Foto dikur dhe sot (Foto nga facebook)
Në Teatrin "Andon Zako Çajupi" në qytetin e Korçës u zhvillua një koncert muzikor nga formacioni “Lefter Furxhi”. Orkestra përbëhej nga artistët Spiro Gorani, Ardian Kadilli, Romeo Skënderasi, Elira Stave, Arian Kacimbro, Maria Furxhi, Nuçiel Doko, Erion Pirgu. Xhanluka Asabella, Gloria Nure, Franc Koruni, Lazjon Pjetri dhe Kostika Zdruli. Ky ishte koncerti i pare profesional i një formacioni mjaft të veçantë muzikor që mban emrin Lefter Furxhi. Për herë të parë artistë profesionistë e amatorë, disa prej të cilëve me aftësi ndryshe në shikim interpretuan për publikun plot emocion këngë korçare, por edhe të tjera performanca.
Bashkë me artistët në skenë ishin dhe instrumentat e të muzikantit me aftësi ndryshe në shikim Lefter Furxhi, emrin e të cilit mban ky formacion, duke dëshmuar se muzika kapërcen çdo pengesë fizike. Për mediat artisti Lazion Pjetri theksoi: “Menduam të bënim diçka, të krijonim një formacion, ku ata që kanë ato vityte, si ata që luajnë në instrumenta, apo të kënduarit, t’i bënim bashkë e të jepnim vlera për publikun”.
Ndërsa një performues me aftësi ndryshe, Arjan Kacimbro tha: “Edhe pse kisha emocione, nuk u dorëzova dhe ja dola”. Në prova kam kaluar dhe vështirësi, pasi unë drejtoj formacionin “Lefter Furxhi” dhe në prova u bllokova disa herë, por në fund ja dola”.
Ky koncert u mbaj me artistë profesionistë dhe amatorë të qytetit të Korçës, por edhe persona me aftësi të kufizuara në shikim. Kjo nismë synon mbështetjen e personave të talentuar me aftësi ndryshe në shikim,si dhe vazhdimësinë e këtij formacioni.
Foto nga koncerti formacioni Lefter Fuxhi (Foto nga facebook)
Formacioni Lefter Furxhi në skenë (Foto RTSH)
-Formacioni Lefter Furxhi është ngritur rreth 3 muaj më pare me synimin për të shfaqur vlerat e personave me aftësi ndryshe në shikim. Ka qenë një dëshirë e kahershme që të gjithë këta persona të bashkohen në një grup muzikor për të kënduar dhe interpretuar bashkë, ku të shpalosin aftësitë dhe vlerat e tyre artistike. Ata realizuan një koncert më datë 27 mars në Teatrin e Fëmijëve në Korçë dhe pas atij suksesi, u realizua së fundi një tjetër koncert në muajin prill në Teatrin “Andon Zako Çajupi”.
Kush është Lefter Furxhi?
Një djalë i ri i cili ka humbur shikimin në moshën 27 vjeçare dhe iu përkushtua muzikës. Ai ngriti disa grupe muzikore, me individë me aftësi ndryshe në shikim, i trajnoi ata për të mësuar vegla të ndryshme muzikore, si mandolina, kitara, fizarmonikë dhe piano.
Në vitin 1957 Lefteri krijoi grupin orkestral me fëmijë me aftësi ndryshe të shikimit, i pari grup në Shqipëri i këtij lloji i quajtur “Mandolinata”. Pjesë e grupit ishin fëmijë me aftësi ndryshe të shikimit si dhe nga Shtëpia e fëmijës. Lefter Furxhi ka krijuar edhe grupe muzikore në Kombinatin e Maliqit. Ndonëse me aftësi ndryshe të shikimit, Lefter Furxhi u ka dhënë dritë njerëzve me muzikën dhe shpirtin e tij. Duke punuar me këta individë, ai ka nxitur ata që ishin në të njejtat kushte me të, për të vënë në dukje talentin dhe vlerat e tyre artistike.
Sava Lena