Sa i ndihmon Garancia Shtetërore eksportuesit?
2024-04-19 11:10:20

Buxheti 2024 (Foto Sot)

Buxheti 2024 (Foto Sot)

Instrumenti i garancisë shtetërore u mundëson bizneseve të industrisë përpunuese mbështetje financiare përmes kreditimit me kushte lehtësuese, në funksion të realizimit të investimeve për automatizimin e mëtejshëm të linjave të prodhimit dhe kalimin në ciklin e plotë të produkteve “Made in Albania”, si edhe të disponimit të likuiditetit për blerjen e lëndës së parë.

Vlera e Garancisë prej 4 miliardë lekë mbulon deri në masën 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, me një marzh jo më shumë se 1.5% mbi normën bazë. Afati i shlyerjes parashikohet deri në 7 vite për kreditë për investim dhe deri në 3 vite për kreditë për blerje të lëndës së parë.

Instrumenti i Garancisë Shtetërore do të zbatohet përmes marrëveshjeve, të cilat do të lidhen me 11 bankat tregtare që operojnë në sistemin tonë bankar, ku bizneset e sektorit të industrisë përpunuese do të kenë mundësi deri në fund të muajit tetor 2024, të aplikojnë pranë tyre për kredi me kushte lehtësuese, ndërsa deri në fund të këtij viti është caktuar afati përfundimtar për lidhjen e kontratave të kredisë.

Garancia Shtetërore dhe mbështetja financiare për bizneset e këtij sektori synon mbështetjen në drejtim të përmirësimit dhe përditësimit të proceseve teknologjike, si edhe të rritjes së nivelit të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së këtyre bizneseve.  Eksperti Eduart Gjokutaj komenton efektet e garancisë shtetërore te eksportuesit

 

 

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

CMG: Më datën 9 prill 2024, qeveria miratoi me një Vendim të Këshillit të Ministrave, detajet e Garancisë Sovrane prej 4 miliardë lekë, të parashikuar në Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2024. Qeveria merr përsipër të mbulojë 70 përqind të kredisë së butë. Është mbulim i mjaftueshëm, sipas jush, apo duhej të kishte mbuluar të gjithë riskun e kredisë sovrane?

     

Eduard Gjokutaj: Garancitë shtetërore, pra garancitë sovrane, për nga natyra e tyre, janë instrumente të politikës së qeverisë, e cila, pasi e vlerësoi situatën e tregut, por sidomos të atij sektori që ka më shumë nevojë, vendosi të ndihmonte me këtë instrument.

Ndihma do të vijë, si për sektorin privat, edhe atë publik të eksporteve. Kuptohet që qeveria, me këtë garanci, ndihmon mbulimin e shpenzimeve për prodhim, ato më të domosdoshmet, si dhe për zhvillimin e ndërmarrjeve prodhuese të sektorit, ku përfshihen dhe investimet për rinovimin e makinerive.

Në këtë kuadër, me sa duket, qeveria e shikon dhe e pranon se kategoria e prodhuesve të konfeksioneve, industrisë së veshjeve dhe këpucëve për eksport, por edhe të sektorit të përpunimit të lëndëve të para bujqësore, janë më të domosdoshmit dhe të nevojshmit për t’u ndihmuar, në morinë e të gjitha bizneseve, të cilat, në vetvete, kanë probleme të tilla të mungesës së likuiditeve.

Këto mangësi mund të jenë mbartur edhe nga problemet e viteve të kaluara, sidomos gjatë periudhës së pandemisë nga Covid-19.

Mendoj se kur fuqia e mbulimit nga shteti të garancisë 100 përqind do të ishte versioni më i mirë. Mirëpo, në kushtet kur ky mbulim i plotë nuk është i mundur dhe i arritshëm, si dhe kur kemi një risk, i cili duhet të ndahet mes qeverisë dhe bizneseve niveli i mbulimit 70 përqind është i pranueshëm.

Vetë bizneset prodhuese dhe eksportuese kanë kërkuar të ndajnë risqet e tyre me shtetin, me qeverinë. Megjithëse këto kërkesa, kjo ndarje përgjegjësish dhe riqesh nuk është bërë deri tani.

Kuptohet që qeveria ka marrë tashmë risqet e saj përsipër. Gjykoj se kjo është bërë në mënyrë të pjesshme, pasi problemet e sektorit janë thelluar edhe më tej në të dyja vitet e fundit, për shkak të ekspozimit nga goditja e vlerës së ulur të euros në tregun tonë.    

