Tatimi për pagat e larta, opinioni i ekspertit
2024-04-15 10:16:35

Deklarimi i të ardhurave (Foto Balkanweb)

Deklarimi i të ardhurave (Foto Balkanweb)

Përfaqësues të qeverisë kanë njoftuar se në muajin korrik  bashkë me rritjen e pagave pritet të lehtësohet barra e taksave për të punësuarit. Në tryezë është hedhur për diskutim rritja e kufirit të sipërm të pagave mbi të cilat aplikohet tatimi. E thënë ndryshe  nëse deri më tani për pagat mbi 200 mijë lekë aplikohet 23% tatim, një nga opsionet është që ky prag të shkojë deri në 250 mijë lekë. Pritet që nga kjo  nismë, punonjësit me paga të larta në sektorin publik apo privat, të përfitojnë reduktim të tatimit, që përkthehet në një shtesë të të ardhurave mujore neto që ata marrin. Në intervistën për Radio Ejani, Armand Mala, kontabilist dhe eksperti i legjislacionit tatimor thotë se lëvizje të tilla në të mirë të punonjësve dhe jo vetëm janë të mirëpritura.

“Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor janë një e keqe që na ka shoqëruar tashmë për shumë vite. Edhe pse në shumë raporte të institucioneve që masin klimën e të bërit biznes në Shqipëri, ndryshimet e shpeshta përmenden si një faktor negativ, ato për fatin tonë të keq vazhdojnë të ndodhin, por të paktën këtë herë janë për diçka pozitive në favor të bizneseve dhe akoma më shumë në favor të punonjësve, kështu që të tilla ndryshime janë të mirëpritura.”- tha Mala.

Eksperti na shpjegon se çfarë do të thotë ky ndryshim taksimi për personat që sot tatohen me 23%. Mala thekson se nisur nga situata aktuale në vend, kufiri i taksimit me këtë normë duhet rritur edhe më shumë se sa po diskutohet sot.

“Për herë të parë niveli i taksimit 23% u prezantua si tatim i pagave të luksit. Në këtë fashë futeshin të gjitha pagat mbi 130 mijë lekë. Fashë kjo që u kundërshtua thuajse nga të gjithë dhe në opinionin tim ky prag ishte jashtëzakonisht i ulët, pasi edhe njëri nga bashkëshortët të ishte i punësuar kjo pagë jo vetëm që nuk mund të quhej luks, por ishte në kufi vetëm të të ushqyerit. Më pas u pasua me rritjen e pragut me 150 mijë, 200 mijë dhe sot ajo që po diskutohet për të kaluar në 250 mijë. Lëvizja është pozitive, por duke parë dinamikat e tregut të punës, nivelit të lartë të emigrimit që kemi së fundmi, për mendimin tim ky kufi mund të vendoset akoma më i lartë. Ndoshta dhe dyfishin e  shifrës që është për diskutim, dhe ndoshta dhe atëherë mund të marrë tamam kuptim togfjalëshi pagat e luksit.”-thotë eksperti.

Eksperti Armand Mala (Foto Daily express)

Eksperti Armand Mala (Foto Daily express)

Eksperti bën edhe një kalkulim të thjeshtë se kush përfiton më shumë.

“Përfitimin më të lartë nga ky ndryshim ligjor e kanë të punësuarit me nivel page nga 250 mijë e lart, pasi ata që janë dhe përfituesit më të mëdhenj të cilët konkretisht do të përfitojnë 250 mijë minus 200 mijë, shumëzuar me diferencën e normës së taksimit, 23 minus 13%, që praktikisht që bie 5 mijë lekë të rinj në muaj. Të punësuarit me një pagë nga 200 mijë deri në 250 mijë do përfitojnë aq sa aktualisht kanë pagën minus 200 mijë shumëzuar me diferencën e normës pra shumëzuar me 10%. Në mënyrë të drejtpërdrejtë absolutisht që janë punëmarrësit ata që përfitojnë pra punonjësit, por për të njëjtin nivel page bruto, paga neto është më e lartë. Kjo është një e mirë edhe për kompaninë, për punëdhënësit pasi ata ofrojnë një pagë neto më të lartë për të njëjtin nivel page bruto, në këtë formë duke tërhequr punonjës më të kualifikuar”,u shpreh eksperti Mala

Eksperti thekson se rritja e kufirit të taksimit me 23% nuk sjell ndryshim tek personat që kanë rroga nën 200 mijë lekë.

