Turizmi, pritshmëri të larta për ndikimin në rritjen ekonomike
2024-04-17 11:41:02

Rritja ekonomike (Foto Abc news)

Rritja ekonomike (Foto Abc news)

Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e katërt të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 3,80 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2022. Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2023, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3,44% krahasuar me vitin 2022. Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht vlerësohet me rritje prej 0,79%”, bën të ditur INSTAT.

Eksperti Ferjolt Onuzi analizon situatën dhe efektin në xhepat e qytetarëve. Ai  thotë se shifrat janë pozitive dhe japin sinjale për një rritje të qëndrueshmë për vitet në vijim.

“Shifra në vetvete është vijueshmëri e asaj që ka ndodhur vitin e kaluar, flasim për një vazhdimësi në këtë rritje dhe kjo është një avantazh për atë se çfarë presin në afatin e afërt apo të mesëm. Por për sa i përket faktit se a është ndjerë apo jo në xhepat e qytetarëve, kjo lë pak vend faktikisht dhe fatkeqësisht, sepse rritja në vetvete menjëherë nuk e jep efektin në xhepin e qytetarëve. Pra kur është për të harxhuar e ndjejmë shumë më shpejt sesa për të rritur të ardhurat tona apo për të përfituar nga kjo rritje ekonomike. Nëse vazhdojmë me këtë trend, atëherë mund të themi një vit që vazhdojmë rritjen, ndoshta dhe për arsye inercie, pra duhet parë nga analizat që do të kryhen dhe në fund të këtij viti, në fillim të vitit të ardhshëm por në tërësinë e vet jemi në hapat e parë për një rritje të qëndrueshme të paktën edhe për një dhjetëvjeçar.”

Parashikimi vjen duke marrë parasysh edhe goditjet e njëpasnjëshme gjatë 3 viteve të fundit.

“Patjetër duhen marrë në konsideratë ato sepse inflacioni është ai që ndikon menjëherë në xhepat e qytetarëve, inflacion ky artificial apo dhe i natyrshëm për shkak të luftërave dhe krizave të ndryshme, por për sa i përket xhepit është pak më e vështirë për t’u ndjerë rritja sesa shpenzimet në tërësinë e vet.”

Sipas INSTAT kontribut pozitiv në rritjen e ekonomisë dhanë degët: ndërtimi me 1,28 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 1,01%; aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me 0.66 %; aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0,58 %; arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,46%; informacioni dhe komunikacioni me 0,28 %, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 0,15 %; tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me 0,07 %.

Në intervistën për Abc News eksperti Onuzi thotë se edhe në vijim nuk pritet ndonjë ndryshim i shpërndarjes së degëve që japin kontribut në ekonomi. Turizmi do të jetë lokomotivë e rëndësishme.

Ferjolt Onuzi (Foto Gazeta Fala)

Ferjolt Onuzi (Foto Gazeta Fala)

“Nuk presim ndonjë ndryshim shumë të madh nga viti i kaluar për sa i përket shpërndarjes në ekonomi, dhe në shtyllat ato që do të mbajnë praktikisht gjithë peshën e ekonomisë. Ne vazhdojmë me ndërtimin, qofshin këto në infrastrukturë, që janë disa kantiere të hapura, ku në vetvete edhe ato janë shpenzime që dalin nga xhepat e qeverisë, nga buxheti i qeverisë që shkojnë direkt në ekonomi. Por kemi edhe investime që po kryhen në infrastrukturë banimi, apo ndërtesa multifunksionale, por nuk duhet të harrojmë edhe turizmin që kemi sivjet kemi një fluks të investimeve në industrinë turistike për sa i përket ndërtimeve. Presim finalizimin dhe jemi në mes të disa ndërtimeve që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në industrinë turistike. Kjo ndoshta nuk do të ndjehet menjëherë sivjet në avantazhet që do të sjellë turizmi si rezultat i këtyre investimeve, por është një e ardhme e afërt që do të fillojë të reflektohet. Normalisht turizmi është epiqendra dhe trendi i viteve të fundit në Shqipëri që  po pompon, para nga paratë që nuk ekzistonin më parë. Turizmi, duke marrë parasysh që të ardhurat janë kryesisht nga turistë të huaj, dhe paratë që  ishin jashtë Shqipërisë tashmë po hyjnë në Shqipëri dhe avantazhi që kemi ndryshe nga vitet e tjera është hapësira mes shqiptarëve që shpenzojnë jashtë dhe turistëve të huaj që shpenzojnë në Shqipëri. Kemi një balancë shumë herë më pozitive nga ato çfarë prisnim vitet e kaluara dhe sivjet ndoshta do të kemi një balancë edhe më të madhe duke marrë rritjen.”

