Piktori Nazmi Hoxha dhe kuratorja Eridana Çano- foto COD
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri është hapur ekspozita personale e Nazmi Hoxhës.
Ai është një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar që jeton prej vitesh në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjeshtri i madh i kompozimeve, peizazheve, nudove dhe portreteve, sjell për herë të parë në COD pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti.
Ajo është e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it dhe synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.
Foto nga promovimi i ekspozites- foto ATSH
“Ideja ka qenë për një bashkëpunim me kryeministrin, është mik i vjetër, koleg, piktor. Kështu, ai e ndezi shkëndinë, se unë pikturat i kisha në papafingo. Përzgjedhjen e bëri Eridana Çano, kuratorja e ekspozitës. Një vuajtje e madhe për të përzgjedhur nga mbi 500 piktura që unë ruaja në papafingo”, thotë artisti Nazmi Hoxha.
Veprat e ekspozuara ndahet në disa cikle si “Eden”, “Tako Artistin”, “Central Park” apo “Blinds”. Janë pjesë e një koleksioni prej qindra veprash që ai ruan në papafingon e shtëpisë, që shndërrohet njëherazi në studion e muzeumin personal të artistit.
Poster i ekspozites - foto COD
Kuratorja Çano , njëkohësisht drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, tha se “arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm. I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje”.
“Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit”, tha Çano.
Pamje nga ekspozita- foto COD
Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pas studimeve të larta për pikturë në Tiranë, ai punoi si mësues vizatimi në vendlindjen e tij. Pas vitit 1990 kalon në krijimtari të lirë, e më pas në disa pozicione pune përfshirë drejtimin e “Filmit Artistik e Dokumentar”. Është fitues i disa çmimeve të rëndësishme në artin pamor dhe ka çelur disa ekspozita në të dy kohët, disa prej tyre në Galerinë Kombëtare të Artit dhe Muzeun Historik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 10 maj.
Sipas piktorit është një ide që kjo ekspozitë të lëvizë në katër qytetet e mëdha: në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ai thotë se edukimi I njerëzve përmes artit është shumë i rëndësishëm dhe është pasuria më e madhe që artisti mund t’u japë atyre.
Neritana Kraja