Nga varfëria në filantropi, një rrugëtim frymëzues
2024-04-18 14:44:25


Foto nga China Daily

Edhe pse Chen Yuliang nuk ishte i pasur, ai ka vendosur të dhurojë 1 milion juanë (138.237 dollarë) për Fondacionin e Zhvillimit të Rinisë në Guangxi për të mbështetur të rinjtë e varfër me pamundësi ekonomike të ndjekin ëndrrat e tyre shkencore. Ky donacion u bë më 13 mars në Nanning, në rajonin autonom Guangxi Zhuang të Kinës jugore. Filantropi 37-vjeçar planifikon të kontribuojë me 100.000 juanë në vit për 10 vjet.

Chen, aktualisht zëvendësdekan i Shkollës së Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturore në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Guangxi, lindi në një familje rurale në qytetin Guigang, Guangxi.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, ai përfundoi doktoraturën me ndihmën e bursës “Project Hope”.

“Qëkur mora bursën, jam zotuar ta kthej atë në të ardhmen”,- tha Chen.

Gjatë kohës kur ishte student, babai i Chen u sëmur nga spondiliatroza dhe nuk mundi të punonte. Familja mbështetej te puna e nënës së tij për të përballuar jetesën, derisa edhe ajo u sëmur.

Në vitin 2010, Chen u pranua në një program diplomimi në Universitetin Hunan në provincën Hunan të Kinës qendrore, por për shkak të problemeve financiare, ai u transferua në Universitetin Guangxi, ku mori një asistencë. “Edhe me këtë ndihmë, mezi më kishin mbetur 100 juanë pasi mbulova shpenzimet e akomodimit”,- kujton Chen.

Për më tepër, me vëllain e tij të vogël gjithashtu në universitet dhe që kërkonte ndihmë financiare, Chen mori përgjegjësinë për të mbështetur veten gjatë ndjekjes së studimeve. Gjatë studimeve të tij pasuniversitare, përveç ndjekjes së leksioneve, Chen ka punuar edhe si mësues me kohë të pjesshme në kolegjet profesionale. Në vitin 2013, me performancën më të lartë akademike në fushën e tij, Chen fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e doktoraturës në Universitetin Guangxi. Megjithatë, ai u përball me një situatë sfiduese financiare që e bëri të hezitonte të vazhdonte ecurinë e tij akademike. Ai ndihej i përçarë mes fitimit të parave për të trajtuar sëmundjet e prindërve të tij dhe realizimit të ëndrrave të tij.

Pasi mësoi për situatën e tij, sekretari i Komitetit të Lidhjes Rinore të universitetit e informoi atë se ai mund të aplikonte për një bursë nga Fondacioni i Zhvillimit të Rinisë Guangxi. Me performancën e tij të jashtëzakonshme akademike, aftësitë mbresëlënëse kërkimore dhe vështirësitë financiare të familjes së tij, Chen kaloi procesin rigoroz të përzgjedhjes dhe mori një bursë prej 20.000 juanë.

“I vura detyrë vetes që të punoja dyfish më shumë dhe të ndaja progresin tim me “Project Hope” në të ardhmen”,- tha ai.

Su Yu, sekretari i përgjithshëm i Fondacionit për Zhvillimin e Rinisë Guangxi, u prek nga zelli i Chen. “Nga të gjithë njerëzit që njoh, ai fle më pak. Ai shpesh u përgjigjet mesazheve të mia në orën 03:00 dhe e ke zgjuar në orën 06:00, duke filluar kërkimin e tij për ditën”,- tha Su.

Pak para Vitit të Ri Kinez 2024, Chen dhe gruaja e tij vendosën të dhuronin 100.000 juanë nga çmimi i tij vjetor i performancës kërkimore shkencore për Fondacionin e Zhvillimit të Rinisë Guangxi. Pas marrjes së donacionit, fondacioni sugjeroi që Chen t’i përdorte fondet për të përmirësuar shkrim-leximin shkencor të të rinjve në Guangxi.

“Kam vënë re se edukimi shkencor ka munguar gjithmonë në zonat rurale. Në të ardhmen, hendeku digjital dhe njohës midis fëmijëve në zonat rurale dhe urbane ka të ngjarë të zgjerohet”,- shpjegoi Chen. Sipas tij, fondet do të ndahen për organizimin e aktiviteteve shkencore në rajonet e varfra, veçanërisht për fëmijët e prindërve që shkojnë në zonat urbane në kërkim të mundësive për punësim.

Qysh prej vitit 2010, Chen ka ofruar mbështetje për 38 studentë të pafavorizuar ekonomikisht.

Liu Zhihua, një nga studentet e diplomuara që kishte Chen si mentor, gjithashtu vinte nga një familje me vështirësi ekonomike. Chen vuri re Liun ndërsa ushqehej ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj. Liu i tha se vëllai i saj më i vogël ishte ende në shkollë dhe nëna e saj, e cila ishte burimi i vetëm i të ardhurave në shtëpi, tashmë s’punonte më se ishte sëmurur.

“Pasi e kuptoi situatën time, Chen më tha se grupi hulumtues kishte rregulluar që unë të angazhohesha më shumë në shkollë, duke fituar 400 juanë në muaj. Përveç kësaj, me publikimin e punimeve, do të merrja shpërblime kërkimore. Falë kësaj mbështetjeje, ia dola ta kaloja atë moment të vështirë”,- tha Liu.

Ndihma e Chen nuk i rëndon mendërisht studentët. Në vend të kësaj, ajo u ofron atyre mbështetje dinjitoze financiare përmes punës. Megjithatë, dhurimi e vë në pozita të vëshitira Chen. “Kam kredi për të paguar për shtëpinë, nevojiten para për trajtimin mjekësor të prindërve të mi dhe bashkëshortja ime është duke ndjekur doktoraturën. Por mbështetja nga drejtuesit e shkollës, kolegët e mi, studentët dhe mirëkuptimi i gruas sime më qetësoi ndërsa përmbusha angazhimin tim social”,- tha ai.

Chen shpreson se duke dhënë një shembull të tillë, ai mund të frymëzojë më shumë biznese, organizata dhe individë për t'iu bashkuar nismave sociale, duke bashkuar kështu burimet për rritjen dhe suksesin e të rinjve.