Java Globale e Parasë dhe Shqipëria
2024-04-16 09:57:46

Java globale e parasë (Foto Gazeta Infokus)

Java globale e parasë (Foto Gazeta Infokus)

Java Globale e Parasë është një aktivitet mbarëbotëror i parasë. Ajo ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marë vendime financiare të mirëmenduara.

Të gjitha shoqatat e bankave, ministri të ndryshme dhe partnerë të shumtë në mbarë globin, organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë fëmijët dhe të rinjtë, për t’i mësuar se si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht, si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre, nëpërmjet një kulture të pasur financiare.

Më 12 prill 2024, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në kuadër të  Javës Globale të Parasë, organizoi aktivitetin me temë "Si t'i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare", me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrit të Financave Ervin Mete dhe Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërise, Eduard Shalsi, si dhe me praninë e shumë të rinjve nga shkollat e kryeqytetit.

Java Globale e Parasë ka në fokus ndërgjegjësimin e të rinjve që nga moshat më të hershme, që të marrin dijet, aftësitë dhe sjelljet e nevojshme, për të marrë vendime të zgjuara financiare për të arritur mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare ne jeten e tyre.

Për këtë arësye, qeveria ka vendosur në kurrikulën shkollore në shkollat nëntëvjeçare, të mesme dhe të larta module mësimi si “Ekonomi për Sukses”, “Financat Personale”, “Debatojmë për Ekonominë” dhe plot nisma të tjera mësimdhënieje.

Edukimi financiar i të rinjve është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe të Bankës së Shqipërisë, bankës sonë qendrore. Të dyja këto struktura po punojnë të ndihmojnë në zhvillimin e një kulture financiare të fortë dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Të rinjtë duhet te informohen më shumë se si të qasen pozitivisht ndaj parasë, kursimeve me fokus investimet dhe mënyrat efikase për një planifikim të sigurt financiar në të ardhmen, per njohuritë mbi mikrokreditë dhe kreditë e buta, si mundësi që mund të ndihmojnë të rinjtë në momente të caktuara të jetës, kur ata do të marrin vendime të rëndësishme.

Ministrja Muzhaqi (Foto Report tv)

Ministrja Muzhaqi (Foto Report tv)

Sot, të gjitha bankat qendrore moderne i kushtojnë vëmendje dhe burime të veçanta edukimit financiar dhe ekonomik të publikut. Kjo dukuri është intensifikuar dhe ka marrë një formë të plotë, në mënyrë të veçantë në periudhën e paskrizës financiare të viteve 2009-2011, kryesisht për arsye se autoritetet financiare kuptuan rëndësinë e veprimit në një ambient me publik të mirëinformuar.

Banka e Shqipërisë është aktive dhe punon me profesionalizëm dhe përkushtim për rritjen e kulturës financiare dhe bankare të popullsisë. Në takimin “Si t'i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare", Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se “Ne kemi përgatitur dhe zbatuar një Strategji për Edukimin Financiar dhe Përfshirjen Financiare, pasi edukimi financiar ka synim rritjen e përfshirjes financiare, që do të thotë rritjen e punës, e pjesëmarrjes me financat dhe me bankat.

Banka e Shqipërisë ka objektiv ligjor kryesor mbajtjen nën kontroll të çmimeve dhe inflacionit, si dhe stabilitetin financiar, që do të thotë sigurinë e depozitave të qytetarëve shqiptarë.

Mirëpo ne kemi ndër objektivat tanë strategjikë edhe rritjen e edukimit dhe të përfshirjes financiare. Për këtë arësye, ne kemi miratuar një strategji dhe punojmë çdo ditë për të.

Kjo strategji është gjithëpërfshirëse, është koordinuar dhe harmonizuar me disa institucione, si Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë, etj.

Synimi i kësaj strategjie është që ne të arrijmë që qytetarët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme, të cilat u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare.

Në mënyrë që ky synim të realizohet, duhet që puna informuese dhe njohëse të fillojë që në moshë të vogël. Të punojmë me kurrikulat në shkollën fillore dhe në atë nëntëvjeçare, pastaj të vazhdojmë në shkollat e mesme dhe të larta.

