Gjevalin Gjegji është këngëtar i muzikës folklorike nga qyteti i Pukës. Ai që në moshë të vogël ka mësuar të luajë në instrumentat e çiftelisë dhe sharkisë. Pasioni për muzikën popullore, dhe veçanërisht atë folklorike te Gjovalini vazhdon edhe sot. Përveç angazhimit disavjeçar me muzikën folklorike, ai ka kryer një kurs një vjeçar në Tiranë për regji teatri, për të vijuar me Institutin e Lartë të Arteve, por për arsye familjare kjo ëndërr u ndërpre në mes.
Folkloristi pukjan ka realizuar disa këngë popullore të trevës së veriut dhe së shpejti do të publikojë një tjetër këngë për artdashësit e folklorit. Në intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij me këngën popullore, ruajtjen e kësaj tradite ndër breza si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Si lindi dëshira për t’u marrë me këngën folklorike?
Gjevalin Gjergji: Unë që në moshën 6 vjeçare kam mësuar të luaj në çifteli dhe të këndoj. Babai im nuk ishte këngëtar, por i binte çiftelisë, dhe ai ma futi në gjak edhe mua këtë instrument. Gjithashtu kur ishta 7 vjeç kam mësuar të luaj në sharki, isha në klasën e pare dhe nuk i kam ndarë nga dora asnjëherë këto dy instrumenta. Pavarësisht se jeta ime mori rrjedhë tjetër, këto instrumenta i kam pasur bashkëudhëtarët e mi kudo që kam shkuar.
CMG: Luan edhe sot në çifteli e sharki?
Gjevalin Gjergji: Unë i kam të dy këto instrumenta në shtëpi dhe luaj me to. Kam sharkinë që në klasën e parë, të cilën e ruaj edhe sot. Pra kam 58 vjet që sharkinë e mbaj në shtëpi.
CMG: Përveç pasionit për folklorin, një pasion tjetër i juaji është dhe artit skenik, sepse keni studiuar për regji teatri.
Gjevalin Gjergji: Unë primare kam patur muzikën dhe folkun, por me kalimin e kohës u apasionova edhe pas teatrit. Në vitin 1982 kam shkuar në shkollën një vjeçare në qytetin e nxënësve për regji teatri. Kam bërë një vit aty dhe konkurova në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ku e fitova konkursin. Kështu që studiova një vit në Institutin e Arteve për regji, por për arsye familjare u ndërpre kjo ëndërr, dhe jeta mori plotësisht rrjedhë tjetër. Pavarësisht se nuk jam ndarë nga muzika, aktrimi mbeti një ëndërr.
CMG: Ju ka mbetur peng që nuk vazhduat studimet për aktrim?
Gjevalin Gjergji: E kam vërtetë peng sepse e kam shumë qejf, por nuk më është dhënë mundësia deri tani.
CMG: Ruani kujtime me artistë të tjerë nga kursi një vjeçar në Tiranë për regji teatri?
Gjevalin Gjergji: Kam kujtime me artistë të muzikës, por dhe të teatrit. Kam shumë kujtime të bukura me profesorin e të folurit skenik Minella Borova, që sot nuk jeton. Gjithashtu ruaj kujtime të mira me këngëtarin e njohur Kastriot Tusha, që kemi qenë bashkëudhëtarë në një shkollë, pavarësisht se ai ishte për kanto dhe unë për regji. Kur takohem me Kastriotin më pyet shpeshherë nëse unë këndoj apo jo.
CMG: Cilat janë këngët që keni realizuar dhe publikuar për artdashësit?
Gjevalin Gjergji: Kam realizuar disa këngë të shoqëruara me videoklipe. Kam bërë këngë për vendlindjen time, për Pukën si dhe mjaft këngë të tjera patriotike. Disa prej tyre nuk i kam të publikuara në YouTube, por i kam kënduar dhe vazhdoj t’i këndoj në aktivitete të ndryshme.
CMG: Cilët janë bashkëpuntorët tuaj në realizimin e këngëve?
