Një kompani prodhimi ekranesh LED në Shenzhen të Kinës Jugore, po fut në funksionim të plotë të gjitha linjat e montimit, për të plotësuar kërkesat e klientëve amerikanë, britanikë dhe gjermanë.
Foto:VCG
Z.Zhao Yang është Zv/President i kompanisë “Absen” në Shenzhen.
“Kemi 18 kompani në përmasa botërore, duke krijuar një rrjet bashkëpunimi me gati 6000 partnerë, në më shumë se 140 vende të botës”, tha z.Zhao.
Vitet e fundit, krahas zhvillimit të vrullshëm të sektorit të AIGC-it, makinave të lidhura me internetin etj., është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe eksporti i pajisjeve audiovizive, ekraneve LED të prodhuara në Kinë.
Të dhënat statistikore tregojnë se në dy muajt e parë të vitit, Kina eksportoi 2.22 trilionë juanë (mbi 303 miliardë dollarë amerikanë) mallra, shifër kjo 11.8% më e lartë se vitin e kaluar, duke zënë gati 60% e të vlerës të përgjithshme të eksportit.
Sipas kryeekonomistit të Kompanisë së Bonove të Thesarit EverBright Securities, Gao Ruidong, që prej fillimit të vitit, sektori industrial, eksporti dhe konsumi kanë shfaqur prirje rigjallërimi në Kinë.
Të dhënat doganore tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, vëllimi i përgjithshëm i import-eksporteve të mallrave të Kinës, kaloi për herë të parë 10 trilionë juanë, 5% më shumë se vitin e kaluar, duke shënjuar një shpejtësi të re në gjashtë tremujorët e fundit.
Porti i qytetit Yantai, provincë Shandong, Kinë Lindore(Foto:VCG)
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Byroja Kombëtare e Statistikave, PBB-ja e Kinës u zgjerua me 5.3% në tremujorin e parë të 2024, duke arritur në 29.63 trilion juanë (4.17 trilion dollarë). Këto vërtetojnë se në tre muajt e parë të vitit, ekonomia kineze ka shkuar drejt përmirësimit, duke ruajtur rigjallërim të qëndrueshëm.
Z.Zhu Haibin është kryeekonomist për tregun kinez i Bankës Amerikane të Investimeve JP Morgan Chase.
Sipas tij, performanca jashtë parashikimeve e ekonomisë kineze, vjen kryesisht nga manifaktura. Kjo ka të bëjë me investimet e reja në teknologjinë e lartë dhe nxitjen e rinovimit të pajisjeve për prodhim tradicional.
Ditët e fundit, kompania gjermane Krones nënshkroi një marrëveshje me Zonën e Zhvillimit Industrial të Teknologjisë së Lartë, në Taicang të provincës Jiangsu, për shtimin e një investimi prej 200 milionë eurosh, në ndërtimin e një linje të re prodhimi të integruar, për mbushjen dhe ambalazhimin. Ky është investimi më i madh që Krones ka bërë deri tani, pas futjes në Kinë 20 vjet më parë.
Christoph Klenk është Kryetari Bordit të Menaxhimit dhe Kryeekzekutivi i Krones.
“Sigurisht që Kina është shumë e rëndësishme për zhvillimin e biznesit tonë. Është tregu ynë më i madh. Shohim mundësinë e rritjes së mëtejshme, në një treg me përmasë sa Kina. Pa dyshim është një treg në rritje të shpejtë, gjë që ka shumë rëndësi për ne”.
Sipas raportit të publikuar nga Kearney, kompania e njohur botërore e konsulencës mbi treguesit e besimit të investimeve direkte të huaja në vitin 2024 (FDICI), Kina u ngjit nga vendi i shtatë në të tretin, duke u radhitur e para ndër tregjet e reja.
Një fabrikë e prodhimit të makinave në qytetin Nanchang, provincë Jiangxi(Foto:VCG)
Ndërsa, të dhënat statistikore nga Instituti për Studime Ekonomike i Gjermanisë tregojnë se vitin e shkuar, investimet direkte gjermane në Kinë, arritën një rekord prej 11.9 miliardë eurosh në vitin 2023, gjë që konfirmon qëndrimin optimist të investitorëve gjermanë për ekonominë kineze.
Lidhur me këtë, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Gjerman të Tregtisë në Kinë, Maximilian Butek, vuri në dukje se “Besimi mund të matet lehtësisht me investime, apo jo? Jo vetëm të dhënat e investimeve që vijnë nga Gjermania, tregojnë se ka patur një rritje të tyre në Kinë, por mbi 50% e kompanive të intervistuara thonë se do të investojnë akoma më shumë.”
Vicentiu Gheorghe, President Nderi i Shoqatës “ChinaRo” u shpreh se, besimi i investitorëve të huaj buron nga qëndrueshmëria dhe zhvillimi cilësor i ekonomisë kineze, përmasat e tregut, sistemi i përsosur industrial, burimet e mira njerëzore dhe mjedisi i nivelit të parë të biznesit. “Kina tani po i përkushtohet nxitjes së modernizimit kinez. Po përshpejton krijimin e forcës së re prodhuese cilësore në bazë të risive, duke u ofruar investitorëve brenda e jashtë vendit, mundësi pafund tregu dhe perspektivë të gjerë zhvillimi”. (Zhang Yan/Elona)