Radioteleskopi sferik me hapje prej 500 metrash i Kinës (FAST), radioteleskopi më i madh në botë me një pjatë, ka identifikuar më shumë se 900 pulsarë të rinj, që nga fillimi i tij në 2016, tha operatori i tij të mërkurën.
Han Jinlin, një shkencëtar i Observatorit Kombëtar Astronomik, nën Akademinë Kineze të Shkencave (NAOC), tha se gjatë 50 viteve të fundit, që nga zbulimi i pulsarit të parë, më pak se 3000 pulsarë u zbuluan në mbarë botën. Numri i pulsarëve të rinj të zbuluar nga FAST, është më shumë se trefishi i numrit të përgjithshëm të pulsarëve të gjetur nga teleskopët e huaj, gjatë së njëjtës periudhë.
Vëzhgimi i pulsarit është një detyrë e rëndësishme për FAST, i cili mund të përdoret për të konfirmuar ekzistencën e rrezatimit gravitacional dhe vrimave të zeza, si dhe për të ndihmuar në gjetjen e përgjigjeve për shumë pyetje të tjera kryesore në fizikë.
E vendosur në një strukturë karstike të thellë e të rrumbullakët në Guizhou të Kinës jugperëndimore, FAST filloi funksionimin zyrtar në janar 2020. Ai konsiderohet të jetë radioteleskopi më i ndjeshëm në botë.