Artan dhe Arnold Balla
Dy vëllezërit Arnold dhe Artan Balla kanë hyrë në rekordet Guinnes. Vëllezërit Balla dy vite më parë me performancat e tyre me akrobaci kanë marrë pjesë në America’s Got Talent, dhe më pas në Spanjë e vende të tjera të botës. Ata së fundi kanë hyrë në histori, duke vendosur rekord botëror Guinness, për kohën më të gjatë të qëndrimit në ekuilibër me sy të mbyllur në një cilindër, performancë e promovuar në Times Square të New York-ut.
Ndërkohë që para pak ditësh ata kanë marrë një ofertë një vjeçare, për të performuar tre herë në javë në një nga resortet më luksoze në Kinë. Në një intervistë për Radio Ejani Arnold dhe Artan Balla tregojnë për pasionin dhe fillimet e tyre si akrobatë, por dhe sukseset e arritura me performancën e tyre në mjaft vende të botës.
CMG: Përshëndetje Arnold dhe Artan. Faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Arnold Balla: Përshëndejte dhe kënaqësia është e jona.
CMG: Kur lindi dëshira për t’u marrë me akrobaci në cirk?
Arnold Balla: Dëshira për t’u marrë me këtë sport nisi si dëshirë e vëllait të vogël, i cili ka qenë shumë elastik dhe shumë i dhënë pas këtyre sporteve. Ai pati një dëshirë, ku gjithë fëmijët për vitin e ri i kërkonin dëshira babagjyshit ose prindërve për ndonjë lodër, kurse vëllai i vogël i tha babait që dëshironte ta regjistronte në cirk. Kështu që u regjistrua vëllai i vogël në cirk, dhe më vonë u bashkova edhe unë. Kështu ka nisur rrugëtimi jonë i cirkut.
Artan Balla ne moshe te vogel ne cirk
CMG: Artan na trego për eksperiencën në cirk në Shqipëri?
Artan Balla: Ne nuk kemi pasur ndonjë nga fisi që të merrej me art ose me akrobaci, apo ndonjë lloj sporti tjetër. Gjithçka lindi si një dëshirë e imja për t’u bërë pjesë e cirkut. Unë i thashë babait se dua të bëhem një akrobat cirku. Babai ma plotësoi dëshirën, dhe unë u nisa bashkë me gjyshen, dhe për një vit më ka dërguar gjyshja në cirk. Unë pata me të vërtetë një sukses të madh për një vit, por gjyshja ndërroi jetë fatkeqësisht. Pastaj ishte dhe Arnoldi që na u bashkua, për të më dërguar mua në cirk, sepse unë atëhere isha vetëm pesë vjeç. Në momentin që erdhi Arnoldi, profesori e pa dhe i kërkoi që të bënte disa ushtrime, duke i thënë se edhe ai ishte talent në këtë fushë. Prej atij momenti ne filluam të punonim si dyshe me njëri-tjetrin, por gjithashtu bënim dhe numra solo.
CMG: Kur keni shkuar në SHBA, dhe si arritët të merrnit pjesë në show-n America’s got talent?
Arnold Balla: Kemi gati dy vite që kemi ardhur në SHBA, dhe kjo erdhi si rezultat i “America,s got talent”, që në momentin që morëm ftesën për të qenë pjesë e këtij programi. Pastaj bëmë audicionin, i cili rezultoi një audicion shumë i mirë dhe pozitiv. Pas atij momenti morëm shumë kontrata bashkëpunimi, dhe nuk kishte arsye pse të largoheshim. Kjo ka qenë pikënisja që ne u shpërngulëm në SHBA.
Arnold Balla gjate nje numri akrobacie
CMG: Si u ndjetë në programin “America’s got talent” dhe si ishin komentet e publikut për performancën tuaj?