Edukimi financiar është një informacion që fillon në mënyrë bazike, me fëmijët, se çfarë është paraja, çfarë është kredija, çfarë janë kursime, si duhen menaxhuar kursimet, si duhet punuar me bankat, etj..

Përpiqemi të shpjegojmë se si duhet të jetë një buxhet familjar, pasi çdo njeri në stadet e ndryshme të jetës, që kur është fëmijë e derisa rritet, e ka të nevojshme të ketë një informacion bazik financiar, për të menaxhuar kursimet dhe depozitat e tij.

Jo vetëm që siguria e parave tuaja rritet duke i mbajtur kursimet tuaja në banka, por edhe bashkëveprimi me bankat rritet, siç është marrja e një kredie, etj.

Ky informacion është mirë që të merret që në fëmijëri, pasi e ndihmon qytetarin të jetë i mirëorganizuar dhe të ketë sukses në jetën e tij.

Këtë herë, ne Javen e Edukimit Financiar e kemi shoqëruar me një informacion më bashkëkohor, pasi e quajtëm “Mbroni kursimet dhe paratë tuaja!”, që do të thotë se zhvillimet e sotme kanë rritur edhe rreziqet.

Edukimi financiar nuk është vetëm për informacionin bazik që duhet qytetari të marrë kur është fëmijë dhe në rini. Kohët moderne kanë sjellë edhe disa rreziqe për qytetarët, në punën  e tyre me bankat.

Këto rreziqe vijnë nga digjitalizimi dhe nga pagesat online dhe mirë është që të gjithë qytetarët e, në rradhë të parë të rinjtë, të kenë një informacion sa më të plotë për rreziqet dhe të mos bien pre e hakerimit dhe e të gjitha e-mail-eve që janë “fishing”, për t’ju marrë kursimet e tyre.

Ky është një informacion që ne po e përpunojmë, për t’jua shpërndarë të rinjve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Gjithashtu, po në bashkepunim me këtë ministri, ne po punojmë për një lëndë, që është “Financat Personale në duart tuaja”.  

Java e parasë 2024 (Foto Facebook)

Java e parasë 2024 (Foto Facebook)

Aktivitetet dhe botimet e veçanta edukative të përgatitura nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, kanë tre objektiva kryesorë: prezantimin e rolit dhe funksioneve të bankës qendrore tek publiku, kultivimin e përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare, si dhe nxitjen e përfshirjes financiare.

Ne synojmë uljen e kostove të qytetarëve në veprimtarinë e tyre me bankat dhe rritjen e njohurive financiare të tyre. Sot ne kemi 70 përqind të qytetarëve të vendit që kanë llogari bankare, në krahasim me tre-katër vite më parë, që ka qenë vetëm 40 përqind. Ky numër vjen në rritje, ndërkohë që dhe transaksionet financiare, transfertat dhe shërbimet e tjera financiare, janë rritur konsiderueshëm për qytetarët shqiptarë, nëpërmjet bankave.

Kjo tregon që e gjithë kjo punë që ne bëjmë për edukimin dhe përfshirjen financiare po jep rezultate”.

Banka e Shqipërisë po realizon një bashkëpunimin mjaft të mirë me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, me Shoqatën Shqiptare të Bankave, me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, me Bankën Botërore etj., për zhvillimin e vazhdueshëm të programeve të përbashkëta në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e kulturës financiare të popullsisë, në rradhë të parë të fëmijëve dhe të të rinjve, por edhe të shtresave të tjera të qytetarëve.

Banka qendrore i ka nisur aktivitetet e Javës Globale të Parasë që në gjysmën e dytë të muajit mars. Më 18 mars 2024, ajo organizoi në mjediset e veta ceremoninë kremtuese të Javës së Parasë për vitin 2024, nën sloganin “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!”.

Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të dhjetë në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, organizoi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi 4750 nxënës dhe studentë, nga më shumë se 165 shkolla të të gjitha niveleve, nga i gjithë vendi.

Aktivitetet e organizuara përfshinë konkurse shkollore, leksione në auditoret e universiteteve, si dhe orë mësimore në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. 

 

Fatos Çoçoli