Foto nga VCG
Sezoni pranveror i rekrutimit është në lulëzim të plotë dhe inteligjenca artificiale po i ndihmon të rinjtë që kërkojnë punë të përmirësojnë shanset e tyre për të siguruar punësim duke optimizuar CV-të e tyre dhe duke i trajnuar ata me ndihmën e intervistave simuluese. Shumë universitete dhe platforma rekrutimi kanë vënë në dispozicion teknologjinë e inteligjencës artificiale për të ndihmuar aplikantët e rinj.
“Të shkruash rezyme është e vështirë”, - tha Wang Bing, një 26-vjeçar nga Shangai, i cili do të përfundojë studimet pasuniversitare në qershor. "Ka shumë modele të gatshme të disponueshme në internet, por është e vështirë të zgjedhësh më të përshtatshmen. Unë kam shumë përvojë vullnetare dhe praktike, por nuk di si t'i tregoj pikat e mia të forta".
Ai tha se bashkëmoshatarët e tij kanë përdorur shërbime me pagesë në internet për të lustruar CV-të e tyre, por rezultatet nuk kanë qenë të qëndrueshme.
"Unë dhe shoku im në tetor përdorëm një shërbim me pagesë që kushtonte 100 deri në 500 juanë (14 deri në 69 dollarë). Ai mori tre oferta duke përdorur rezymenë e optimizuar, por unë nuk mora asnjë. Është e vërtetë që performanca akademike e mikut tim është më mirë se e imja. Kështu që po mendoj të provoj shërbime të ndihmuara nga inteligjenca artificiale për të përmirësuar rezymenë time dhe për intervista simuluese dhe shpresoj se do të funksionojë.
Kolegji Financiar Zhejiang në Hangzhou, provincën Zhejiang është ndër adoptuesit e hershëm të teknologjisë së inteligjencës artificiale. Sipas një tutoriali në llogarinë “WeChat” të kolegjit, studentët mund të marrin një rezyme të standardizuar pasi të regjistrohen dhe ngarkojnë informacionin e tyre në faqen e internetit të kolegjit. Ata gjithashtu mund të kenë akses në intervista me njerëz virtualë dhe të marrin sugjerime pas përfundimit të intervistave.
Foto nga VCG
Li Qiang, nënkryetar i portalit të rekrutimit “Zhaopin” tha se përdorimi i inteligjencës artificiale mund t'i ndihmojë aplikantët të gjejnë punë të përshtatshme pasi të dhënat analizohen në një mënyrë të standardizuar dhe të saktë.
Ai tha se teknologjia e të dhënave të mëdha mund të heqë informacionin e tepërt në një rezyme dhe algoritmet përmirësojnë normat e përputhjes. Ai tha se mbi 400,000 të rinj punëkërkues kanë përdorur shërbimet e inteligjencës artificiale që kur “Zhaopin” i prezantoi ato në janar.
E përshkruar si "marsi i artë dhe prilli i argjendtë" në kinezisht, pranvera konsiderohet koha më e mirë në gjysmën e parë të vitit për të kërkuar punë në Kinë. Tregu i punës ka dëshmuar një rimëkëmbje me hapjen e vendeve të lira të punës në sektorë të tillë si shërbimet, energjia e re dhe prodhimi i nivelit të lartë.
Sipas një raporti të fundit nga “Zhaopin”, punëdhënësit kërkuan talente me njohuri të logjistikës, menaxhimit të hoteleve, kërkimit të energjisë së re dhe prodhimit modern në tre muajt e parë të vitit, falë rritjes së konsumit të lidhur me shërbimin.
“Zhaopin” tha se vendet e lira të punës në platformë në tremujorin e parë për talentet logjistike panë rritjen më të lartë prej 30.4 për qind në bazë vjetore. Vendet e lira të punës në sektorin e hotelerisë u rritën me 24.7 për qind, ndjekur nga transporti me 16.9 për qind.
“Ka ende presion të madh në tregun e punës për shkak të rritjes së numrit të të diplomuarve, rreth 11.79 milionë këtë vit”,- tha Li. "Për çdo vend të lirë pune janë paraqitur mesatarisht 28 rezyme këtë sezon, ndërsa numri ishte 23 gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi i nivelit të lartë, energjia e re dhe biomjekësia janë sektorë premtues, por ka konkurrencë të fortë".
Ai shtoi se përmirësimi i ekonomisë dhe politikat e nxitjes së punësimit kanë dhënë rezultate pozitive, të cilat do të ndihmojnë në mbajtjen e tregut të qëndrueshëm të punës.
Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore tha se deri në fund të muajit të kaluar janë organizuar mbi 36,000 panaire pune në mbarë vendin, me mbi 29 milionë vende pune të disponueshme.