Bumi turistik i vitit 2023 është shoqëruar me rritje të fortë të ardhurash nga sektori i turizmit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vjet të huajt kanë shpenzuar në vend 4.1 miliardë euro, ose rreth 1.3 miliardë euro më shumë se në 2022. Këto fitime do të ishin edhe më të larta nëse sektori do të ishte i formalizuar, pasi vjet 4500 struktura akomoduese ushtruan aktivitetin në paligjshmëri. Eksperti flet edhe për pritshmëritë gjatë këtij viti.

“E para, duhet të themi që shifra prej 4.1 miliardë euro, ndoshta në realitet në tregun real është dhe më e madhe. Duke marrë parasysh mënyrën sesi funksionon tregu, dhe kemi treg gri që është funksional dhe para në vetvete kanë hyrë ne ekonominë shqiptare dhe këto janë para që qytetarët e Shqipërisë i ndiejnë menjëherë. Nëse do të marrim atë që ka parashikuar qeveria për të dhënë në atë çfarë po tregon tregu në 3 mujorin e parë, të këtij viti, shpresa është që ne të kalojmë 5 miliardë këtë vit, por kjo shpresë do të variojë shumë dhe nga fakti se si do të menaxhohet e gjithë industria turistike brenda vendit tonë. Duke marrë në konsideratë faktin që ne po sulmojmë fort tregun elitar me më pak turistë, por që të harxhojnë më shumë brenda vendit tonë, unë do të isha shumë  i kënaqur nëse do të mbanim po 10 milionëshin që u diskutua me të njëjtën mënyrë matje. 10 milion e turistëve që u diskutua për vitin e shkuar, por me një vlerë financiare të shpenzuar të turistëve të kalojë tek 5 miliardë euro.”

E rëndësishme është të thithim turistë elitarë dhe cilësorë.

Turizmi(Foto Ekonomia online)

Turizmi(Foto Ekonomia online)

“Ne jemi mësuar tashmë me turizmin masiv, por nuk mund të mbajmë dot ritmin e turizmit masiv për shumë arsye. E para, nga mënyra sesi i kemi ndërtuar strukturat akomoduese që mbajnë barrën më të madhe të industrisë turistike, nga mënyra sesi është e gjithë infrastruktura rrugore ku ne ishim dëshmitarë vetë që në rrugët e Shqipërisë në periudhën e fluksit të korrikut dhe gushtit ishte shumë e vështirë për të qarkulluar në çdo aks. Kjo gjë ndoshta sivjet duhet të fillojë që të zbresë pak me qëllim që infrastruktura dhe mjedisi në Shqipëri të mos ketë ngarkesën e madhe, por këta turistë të kenë dëshirën të vijnë dhe ne të shesim më shumë paketat turistike shqiptare për të arritur në një vlerë më të kënaqshme. Kur ky raport do të fillojë të zbresë në numër individësh dhe të rritet në numër të ardhurash, atëherë do të arrijmë të themi që kemi realisht një turizëm elitar. Ndoshta pak më vonë, por do kemi një turizëm, i cili tashmë e ka vendosur Shqipërinë në hartën reale të turizmit të vërtetë, ai që vjen për të bërë turizëm dhe shpenzon për këtë aktivitet.”

Sipas INSTAT, rritje ka pësuar edhe konsumi me 1.55 %, i cili u nxit nga turizmi, ndërkohë që vlerësimet e institucioneve financiare parashikojnë që rritja ekonomike do të jetë rreth kësaj shifre edhe përgjatë vitit 2024.