Kompanitë kineze dhe gjermane rrisin bashkëpunimin në fusha të reja
2024-04-19 16:30:48

Foto nga CFP

Foto nga CFP

“Volkswagen Group China” kohët e fundit njoftoi se do të investojë 2.5 miliardë euro (rreth 2.67 miliardë dollarë amerikanë) në zgjerimin e qendrës së saj të inovacionit në Hefei, kryeqendra e provincës Anhui të Kinës lindore, për të rritur ritmin e saj të inovacionit në Kinë.

Investimi do të përdoret gjithashtu për të përshpejtuar prodhimin e dy automjeteve inteligjente elektrike të markës “Volkswagen”, të cilat aktualisht janë në zhvillim të përbashkët me prodhuesin kinez “XPENG”.

Ky veprim shënon një tjetër investim thelbësor nga prodhuesi gjerman i automjeteve, i cili gjatë katër dekadave të fundit ka ngritur 39 fabrika në Kinë dhe ka punësuar mbi 90,000 individë.

 Përveç peshave të rënda tradicionale kineze të automjeteve, si “FAW Group” dhe “SAIC”, “Volkswagen” ka nxitur gjithashtu partneritete të forta me ndërmarrje të reja të njohura, si “XPENG”, “Gotion High-tech” dhe “Horizon Robotics”, veçanërisht në fusha si bateritë e automjeteve me energji të re (NEV) dhe drejtimi autonom.

Si të dyja fuqi prodhuese, Kina dhe Gjermania po përforcojnë bashkëpunimin në sektorët në zhvillim, duke përfshirë automjetet me energji të re, transformimin e gjelbër dhe inteligjencën artificiale.

Sipas Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike, investimet direkte nga Gjermania në Kinë arritën një rekord prej 11.9 miliardë euro në vitin 2023, një rritje prej 4.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Vlera përbënte mbi 10 për qind të totalit të investimit të Gjermanisë jashtë shtetit, niveli më i lartë që nga viti 2014.

Furnizuesi gjerman i pjesëve të makinave “Continental AG” filloi ndërtimin e bazës së tij të parë të prodhimit të gomave në pronësi të plotë në Kinë në vitin 2009. Me kalimin e viteve, ai ka zgjeruar investimet në Hefei dhe ka intensifikuar përpjekjet e kërkimit dhe zhvillimit në gomat e automjeteve me energji të re.

"Zhvillimi i industrisë së automjeteve me energji të re ka nxitur rritjen e sipërmarrjeve dhe ka paraqitur kërkesa të reja për produktet e gomave, të cilat për ne nuk janë vetëm njësfidë, por edhe një mundësi",- tha Zhou Yuan, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i “Continental Tire Hefei”.

Në vitin 2022, kompania furnizoi 1.8 milionë goma për automjete me energji të re dhe kjo shifër u rrit në 2.9 milionë në vitin 2023, duke treguar një rritje të konsiderueshme, shtoi ai. Ndërsa kompanitë gjermane zgjerojnë investimet e tyre në Kinë, një numër në rritje i ndërmarrjeve kineze po shfrytëzojnë mundësi të reja në Gjermani, duke forcuar bashkëpunimet teknologjike me partnerët vendas.

Një listë rekrutimi nga kompania udhëheqëse kineze e energjisë së rinovueshme “Sungrow Power Supply Co., Ltd.” shfaqi një gamë të larmishme pozicionesh, në ruajtjen e energjisë, financa dhe marketing në Mynih, Gjermani.

"Selia e “Sungrow” në rajonin europian është në Mynih. Pas vitesh zhvillimi, biznesi i “Sungrow” këtu vazhdon të zgjerohet",- tha Moritz Rolf, nënkryetar i “Sungrow Europe”.

Sipas Rolf, ata kryesisht ofrojnë inverter fotovoltaikë, sisteme të ruajtjes së energjisë dhe produkte për projekte lokale rezidenciale, komerciale dhe fotovoltaike tokësore në shkallë të gjerë, duke kontribuar në transformimin e energjisë së gjelbër në Gjermani dhe Europë.

"Mbi 90 për qind e punonjësve tanë në Europë janë të punësuar vendas",- tha Rolf, duke shtuar se “Sungrow Europe” ka një ekip profesional prej mbi 500 punonjësish, me stafin lokal europian që luan role jetike në fusha të ndryshme biznesi.

Teknologjia e lartë, industritë në zhvillim dhe ato të gjelbra janë bërë në mënyrë të ngjashme pika qendrore për investimet kineze në Gjermani. Në prill të këtij viti, NIO, një nga prodhuesit e automjeteve elektrike në Kinë, lançoi zyrtarisht qendrën e vet europiane të teknologjisë inteligjente të drejtimit në Gjermani.

"NIO ka krijuar marrëveshje kornizë bashkëpunimi strategjik me tre furnizues kryesorë gjermanë të komponentëve të automobilave në fusha të tilla si zhvillimi i teknologjisë, furnizimi i produkteve dhe drejtimi autonom", - tha Zhang Hui, nënkryetar i “NIO Europe”.

Një bashkëpunim i tillë ndërkombëtar mund të frymëzojë zhvillimin inovativ të industrisë globale të automobilave, tha Zhang, duke shtuar se ai gjithashtu demonstron potencialin e madh të bashkëpunimit kino-gjerman në promovimin e përmirësimit industrial dhe inovacionit teknologjik. Ekspertët besojnë se Kina dhe Gjermania zotërojnë avantazhe të ndryshme dhe qëllime të përbashkëta në disa fusha, duke përfshirë automjetet me energji të re dhe zhvillimin e gjelbër, të cilat do të vendosin një themel të fortë për bashkëpunimin e ardhshëm kino-gjerman dhe do t'i lejojnë të dyja palët të ndajnë frytet e bashkëpunimit.