 

 

Shpenzimet buxhetore (Foto Revista Monitor)

Shpenzimet buxhetore (Foto Revista Monitor)

CMG: Ndërkohë, Ministria e Financave ka publikuar dhe detajet e kësaj garancie sovrane. Si i e gjykoni marzhin e kredisë së butë të saj, jo më shumë se 1.5 përqind mbi normën bazë të interesit?

 

Eduard Gjokutaj: Kuptohet, po thamë kredi e butë, është më mirë se sa ajo që mund të merret në tregun e lirë.

Megjithatë, e gjitha kjo, këto kushte të livrimit të kësaj huaje, duhen parë në historikun e garancive të mëparshme shtetërore dhe se sa kanë ndihmuar ato në mungesat dhe nevojat e sipërmarrjeve publike e private, por sidomos atyre private, në vitet e fundit.

Mund të themi se, kundrejt risqeve që këto lloj kredish ekspozojnë në realitetin tonë, përfitimi ka qenë i kufizuar.

Edhe termat, kushtet, të cilat janë për t’u plotësuar nga bizneset, kanë problematika të ndryshme, të cilat në fakt, mund ta pengojnë procesin. Për shembull, një nga kërkesat është mospasja nga ana e sipërmarrjes përfituese të kredisë së butë, të detyrimeve të trashëguara tatimore.

Në momentin që një biznesi i thua që ti mund ta marrësh kredinë e butë, por nuk duhet të kesh detyrime të mëparshme tatimore, natyrshëm që i ke thënë se ti je pak përfitues, pasi numri i sipërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese me detyrime tatimore është i madh.

Disa kritere të tjera po ashtu janë përjashtuese më shumë nga ç’duhet dhe këtë vetë përfaqësuesit e sektorit, të shoqatave të sektorit, e kanë shprehur. Kanë thënë se këto kritere nuk përputhen me plotësimin e nevojave të tyre imediate për likuiditet, ndryshim të strukturës prodhuese, rinovim të makinerive, etj.

Pra, bizneset eksportuese, në një pjesë të tyre, tashmë nuk diskutojnë më pjesën se sa do të investojnë dhe si do të investojnë, por sa do të mund të qëndrojnë në treg. Humbjet që kanë pësuar dhe detyrimet për të ulur kapacitete prodhuese i kushtëzojnë të presin ditë më të mira, për të investuar në zgjerim kapacitetesh.   

 

   

Ministri i Financave (Foto Gazeta Dita)

Ministri i Financave (Foto Gazeta Dita)

CMG: Afatet e shlyerjes së kredisë me Garanci Sovrane janë deri në 7 vjet për investime dhe deri në 3 vite për lëndë të parë. A ndihmojnë ato realisht, sidomos bizneset me cikël të mbyllur?

 

Eduard Gjokutaj: Besoj se jo të gjitha bizneset janë në këtë linjë, pra, për të realizuar proceset me cikël të mbyllur dhe me daljen në produktin “Made in Albania”.

Ajo çfarë duhet të ndodhte me marrëdhëniet që këto biznese duan të vendosin në mënyrë të qëndrueshme me qeverinë, do të ishte që qeveria të bënte më së pari një analizë të plotë të fizibilitetit, të leverdisshmërisë së sektorit, duke filluar edhe me evidentimin e stimujve që do të përdoren.

Këto mund të jenë të natyrave të ndryshme, si stimujt rregullatorë, stimujt monetarë, stimujt fiskalë dhe stimujt e tregut, të cilat plotësojnë të gjithë atë kuadër që ka nevojë një biznes.

Në këtë mënyrë adresohen përfundimisht edhe problemet e mbartura ndër vite, duke kontribuar në uljen e kostove, të cilat përgjithësisht ndikojnë në këtë drejtim, por edhe ndikojnë në pozicionimin më të mirë të kompanive, në lidhje me tregun e ardhshëm.

Do të thosha që vetë qeveria duhet të shprehet tashmë, se cilët sektorë duhet të jënë prioritarë, pasi brenda vetë sektorit të ndërmarrjeve prodhuese për eksport, ka prioritete të para, të dyta dhe të treta.

Nga ana tjetër, qeveria duhet të shprehet se si do t’i adresojë problemet e këtyre sektorëve. Nëpërmjet studimit që kemi bërë, ne si Altax jemi shprehur nëse duhet vendosur për një Agjenci të mirëfilltë të Promovimit të Eksporteve, apo të kreditimit të eksporteve.

Ne kete mes, garancia shtetërore është një instrument ndihme, por ajo e vetme nuk mjafton dhe nuk i zgjidh të gjitha problemet madhore që po kalojnë ndërmarrjet eksportuese sot në Shqipëri.    

 

Intervistoi Fatos Çoçoli