Gjevalin Gjergji: Të gjitha këngët që kam kënduar dhe janë të miat, autor i teksit jam unë. Jam kantautor dhe muzikën e kam krijuar vetë. Ndërsa për orkestrimet e këngëve kam bashkëpunuar me Alfred Qemalën në Lezhë, i cili është një orkestrues shumë i mirë dhe profesionist.
CMG: Keni marrë pjesë në aktivitete artistike, për të performuar këngët tuaja?
Gjevalin Gjergji: Kjo është kënaqësi e veçantë që unë jam i gatshëm të sakrifikoj çdo gjë për folklorin dhe artin në përgjithësi. Nuk ndjej lodhje kurrë kur këndoj, sepse është dëshira ime më e madhe.
CMG: Nëse nuk do kishit patur këtë shkëputje të gjatë nga kënga, mendoni se do të kishit arritur më shumë në këtë fushë?
Gjevalin Gjergji: Padiskutim që po dhe kur shoh këngëtarë të tjerë të cilët janë shumë të mirë dhe kanë arritur në nivele shumë të larta, mendoj se pse unë nuk kam vazhduar më shumë.
CMG: Keni pasur bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Gjevalin Gjergji: Pavarësisht se kam pasur ftesa për bashkëpunime me të tjerë këngëtarë, deri tani nuk më është dhënë mundësia për të bërë duete, për arsye të ndryshme.
CMG: Mendoni se sot i pëlqejnë brezit të ri këngët folklorike?
Gjevalin Gjergji: Ka të rinj që e duan këngën popullore, por ka dhe nga ata që nuk e kanë dashur përpara, dhe sot e preferojnë shumë këngën popullore. Mendoj se kënga popullore është shumë e pëlqyeshme, por dhe folklori ndiqet nga të rinjtë. Uroj që folklori të ndiqet më tepër nga të rinjtë, dhe të përcillet brez pas brezi.
CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar këtë traditë të folklorit?
Gjevalin Gjergji: Fëmijët e mi kanë patur dëshirë ta ndjekin folklorin, por kanë mbaruar studimet e larta për degë të tjera dhe kanë marrë drejtim tjetër në jetë. Unë nuk kam patur mundësi që t’u fusja në gjak folklorin, pavarësisht këmbënguljes time.
CMG: Si jeni ndjerë kur keni performuar në skenë me kostumin popullor?
Gjevalin Gjergji: Nuk ka veshje që më pëlqen më tepër sesa kostumi popullor. Gjithashtu më kanë thënë shumë njerëz, që më shkon veshja popullore. Ka shumë artistë që vishen me kostum popullor, por varet sesa ju shkon kjo veshje. Unë e kam shumë qejf kostumin popullor dhe nuk dua ta heq asnjëherë nga trupi. Kam kostumin tim popullor personal në shtëpi, të cilin e vesh në koncerte apo videoklipe.
CMG: Ju i shkruani gjithmonë vetë tekstet e këngëve tuaja?
Gjevalin Gjergji: Këtë talent në të shkruar e kam nga babai im sepse ai ka qenë krijues, ngaqë me profesion ishte mësues, ka punuar rreth 50 vjet si arsimtar. Babai ka shumë tekste këngësh, por nuk i ka të publikuara. Kështu që dhe unë kam prirje për krijimtari.
CMG: Besoni se këngëtarët e rinj të tregut muzikor e këndojnë ashtu siç duhet këngën popullore?
Gjevalin Gjergji: Këngëtarët e rinj i qëndrojnë deri diku tabanit popullor, pavarësisht se ka dhe shumë devijime. Dëshiroj që mos të ketë kaq shumë devijime, por të mbahet i pastër folklori.
CMG: Luani me çifteli apo sharki në shtëpi?
Gjevalin Gjergji: Kur kemi miq apo gëzime familjare patjetër që luaj në këto instrumenta, por unë çiftelisë dhe sharkisë i bie të paktën një orë çdo ditë për qejfin tim.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Gjevalin Gjergji: Kam krijuar një këngë për dashurinë, të cilën akoma nuk e kam publikuar, por së shpejti shpresoj ta nxjerrë në tregun muzikor.
Intervistoi: Gazmend Agaj