikane si dhe projektet artistike.
CMG: Si i kujton vitet e karrierës artistike në Shqipëri?
Arben Dervishi: Janë vitet më të bukura të jetës sime. Kam punuar me njerëz dhe artistë të talentuar, kam shumë eksperienca. Teatri i Korçës ishte një nga teatrot që më priti, ku si gjithmonë ka pak luftë sepse je një i ri që nuk e ke treguar veten akoma, por duke u rritur çdo ditë fiton simpatinë e regjisorëve dhe artistëve, dhe pastaj fiton dhe spektatorin që të do dhe duartroket. Gjithashtu TVSH dhe regjisori Arian Çuliqi më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, që unë të bëhem jo thjesht një aktor i Korçës, por një aktor kombëtar dhe i pëlqyeshëm, sepse atëhere një televizion ishte, dhe në atë televizion të gjithë shikonin. Kishe mundësi të shfaqeshe në gjithë Shqipërinë. Për mua ishte një eksperiencë ku njoha edhe shumë artistë të gjithë Shqipërisë, dhe u quajtëm aktorë që po luanim dhe me kombëtaren.
CMG: Ke disa bashkëpunime në komeditë e regjisorit të njohur Arian Çuliqi. Cila nga këto komedi mbetet më e veçantë për ty si aktor?
Arben Dervishi: Të gjitha komeditë e Çuliqit janë të bukura, por “Një baba tepër” u pëlqye më shumë nga spektatori, sepse ka pasur të gjithë elementët brenda, aktrimin, karakteret, por dhe temën që ka kapur regjisori. Pastaj filmat e tjerë kanë qenë “Fjalëkryqi”, “Dashuri në krisma”, “Pesha e gruas” dhe shumë të tjerë.
CMG: Kur mendon se e ke arritur kulmin e karrierës si aktor?
Arben Dervishi: Kulmin e karrierës e kam arritur si aktor, pasi kanë kaluar shumë vite, sepse të arrish një kulm do të thotë që të kesh eksperiencat, dhe nuk arrihet kaq shpejt kulmi. Kulmin në karrierë e kam arritur mbas shumë vitesh punë dhe mbas shumë komedish që kam luajtur. Një nga komeditë ishte “Jovan Bregu refugjat”, që unë arrita një lloj kulmi sepse ishte një komedi e shkruajtur nga Adelina Balashi, por që ishte luajtur “Pallati 176” nga Roland Trebicka, ku ishte komedia më e ndjekur në gjithë atë periudhë nga spektatorët me një aktrim të përsosur të gjithë aktorëve, por dhe një regji të mrekullueshme. Mirëpo Landi nuk e pranoi pjesën e dytë të shkruar nga Adelina Balashi, dhe atëhere unë isha me karakteristika në komedi afërsisht si Landi. Kështu që më thanë që ta merrja unë atë rol. Punuam me regjisorin Guri Koço dhe shumë aktorë, dhe arritëm një shfaqje që të paktën në Korçë u dha 25 netë pa shkëputje. Pastaj shkuam në festivalin e teatrove në Teatrin Kombëtar, dhe gjithë spektatori që kishte parë “Pallati 176”, panë dhe këtë komedi ku luaja unë. Unë luaja me gjithë emocione, sepse po luaja në Teatrin Kombëtar, ku më shikonin dhe gjithë aktorët që kishin bërë “Pallati 176”.
Profesor Birçe Hasko më tha se ishte kënaqësi të më shikonte në skenë. Kulmin e kam arritur me një komedi tejtër, me regji të regjisorit më të madh që ka patur Shqipëria, Piro Mani. Ka qenë komedia “Zonjusha 36 vjet”, ku ishte një komedi e një autori shumë të madh grek, dhe kemi fitur çmime në çdo festival që kemi shkuar. Në këtë komedi e kam ndjerë që ka qenë roli më i bukur për mua.
Arben Dervishi me aktoren Zamira Kita (Facebook)
CMG: Si aktor profesionist, si e vlerësoni ecurinë e aktorëve të rinj të artit skenik këto vitet e fundit në Shqipëri?
Arben Dervishi: Unë tani kam ndjekur vetëm spektaklet televizive “Portokalli” dhe “Al Pazar”, dhe pak kam ndjekur teatrin. Ka shumë aktorë të shkëlqyer, por puna është shumë e shpejtë dhe aq arrihet të bëhet. Ka naivitet, nuk futen në thellësi, pra nuk i jepet koha për të realizuar një shfaqje të bukur, sepse çdo personazh që të piqet do kohnë e vet. Ndërsa në dramë velrësoj mikun tim Alfred Trebicka, që e kam parë në disa shfaqje të xhiruara në televizion. Mbeten përsëri aktorët e mëdhenj, që e kanë treguar veten, si profesor Viktor Zhusti në disa shfaqje ku është aktivizuar apo Zamira Kitën, që vazhdon të jetë nga aktoret më të mira në fushën e komedisë në Shqipëri. Gjithashtu shikoj mikun tim Guri Koçon, që përsëri lufton dhe reziston. Mirëpo atmosfera nuk është ajo që krijuam ne, është një atmosferë e lodhur që i mungon disiplina. Për të bërë teatër duhet të jesh korrekt në marrëdhënie me regjisorin, marrëdhënie me partnerët, në marrëdhënie me punën dhe teatrin, që të realizosh shfaqje të bukura, sepse teatri është korrektësi.
