Arnold Broqi, artisti i ri që frymëzohet nga piktorët e famshëm botërorë
2024-04-17 17:43:22

Arnold Broqi është një i piktor i ri dhe i talentuar nga Malësia e Madhe. Ai ka kryer studimet për pikturë në Liceun Artistik “Prenk Jakova” të Shkodrës, dhe aktualisht vazhdon studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë. Pasioni për të pikturuar për Arnoldin ka nisur që kur ishte në shkollën 9-vjeçare, ku shfaqi talentin e tij për artet pamore. Paralelisht me studimet në Tiranë ai punon si grafik dizajner, një punë që i krijon të ardhura financiare për të investuar më shumë tek piktura. Punimet e tij në pikturë i ka ekspozuar në ekspozita të organizuara në Tiranë, dhe janë pëlqyer nga artdashësit. Në një intervistë për Radio Ejani Arnold Broqi tregon sesi lindi pasioni për pikturën, sakrificat e familjes për të investuar tek ai si dhe synimet për të ardhmen.

Arnold Broqi (Foto personale)

Arnold Broqi (Foto personale)

CMG: Si lindi pasioni për pikturën?

Arnold Broqi: Unë vij nga zona e Malësisë së Madhe  dhe atje nuk vihet re shumë arti. Që në moshën 11 vjeçare kisha talent për vizatim. Gjithçka nisi nga një vizatim që bëra në shkollë  dhe  mësuesët u thane prindërve se unë mund të isha një talent i pazbuluar, ndaj  familja duhet të investonte tek unë, sepse në të ardhmen mund të ishte diçka e mirë për mua. Kështu fillova të merresha me piktura, vizatime dhe skica. Pasi mbarova shkollën 9-vjeçare, familja më dërgoi në liceun artistik “Prenk Jakova” në Shkodër.

CMG: Rrugëtimi juaj profesional nisi me studimet e para për pikturë në lice?

Arnold Broqi: Pikërisht në Liceun artistik të Shkodrës nisa të ushtrohem profesionalisht. Aty mora leksione të pikturës, duke mësuar teknikat, historinë e artit, për të ditur se kush isha dhe çfarë do arrija më vonë.

CMG: Sa e rëndësishme është për një student të pikturës, që të njohë dhe historinë e artit shqiptar dhe botëror?

Arnold Broqi: Historia e artit është shumë e rëndësishme, ku çdo artist duhet të jetë i informuar sesi ka lindur dhe është zhvilluar arti në vendin e tij. Në rastin tim që jam student në pikturë, ne mësojmë në universistet nga historia e piktorëve të njohur si Pikaso, Leonardo da Vinci, Vincent Van Gogh e të tjerë. Është shumë e rëndësishme të dimë sesi kanë arritur piktorët, artistët para teje në vendin tënd, dhe sesi ata kanë sjellë frymën e re të artit.

CMG: Kush të ka mbështetur më shumë profesionalisht në Liceun artistik të Shkodrës?

Arnold Broqi: Unë kam patur fatin më të madh që të kem për profesor tek Liceu artisti i Shkodrës, Umberto Palin, të cilin e falenderoj shumë bashkë me familjen time. Në lice kam qenë një djalë i vogël dhe shumë i lëvizshëm, siç janë të gjithë adoleshentët që në fillim nuk i pëlqen shkolla, por duan të dalin. Erdha nga Malësia e Madhe në Shkodër dhe isha shumë i lëvizshëm, por profesori më ka mbajtur afër, dhe duke parë talentin tim, ai ka investuar shumë tek unë, duke më dhënë ato njohuri që ai kishte për pikturën. Kështu që familja në radhë të parë dhe profesor Umberto është i dyti që më ka bërë ky që jam sot.

