Kina hedh poshtë pretendimin e ShBA-së për “kurthin e borxhit”
2024-04-19 20:58:43

Një zëdhënës i Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim të Kinës  (CIDCA) hodhi të enjten poshtë pretendimin e ShBA-së për “kurthin e borxhit”, duke thënë se asnjë vend partner nuk thotë se Kina e ka futur në një "kurth borxhi". Ai shtoi se një pjesë të madhe të borxhit vendet në zhvillim ua kanë kreditorëve komercialë dhe institucioneve financiare shumëpalëshe të mbizotëruara nga Perëndimi.

"Kina i kushton rëndësi të madhe çështjes së borxhit me të cilën përballen vendet në zhvillim. Kemi ndjekur parimin e konsultimeve në baza të barabarta dhe bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë për t’i ndihmuar vendet në zhvillim të lehtësojnë barrën e tyre të borxhit dhe të rritin ekonomitë e tyre në mënyrë të qëndrueshme," u shpreh zëdhënësi i CIDCA-s Li Ming në një deklaratë të postuar në uebsajtin e kësaj agjencie. Sipas tij, "asnjë vend nuk ka rënë në vështirësi borxhi për shkak të bashkëpunimit me Kinën dhe asnjë partner nuk beson se Kina e ka futur në një kurth borxhi".

Komentet pasuan pretendimin e zyrtarëve amerikanë gjatë një seance dëgjimore të fundit në Kongres se ndihma kineze ka çuar në një "kurth borxhi" dhe se projekti “Qytet i Sigurt” shpërfill të drejtat e njeriut dhe nxit korrupsionin.

"Akuzat e ShBA-së janë të pabaza," tha Li, duke shtuar që, ndërsa ofron kredi me kushte të favorshme, Kina i përmbahet parimit që vendet marrëse parashtrojnë kërkesa dhe pajtohen me kushtet.

Duke vënë në dukje se kreditë dhe projektet bashkëpunuese të Kinës i kanë ndihmuar vendet partnere të përmirësojnë rritjen e tyre ekonomike, zëdhënësi citoi një raport nga Banka Botërore, i cili tregon se zbatimi i plotë i nismës kineze “Një brez, një rrugë” mund ta rrisë tregtinë midis vendeve e rajoneve pjesëmarrëse me 4.1 për qind dhe t’i shtojë të ardhurat reale globale me 0.7 deri në 2.9 për qind. Deri në vitin 2030, kjo nismë do të krijojë të ardhura biznesi prej 1.6 trilionë dollarësh në mbarë botën çdo vit, tregojnë të dhënat.

Një pjesë e hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung, Indonezi, 28 qershor 2023. /CFP

E vërteta është se disa kreditorë komercialë dhe institucione financiare shumëpalëshe të mbizotëruara nga Perëndimi, që trumbetojnë akuzën e "kurthit kinez të borxhit", kanë dhënë një pjesë të madhe të borxhit që kanë vendet në zhvillim dhe përfaqësojnë një burim të madh stresi për sa i përket shlyerjes së borxhit. Ata duhet të japin kontribute reale për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së borxhit të vendeve në zhvillim, tha zëdhënësi.

Ai shtoi se Kina ka krijuar një sistem mbikëqyrjeje dhe vlerësimi për programet e ndihmës së huaj dhe punë të tilla si mbikëqyrja, vlerësimi e antikorrupsioni kalojnë nëpër mbarë procesin e ndihmës jashtë shtetit.