Arnold Balla: Performanca jonë siç e thonë dhe producentët e atij edicioni, që ne kemi dalë aty njëlloj si të fitosh çmimin e parë, sepse videoja jonë u bë shumë virale. Ne ishim shqiptarët e parë që merrnin pjesë në një emision të tillë. Reagimet e publikut kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Shqiptarët anembanë na kanë mbështetur, të cilët i përshëndes dhe falenderoj shumë për gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. Ka qenë me të vërtetë një eksperiencë e jashtëzakonshme.
CMG: Cilat ishin emocionet që përjetove ti Artan në performancën me vëllain?
Artan Balla: Ajo është si një skenë magjike, dhe jam shumë i sigurtë që nuk do ta përjetoj dot për herë të dytë, sepse neve pas “America’s got talent” kemi bërë dhe disa shfaqje të tjera nëpër botë, por si magjia e atij programi nuk kam parë. Emocioni ishte shumë i madh, dhe dridhesha para se të fillonte shfaqja. Në momentin që dolëm, aty çdo gjë shkoi shumë mirë, dhe me intervistën që kemi bërë me Simon Cowell, si dhe batutat me njëri-tjetrin. Pas asaj interviste u ndjeva më komod dhe i gatshëm për ta sjellë numrin tonë në skenë.
CMG: Cilat ishin përshtypjet e jurisë pas performancës tuaj në “America’s got talent”?
Artan Balla: Juria e vlerësoi shumë performancën tonë, dhe t’i bësh përshtypje Simon Cowell, që është një nga anëtarët e jurisë më të forta në botë. Është vështirë që atij ti pëlqejë, dhe jo ta impresionosh atë. Të gjithë anëtarët e jurisë patën reagime shumë të mira dhe pozitive.
CMG: Cilat ishin reagimet e konkurentëve të tjerë të atij programi?
Artan Balla: Në fakt konkurentët e tjerë mbetën të gjithë të habitur, ku njëri prej tyre ishte dhe finalisti i “America’s got talent”, i cili e fitoi atë edicion. Ai u shpreh se një numër të tillë nuk e kishte parë kurrë në jetën e tij, duke qenë se ai kishte performuar në shumë shtete të botës, ku tha se numri jonë artistik duhet të ishte për finale dhe jo për hapje të programit.
Arnold Balla
CMG: Sa kohë i kushtoni provave për të realizuar një numër akrobacie në skenë?
Arnold Balla: Fillimisht ne e kemi nisur gjatë një periudhë 10 vjeçare me katër orë në ditë stërvitje, dhe kjo na ka bërë që ti perfeksionojmë sa më shumë numrat tonë dhe të bëjmë numra të cilat janë të vështira për tu arritur. Ndërkohë që për numrin e “America,s got talent”, ne jemi pregatitur gjashtë vite për ta sjellë në atë lloj forme, sepse një ekuilibër i tillë bëhet për herë të pare, dhe shumica nuk e prisnin diçka të tillë.
CMG: Keni dhënë shfaqje akrobacie nëpër botë, por dhe në një program në Itali. Cilat ishin emocionet e përjetuara para publikut shqiptar dhe atij italian?
Arnold Balla: Ne kemi bërë turne në të gjithë botën. Ndërkohë që në Itali ishte një kënaqësi shumë e veçantë, sepse që në momentin që ne u prezantuam, publiku na njihte dhe na bëri një pritje shumë të ngrohtë, ku vërtetë kaluam shumë mirë në atë periudhë.
CMG: Keni arritur të futeni në librin e rekordeve Guiness. Si ndjeheni për këtë arritje dhe vlerësim?
Arnold Balla: Tani ndjehesh artist i kompletuar, dhe nuk e kam menduar se do të arrija vetë në të tilla nivele. Kjo është një ndjesi shumë e veçantë dhe e bukur, sepse të jesh në tilla nivele, është promovimi më i mirë që mund ti bëhet artit të cirkut. Kemi patur artistë të niveleve të ndryshme, por jo na ana e cirkut. Mendoj se të arrish në nivele të tilla me akrobaci, për ne është një fitore shumë e madhe.