CMG: Aktualisht vijon studimet e larta për pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Arnold Broqi: Unë aktualisht jam student në Universitetin e Arteve në Tiranë, sepse profesor Umberto më ka bindur se jam dikushi. Unë jam i aftë dhe i veçantë në këtë që bëj, dhe ky vetëbesim e mban shumë ecjen përpara. Pavarësisht se në vendin tonë nuk investojnë shumë tek arti, vetëbesimi që më ka dhënë profesori më ka bërë të eci shumë përpara. Kam hapur disa ekspozita dhe duhet të eksperimentoj shumë me veten.

CMG: Cilat kanë qenë ekspozitat tuaja të deritanishme në pikturë?

Arnold Broqi: Ekspozitën time të parë e kam bërë në Universitetin e Arteve në Tiranë, një ekspozitë e organizuar nga vetë shkolla. Kjo ka qenë arritja ime e parë, ku kam arritur te shes një pikturë. Nuk është shitja thelbësore, por kur dikush vjen dhe blen pikturën tënde ndjehesh shumë i vlerësuar, pavarësisht se të tjerët nuk e ndjejnë këtë gjë siç e ndjemë ne. Në këtë ekspozitë kam ekspozuar një punim të bërë në gjimnaz, dhe pikërisht ajo pikturë është blerë nga ambasadori i Anglisë në Shqipëri. Aty mora shumë iniciativë, dhe gjëja e parë që bëra kam takuar profesorin tim, i cili erdhi më takoi, duke më shtyrë që të marr pjesë edhe në ekspozita të tjera.

Arnold Broqi ne interviste per CMG

Arnold Broqi ne interviste per CMG

Ekspozita tjetër ka qenë “Identitet”, ku organizatorë ishim unë bashkë me dy miqtë e mi. Kjo ekspozitë kishte lidhje me historinë e Shqipërisë, ku mblodhëm disa artistë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kanë qenë rreth 15 artistë që morën pjesë në këtë ekspozitë, e organizuar tek Liceu artistik i Tiranës. Kjo ekspozitë na ka lënë shumë mbresa të gjithëve, sepse shkoi shumë mirë, dhe ambasadori i Anglisë na tha që ta riorganizonim edhe njëherë po të njëjtën ekspozitë tek ambasada angleze në Tiranë.

CMG: Si e sheh të ardhmen tënde në këtë fushë, që nga pasion tashmë është kthyer në profesion?

Arnold Broqi: Në një intervistë timen jam shprehur se synimi im në jetë është që një pikturë e imja të zëvendësojë Mona Lizën, të cilën ne e njohim si pikturën më të famshme në botë. Dua t’i vendos vetes këtë synim, por që për të arritur atje duhet të punoj dhe sakrifikoj shumë, duhen shumë eksperimente, punime dhe ekspozita. Gjithashtu duhet të shëtis shumë që të shoh, të marr sa më shumë eksperiencë dhe të arrij synimet e mia.

CMG: Cili është stili që të frymëzon më tepër si piktor?

Arnold Broqi: Unë kam testuar shumë me veten, sepse doja të dija se ku qëndroja më shumë ose ku unë punoj më mirë. Puna duhet të bëhet me qejf, që të dali ashtu siç dëshiron. Pas shumë testimeve që kam bërë, kam qëndruar tek post-impresionizmi sepse unë ndjek piktorin e famshëm Vincent van Gogh, jam fokusuar tek stili i tij me ngyrat potente. jam shumë i zjarrtë tek pjesa e ngjyrave, ku e nxjerr shumë në pah ngjyrën. Unë dua të jap harmoni me ngjyrën që transmetoj në telajo.

CMG: Për sa kohë e mbaron një pikturë?

Arnold Broqi: Normal që çdo gjë ndryshon, sepse unë jam impresionist dhe kurrë nuk e di sesa do të zgjasë një pikturë. Mona Liza ka zgjatur 14 vjet si pikturë. Mund të realizoj një portret që zgjat në kohë 2 deri 20 vite, por mund ta përfundoj dhe për dy orë, sepse kurrë nuk e di sesi mund të dalë një pikturë. Piktura mund të dalë shumë më e bukur sesa ti e mendon për vetëm dy orë punë. Kam piktura që më kanë shkuar tetë muaj, një vit e gjysmë, por kam dhe piktura që i kam realizuar për 40 minuta, që ndoshta më kënaq më shumë sesa një pikturë që kërkon tetë muaj punë.

