Foto nga CFP
Kohët e fundit, ShBA-ja dhe BE-ja e kritikuan Kinën për të ashtuquajturin "mbikapacitet" të automjeteve elektrike e të baterive me energji diellore dhe u shprehën se do të marrin masa për trajtimin e këtij problemi.
Lidhur me këtë, të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian theksoi në një konferencë për shtypin se i ashtuquajturi "ndikim i mbikapacitetit të Kinës në tregun botëror" është një pohim i rremë. Marrja e masave të proteksionizmit tregtar me pretekstin e "mbikapacitetit" nuk do t'u sjellë atyre që e bëjnë një gjë të tillë përfitime, por përkundrazi, do të shkatërrojë qëndrueshmërinë e lirshmërinë e zinxhirëve prodhues e furnizues, duke penguar transformimin e gjelbër të ekonomisë globale dhe zhvillimin e sektorëve të rinj.
Zëdhënësi vuri në dukje që, në sfondin e globalizimit ekonomik, duhet të trajtohet problemi i "mbikapacitetit" sipas parimeve të ekonomisë së tregut.
"Kina e krijoi epërsinë në industrinë e energjive të reja me përpjekjet e veta dhe forcën e vet konkurruese në treg e jo me subvencionet e qeverisë. Produktet me cilësi të mirë të industrisë së energjive të reja të Kinës do të japin kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e gjelbër global," tha Lin Jian.