CMG: Prej vitesh jeton në SHBA. Si ka qenë integrimi juaj me jetën amerikane?
Arben Dervishi: Amerika është e lodhshme, dhe nuk ka njeri që të më thotë se Amerika nuk është e lodhshme. Atë sukses që kam këtu e kam marrë me mund dhe disiplinë, ku të gjitha këto më kanë ardhur vetëm nga disiplina që kam pasur në teatër. SHBA të do të disiplinuar në çdo gjë, në mënyrën sesi e merr dollarin dhe mënyrën sesi e prish dollarin. Është e vështirë për çdo njeri, dhe pse shqiptarët kanë dëshirë të vijnë në SHBA sepse ka atë misterin e madh, por kur vijnë në SHBA të gjithë ndjehen të trishtuar dhe thonë sesi do të jetojnë këtu. Unë ju them se duhet pritur sa të fillojnë punë dhe të shikojnë se këtu nuk ka burokracira, por çdo njeri është vetvetja, dhe të gjithë të duan këtu për punën që bën dhe asgjë tjetër.
CMG: Ke patur mundësi të merresh me art në SHBA, qoftë dhe shfaqje për komunitetin shqiptar?
Arben Dervishi: Kam dhënë shfaqje në gjithë SHBA-në, si dhe në Kanada. Ka patur momente që kam punuar 10 muaj në SHBA, dhe dy muaj kam ardhur në Shqipëri për të bërë humor në “Al Pazar” ose “Portokalli”. Kështu që nuk e kam lënë veten në asnjë moment për ta humbur atë profesion, sepse ai ka qenë profesioni më i dashur për mua, dhe asnjëherë nuk e mendoja që unë këtë profesion do ta tradhëtoja ndonjëherë. Mirëpo ja që ndodhin disa gjëra që nuk i kupton njeriu. Aktualisht po merrem me ndërtimin e një studioje Podcast, për të kënaqur komuniteti e madh shqiptar këtu në SHBA.
Arben Dervishi me Parodistet e Vlores dhe aktorin Sejfulla Myftari (Facebook)
Arben Dervishi me aktorin Petrit Malaj (Facebook)
CMG: Për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen, kur je larg saj?
Arben Dervishi: Kur je larg të merr malli për çdo gjë në Shqipëri. Të merr malli edhe për një lule të mbjellë në oborr, që kur ke ikur i ke marrë erën e fundit. Kur je larg ti kupton se çfarë ke humbur, se çfarë vend i mrekullueshëm është Shqipëria, me të gjitha të mirat, klimën, ajërin dhe njerëzit. Për Shqipërinë më merr malli për çdo gjë, dhe të gjithë shqiptarët që takoj janë të mendimit që do punojnë edhe pak, dhe do kthehen në atdhe.
CMG: Mban kontakte të përhershme me kolegët tuaj në Shqipëri?
Arben Dervishi: Mbaj shumë kontakte, ku pothuajse çdo ditë kam një telefonatë me miqtë në Shqipëri. Në ditën e ditëlindjes miku im Aleks Xhelili, një klarinetist i mrekullueshëm më merr në telefon, ku kishte mbledhur një grup kolonjarësh që kënduan këngët kolonjare për gati 10 minuta. Mbaj kontakte edhe me Zamirën, Guri Koçon, Sadush Yllin dhe Ledio Lakon e Portokallisë.
CMG: Sa të mungon publiku i Shqipërisë?
Arben Dervishi: Publiku këtu në SHBA nuk është në nivelin e publikut të Shqipërisë. Ky është publik që nxiton, ku as në shfaqje nuk rrijnë dot rehat. Publiku i Korçës më mungon tmerrësisht sepse ka një publik kaq të mrekullueshëm, ku ne u ndërtuam sipas atij publiku. Ne kuptonim kur ata qeshnin dhe reagonin. Pra e njohim kaq mirë këtë publik sa nuk na shpëtonte asgjë, sepse ne kishim piketuar që këtu do ketë një reagim, një duartrokitje. Ai ishte publii i mrekullueshëm, me një inteligjencë fantastike. Korça të do nëse ti rri brenda mentalitetit korçar, dhe nuk duhet të shkelësh kur korçarët në mendjen e tyre e kanë ndërtuar një lloj morali të qytetit të tyre, dhe ti duhet të jesh brenda atij morali. Nëse del nga ai moral, Korça nuk të do. Këtë gjë ne ja kishim kuptuar Korçës.
Intervistoi: Gazmend Agaj