Piktori Arnold Broqi (Foto personale)

Piktori Arnold Broqi (Foto personale)

CMG: Përveç pikturës a ke pasione të tjera në jetë?

Arnold Broqi: Përveç pikturës unë investoj shumë tek sporti. Futbolli është një pasion tjetër i imi. Aktualisht punoj dhe si grafik dizajner, ku qëndroj prapë tek arti. Jam prapë tek pjesa e krijimtarisë dhe imagjinatës, e krijimit artistik. Unë sërish qëndroj tek harmonia, posterat me ngjyra ose shumë gjëra të tjera që sot keni mundësi t’i krijojmë. Kjo më jep edhe mundësi monetare që të investoj tek vetja, dhe nga kjo punë arrij të investoj tek puna ime që është piktura. Kështu që bëj një punë që është e të  njëjtit profesion dhe që unë e dua.

CMG: Sa të ka mbështetur familja në rrugën e artit?

Arnold Broqi: Unë vij nga një zonë shumë e largët dhe për të ardhur në Tiranë është investuar shumë, sakrifikuar shumë, sepse nuk vij nga një familje e pasur. Kanë sakrifikuar dy-tre persona të familjes për mua, mami, babai, vëllezërit dhe motra. Vëllai im ka punuar në ndërtim që në moshën 16 vjeçare dhe ai ka patur ëndrrat e tij, por nuk ka patur mundësi që dikush të investonte për të. Ai ka investuar shumë tek unë, më ka ndihmuar shumë bashkë me babain. Mendoj se mos të më ndihmonin ata, unë nuk do isha sot këtu ku jam. Dëshiroj t’i shpreh një mirënjohje të madhe gjithë familjes sime.

CMG: Ke menduar të largohesh nga vendi pasi të kryesh studimet e larta, apo të pëlqen të investosh në Shqipëri?

Arnold Broqi: Unë nuk kam synim të largohem nga Shqipëria, por kam dëshirë vetëm të vizitoj vende të tjera. Dua të shoh sesi pikturojnë në Angli, si janë artistët në Francë apo në Itali, dhe sesi është bota. Artisti duhet të frymëzohet, por kurrë nuk e kam menduar të largohem nga vendi. Normal që gjithkush synon për një jetë më të mirë, por do bëj sakrifica në këtë vend, dhe do testoj me sa mundësi kam. Jemi një vend në zhvillim dhe pse mos të zhvilloj edhe unë diçka të re, pse mos të jem dhe unë iniciativa e dikujt për të bërë diçka të re. Duhet të investojmë këtu sepse mund të arrijmë.

Arnold Broqi duke pikturuar (Foto personale)

Arnold Broqi duke pikturuar (Foto personale)

CMG: Je i kënaqur me arritjet profesionale të deritanishme?

Arnold Broqi: Unë vetë nuk jam i kënaqur, dhe pse të afërmit më komplimentojnë për arritjet e mia. Dua të falenderoj njerëzit që më kanë qëndruar afër, si familja ime, profesorët dhe shoqëria. Jam i kënaqur që nuk jam në rrugë të gabuar, por kam shumë për të mësuar dhe arritur, dhe do mundohem që kur të jem i kënaqur të jem seriozisht i kënaqur si unë ashtu dhe familja ime.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Arnold Broqi: Përshëndes shumë familjen time dhe profesorin tim në Shkodër Umberto Palin. Gjithashtu përshëndes të gjithë ata që më rrethojnë dhe më japin gjithmonë kurajo për të ecur përpara. Falenderime për Radio Ejani, që realizon intervista me të rinjtë, për t’u dhënë një iniciativë që ata të ecin përpara dhe të zhvillohen.

Intervistoi: Gazmend Agaj