Arnold Balla
CMG: Këtë dhunti dhe pasion tuajin tashmë e keni kthyer në profesion. E kishit imangjinuar se do të arrinit të në tilla nivele?
Artan Balla: Kush do ta imagjinonte qe ne do të arrinim kaq lart, dhe është një rast shumë i rrallë, që pasioni të kthehet në profesion. Unë ndjehem shumë mirë, dhe për momentin po jetoj atë që kam ëndërruar gjithmonë. Nuk e kam menduar se do shkoja në SHBA, sepse për mua arritje ka qenë të perfomoja te cirku shqiptar, por në momentin që ne u bëmë të njohur në botë, ne tani performojmë në gjithë botën me artistët më të famshëm botëror. Kjo është më të vërtetë një ëndërr e realizuar, dhe sigurisht që ndjehemi shumë të lumtur për këtë gjë.
CMG: Besoj se prindërit tuaj janë shumë krenarë për arritjet tuaja të deritanishme?
Artan Balla: Patjetër që po, sepse familja ka qenë gjithmonë mbështetja jonë më e madhe. Kështu që nuk ndërroi vetëm jeta e ne të dyve, por ndërroi e gjithë jeta e familjes sonë. Në momentin që ne arritëm në këto nivele, i thamë prindërve që mos të bëjnë më punët e bëra më përpara, por që të investojmë për të çuar përpara kompaninë tonë “Balla Brothers”, që e kemi krijuar këtu në SHBA.
Arnold Balla gjate nje performance
CMG: Keni menduar të riktheheni në Shqipëri, për të performuar për pubikun shqiptar?
Arnold Balla: Ne Shqipërinë e kemi gjithmonë në zemër, dhe kudo që shkojmë e kërkojmë të përmendet Shqipëria, dhe e themi me shumë krenari se nga vijmë. Për momentin nuk është se ka diçka konkrete, por që po punojmë dhe planifikojmë një shfaqje akrobacie në Tiranë.
CMG: Së fundi keni marrë një ofertë për të performuar në Kinë. Si erdhi kjo mundësi për në Kinë?
Arnold Balla: Para disa ditësh morëm një ofertë për të performuar në teatër në një resort në Kinë. Për momentin nuk mund ta bëjmë të ditur qytetin se ku do performojnë, sepse është konfidenciale. Ne jemi ftuar për të dhënë shfaqje tre herë në javë në Kinë, dhe është një kontratë më shumë se një vit. Aktualisht po mundohemi se çfarë mund të bëjmë rreth kësaj kontrate, por që duket një gjë shumë e bukur, një resort shumë i bukur dhe luksoz në Kinë. Jemi në detajet e fundit rreth kësaj kontrate pune në Kinë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Arnold Balla: Kam një mesazh për të gjithë artistët e rinj, të cilët po hasin vështirësi dhe nuk po i ecin gjërat ashtu siç ata duan. I them që të vazhdojnë të punojnë fort, të japin maksimumin e tyre, sepse edhe unë një ditë kam qenë në pozicionin e tyre, por që me punë dhe vullnet kam arritur në nivele që edhe vetë nuk i kisha menduar. Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Artan Balla: Unë dua të jap një mesazh për prindërit, sepse në shumicën e rasteve prindërit u blejnë fëmijëve një telefon të shtrenjë për tu bërë qejfin, por unë dëshiroj tu them, që këto para ti shpenzojnë për fëmijët e tyre duke i dërguar në kurse arti ose sporti. Shikoni ku kemi arritur unë dhe Arnoldi, dhe ndoshta mund të jetë radha e fëmijës suaj, sepse suksesi dhe gëzimi i arritur pas gjithë këtyre viteve, është më i madh sesa një telefon që përdoret për dy vite dhe mund ti ikte vlera. Unë përshëndes Radio Ejani, duke ju falenderuar për ftesën dhe intervistën. Ishte një bisedë shumë e këndshme, dhe vazhdoni të dëgjoni Radio Ejani sepse përcjellë gjithmonë vlerat më të larta njerëzore.
Intervistoi: Gazmend Agaj