Komedia “Një milionë euro për dashni” tur nëpër Shqipëri dhe jashtë saj
2024-04-18 11:42:11

Foto nga instagrami

Foto nga instagrami

“1 milion euro për dashni', një komedi që i dedikohet dashurisë mes Lizës dhe Fabios, dy tipa të ndryshëm por që dashurohen. Vepër e autorit italian Giuseppe Della Miseriocordia komedia u shfaq premierë në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe gjatë kësaj jave edhe në qytetin e Durrësit. Pas një gabimi bankar, Liza dhe Fabio takohen dhe mes tyre  lindin shkëndijat e para të dashurisë. Komedia është një refleksion i thellë për shoqërinë që rend mbas pasurisë. “1 milion euro për dashni” vjen me regji nga Xheni Demi, në interpretimin aktorëve protagonistë Neritan Liçaj dhe Ketjona Pecnikaj.

Liza është një vajzë që bën çdo lloj pune për të mbijetuar, por ka edhe një jetë private të çrregullt. Ajo  nuk e ka të qartë se çfarë  do  deri në momentin kur  takon Fabion. Fabio, i interpretuar nga  Neritan Liçaj në rolin e bankierit,  ka hedhur gabimisht 1 milionë euro në llogarinë bankare të Lizës. Atij i duhet të takojë Lizën për t’i rimarë paratë. Të dy personazhet janë të pakënaqur me jetët e tyre, me jetën shoqërore, vajza me pasiguritë e saj, ndërsa djali me sigurinë e tepruar. Kjo gjë i bën që ata që të arratisen të dy nga kjo gjendje e mërzitshme. Komedia ka një mesazh mjaft të bukur, sepse është dashuria ajo që i bashkon të dy.

Neritan Liçaj dhe Ketjona Pecnikaj (Foto nga instagrami)

Neritan Liçaj dhe Ketjona Pecnikaj (Foto nga instagrami)

Komedia “1 milionë euro për dashni” e fton publikun e teatrit, në një botë të thellë refleksioni për realitetin e sotëm.

Aktori Neritan Liçaj ka theksuar rreth shfaqjes: “Ajo çfarë transmeton shfaqja është dashuria, ajo çfarë i bashkon njerëzit në një ëndërr të tyre, që nuk i kanë realizuar deri në jetën konkrete. Personazhi që luaj unë është një punonjës banke dhe një vajzë, e cila nuk është e realizuar në jetën e saj. Ata kanë dëshirën për të ndërtuar një jetë të ndryshme nga realja që kanë, e që nuk u pëlqen më. Kjo gjë  i bën të dashurohen shumë me njëri-tjetrin”. 

Valbona Ostreni (Foto CMG)

Valbona Ostreni (Foto CMG)

Ndërsa as.regjisore Valbona Ostreni u shpreh për Radio Ejani:

Valbona Ostreni: Komedia “1 milionë euro për dashni” është shfaqja që i është servirur publikut së  fundi. Është një komedi shumë aktuale. Kohët e fundit komeditë e kanë tejkaluar pak banalitetin, ndërsa për këtë mund t’ju them se është një komedi pa asnjë fjalë banale.

CMG: Si është pritur kjo komedi në Tiranë dhe në Durrës?

Valbona Ostreni: Është pritur jashtëzakonisht shumë mirë nga publiku, i cili ishte shumë i ngrohtë si në Tiranë dhe në Durrës. Jo se jam pjesë e kastit, por është një komedi shumë  e mirë që duhet parë. Aktorët kanë bërë një super lojë, Xheni Demi është një vajzë artiste me plot kuptimin e fjalës. Është një vajzë sa këmbëngulëse në gjënë që ajo do të dalë në konceptin e saj, por edhe aq edhe komode për aktorët.

CMG: Përveç Tiranës dhe Durrësit, a do vijojë të shfaqet edhe në qytete të tjera të vendit komedia “1 milion euro për dashni”?

Valbona Ostreni: Sigurisht që kemi dëshirë shumë të madhe që të vazhdojmë shëtitjen e shfaqjes, por nuk mund të themi se sa shfaqje do japim. Besoj se përveç Shqipërisë do i kalojmë edhe kufijtë. Kemi shumë dëshirë ta çojmë shfaqjen në Tuz dhe besojmë se shumë shpejt do të bëhet, në Kosovë, në Mal të Zi, etj.

CMG: Faleminderit dhe suksese!

Valbona Ostreni: Faleminderit! Ju ftoj të ndiqni artin e teatrit dhe kinemasë, të muzikës sepse është ilaçi më i mirë i shpirtit.

Foto nga instagrami

- Komedia “1 milion euro për dashni” me autor Giuseppe Della Misercordia, e me përkthim nga Emanuela Dymishi, ka bërë bashkë në skenë aktorin e mirënjohur Neritan Liçaj dhe aktoren e re Ketjona Pecnikajn. Producent i shfaqjes është Shpëtim Ahmetaj, as.regjisore Valbona Ostreni, skenograf Adi Shehu. Shfaqja pas premierës në Tiranë, u vu në skenë gjatë kësaj jave në qytetin e Durrësit, në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Shfaqja do vazhdojë rrugëtimin  nëpër qytete të ndryshme të vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Mal të Zi, etj.

Intervistoi: Sava Lena

Foto nga xhirimet e promos Foto nga instagrami)

Foto nga xhirimet e promos Foto nga instagrami)


Intervistoi: Sava Lena