“Ky ndryshim nuk ka asnjë efekt tek punonjësit me paga poshtë 200 mijë lekë, pra ndikon vetëm ata punonjës të cilët kanë një pagë mbi 200 mijë lekë.”

Edhe pse këtë herë nisma e qeverisë është për një zbutje të taksimit për në fashë të caktuar, analistët thonë se ndryshimet e shpeshta të taksave nuk japin stabilitet.

“Ashtu sikundër u cek më lart, mes shumë e shumë problematikave të tjera që gjithmonë do shoqërojnë klimën e biznesit, ndryshimet e shpeshta ligjore mbetën një problem që mund të korrigjohet duke u diskutuar. Çdo ligj para se të hyjë në fuqi do diskutohet gjerësisht me grupet e interesit, të trajtohet çdo element i tij, dhe në këtë formë nuk ka nevojë për ndryshime kaq të shpeshta.”

Një problem në mbledhjen e të ardhurave tatimore nga pagat është edhe pjesa e evazionit tatimor. Po ashtu sipas  ekspertit Mala duhet parë mirë niveli i taksimit 23%, pasi kjo normë duhet të aplikohet për paga vërtet të larta.

“Formulë magjike nuk ka, pasi nëse do të kishte një të tillë situata normalisht do të ishte shumë herë më e thjeshtë, por më shumë sesa normat janë shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në performancën tatimore dhe normën e tatimit, ku kuptohet më kryesore është evazioni tatimor. Megjithatë në mendimin tim, norma të tilla si kjo 23% duhet që të aplikohen për paga vërtetë të larta. Pra jo për nivelin e pagave që ne jemi duke diskutuar. Është mirë që të rritet baza e atyre që kontribuojnë në performancën tatimore, duke zgjeruar këtë bazë bëhet e mundur dhe aplikimi i normave tatimore më të ulëta.”

Pagat (Foto Albanian Post)

Pagat (Foto Albanian Post)

Brenda muajit prill shumë qytetarë duhet të plotësojnë formularin e DIVA-s. Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) është deklarata më e rëndësishme për deklarimin e të ardhurave vjetore individuale. Plotësimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të ardhurave bëhet vetëm elektronikisht nëpërmjet modulit e-filing. Individët e regjistruar më parë e dorëzojnë deklaratën nëpërmjet adresës ekzistuese që kanë në e-filing. Ndërsa individët që dorëzojnë për herë të parë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, fillimisht duhet të regjistrohen në e-filing.Çdo deklaratë individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit. Detyrimi për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave e kanë individët rezidentë të cilët kanë realizuar të ardhura, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në shumën 2 milionë lekë e më tepër, individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër, si dhe individët të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.

“Nga detyrimi për të deklaruar deklaratën individuale vjetore të ardhurat nuk besoj se kemi ndonjë të keqe, përkundrazi gjithësecili nga ne ka një panoramë më të qartë mbi atë se çfarë niveli dhe të ardhurash ka realizuar. Por kuptohet që këtu ha diskutim pjesa se cilët individë vërtetë e kanë të nevojshme pasi shumë prej këtyre kanë një detyrim për të deklaruar në deklaratë edhe pse është shumë e qartë dhe tërësisht në sistemin tatimor grupi i të ardhurave të tyre. Ndoshta kjo listë mund të shkurtohet duke eliminuar disa po themi kategori të cilat nuk kanë përse e bëjnë deklaratën kur çdo gjë është tashmë në sistemin tatimor.”- shprehet Mala.

Nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) të vetëpunësuarit, dhe i punësuari në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm për pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “paga bruto”.