Foto nga CFP
Duke komentuar për deklaratën e tre vendeve, ShBA-Japoni-Filipine, për problemin e Detit të Kinës Jugore, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian theksoi se asnjë paketë nuk mund ta ndryshojë thelbin e problemit të Detit të Kinës Jugore dhe asnjë mjet politik i maskuar si ligj nuk mund të ndalojë vendosmërinë dhe vullnetin e fortë të Kinës për mbrojtjen e sovranitetit territorial dhe të interesave detare të veta.
Në samitin 3-palësh ShBA-Japoni-Filipine të zhvilluar pak ditë më parë, u bë një deklaratë ku shprehet shqetësimi për veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe i bëhet thirrje Kinës të zbatojë vendimin e Arbitrazhit për Detin e Kinës Jugore të vitit 2016.
Lidhur me këtë, zëdhënësi Lin Jian u shpreh se Kina kundërshton me vendosmëri çdo veprim që acaron mosmarrëveshjet dhe dëmton sigurinë strategjike e interesat e vendeve të tjera. Pala kineze nuk i pranon dënimin e paarsyeshëm dhe shpifjet ndaj Kinës për sa i përket problemit të Detit të Kinës Jugore.
"Vendimi i Arbitrazhit për Detin e Kinës Jugore është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Ky vendim dëmton interesat e vendeve të rajonit, duke përfshirë Filipinet, dhe Kina do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e veta të ligjshme sipas ligjit vendas e ligjit ndërkombëtar," tha Lin Jian. (Fani)