Herta Toska dhe violina (Foto nga facebook)
Herta Toska (Foto nga facebook)
Herta Toska Violiniste (Foto nga facebook)
Violinistja Herta Toska ka lindur në Tiranë ku ka nisur studimet për violinë në moshën 6 vjeçare. Përkushtimin disavjeçar në këtë instrument ajo e finalizoi me studimet në ‘Akademinë e Arteve’, sot ‘Universiteti i Arteve’, në degën Violinë. Pas interpretimeve të shumta me violinë në shumë vende të Evropës, Herta nisi karrierën si këngëtare dhe sot këndon në koncerte nëpër Evropë, duke shoqëruar veten me violinë. Ajo ka realizuar këngët “Knejna”, “Je si drita”, por edhe shumë këngë të njohura në një version ndryshe me interpretim në violinë, të cilat i ka shoqëruar me videoklip. Në Radio Ejani, Herta Toska rrëfen për karrierën artistike, dashurinë mes violinës dhe këngës, por edhe planet për një projekt të ri muzikor.
CMG: Përshëndetje Herta nga Radio Ejani!
Herta Toska: Përshëndetje dhe faleminderit shumë për ftesën! Më pëlqen shumë radio Ejani, dhe e dëgjoj shpeshherë kur ndodhem në Shqipëri.
CMG: Je një violiniste e talentuar, instrument të cilin e zotëron që fëmijë. Si nisi rrugëtimi yt me muzikën? Kush të inkurajoi për të vazhduar violinën?
Herta Toska: Dashuria për muzikën ka qenë që në fëmijërinë time. Prindëri më dëgjonim kur isha fare e vogël, që vetëm këndoja dhe kërceja, dhe e kuptuan që kisha talent për muzikë. Kur fillova shkollën në moshën 6 vjeçare, nisa dhe studimin e violinës. Ishin prindërit që më futen në violinë sepse unë isha e vogël e nuk dija se çfarë bëhej.
CMG: Violina konsiderohet si një instrument mjaft i vështirë, si dhe kërkon shumë orë studimi çdo ditë. Çfarë kujton ti nga fëmijëria?
Herta Toska: Violina është një instrument shumë i vështirë dhe përveç kësaj, kërkon shumë orë studimi, por është e mrekullueshme dhe shumë e bukur. Nga fëmijëria mbaj mend, që kur dëgjoja shoqet e pallatit që luanin, unë rrija në dhomë dhe studioja. Ishte e vështirë sepse si çdo fëmijë, doja vetëm të luaja. Por me insistimin e prindërve të mia, arrija të gjeja kohën si për violinën ashtu edhe për të luajtur.
CMG: Si kanë qenë për ty gjithë këto vite studimi?
Herta Toska: Si në fëmijëri, por edhe më vonë e kam gjetur kohën edhe për violinën edhe për jetën time sociale e private, pra kam gjetur balancën. Shkoja në shkollë, studioja violinën, gjeja kohë të dilja me shoqet, por edhe për të dashurin, pra e gjeja kohën për të gjitha.
CMG: Të kam ndjekur në rrjetet sociale ku je mjaft aktive me publikimet e tua, duke luajtur në violinë. Por më së shumti, më ka pëlqyer interpretimi yt me violinë i këngës "Baresha".
Herta Toska: Më bëhet shumë qejfi që ju ka pëlqyer. Po e le pak anash modestinë, por ky material është pëlqyer nga të gjithë që e kanë dëgjuar. “Baresha” është një pjesë fantastike shqiptare, që mua më pëlqente shumë dhe vendosa që këtë material muzikor që më pëlqente kaq shumë, të mund ta ndaja me të gjithë. Ajo gjithashtu lidhej shumë mirë me “Kënga moj” dhe unë i lidha shumë bukur të dyja, duke i sjellë në stilin modern. Kur e përfundova materialin e regjistruar në studio, e ndjeja që do pëlqehej nga të gjithë.
CMG: Jemi mësuar që violinistët të interpretojnë më së shumti muzikën klasike, ndërsa tek ty kam parë që i përjetëson këngët popullore qytetare, duke i përshtatur mjaft mirë në muzikën moderne. Si erdhi kjo ide?
Herta Toska: Unë kam studiuar për muzikë klasike dhe jam rritur me të. Muzika klasike është shumë e shtrenjtë për mua, por gjithashtu ne kemi edhe një folklor të pasur me këngë shumë të bukura. Kur kam filluar të dal nëpër mbrëmje muzikore me violinë, aty kam kuptuar se sa bukur shkojnë pjesët popullore të sjella në mënyrë moderne me violinë. Gjithashtu në mbrëmjet ‘live’ e kam sjellë edhe muzikën klasike në mënyrë moderne, e cila është pëlqyer shumë. Muzika tani ka evoluar, të rinjtë duan një tjetër lloj stili, dhe unë jam munduar që pjesët e vjetra t’i sjell në mënyrën më moderne, për ta pëlqyer edhe brezat e rinj, por edhe mosha më të mëdha.
Herta Toska Violiniste Foto nga facebook)
CMG:Pas shumë vitesh interpretimi në violinë, nise edhe të këndosh. Mendon se tregu muzikor ecën më shumë me këngën se sa vetëm me instrumentin?
Herta Toska: Në eksperiecën time të live-t, e zbulova që edhe mund të këndoja dhe mendoj se kam një zë të mirë. E ku ka gjë më të bukur për një muzikant, që edhe të luajë në instrument, por edhe të këndojë njëkohësisht, pra janë dy në një. Kemi parë që tregu muzikor preferon më shumë këngën, se instrumentalen, por në mbrëmjet e mia live, kur unë jam duke kënduar, bën një diferencë shumë të madhe kur unë dalë me violinë, të gjithë e përqejnë performancën time. Se në përgjithësi të gjithë këndojnë, por kur shoqëron veten me muzikë është diçka më e veçantë për publikun.
CMG: Koncertet e tua tashmë janë të shumta në gjithë botën. Çfarë të veçante sheh publiku tek ty?
Herta Toska: Në mbrëmjet e mia muzikore këndoj dhe luaj në violinë dhe kjo mendoj se është një gjë e rrallë dhe më e veçanta që sheh publiku tek unë.
CMG: Çfarë do u thoje violinistëve të rinj, që ende nuk e kanë nisur karrierën artistike me tregun e muzikës?
Herta Toska: Violinistëve të rinj do u thoja se, ju pret një punë e madhe përpara, se violina është e bukur, por do shumë përkushtim. Nuk dua t’ju pres krahët , por fillimi kështu është. Kur të arrini një pjekuri profesionale, është magji më vete. Kur të dalin dhe të luajnë për publikun, do e kenë jo vetëm profesion, por edhe pasion. Kur profesioni bëhet pasion, të duket sikur nuk po punon, sepse të jep kënaqësi shumë e madhe, kur luan për publikun dhe ata të duartrokasin. Kjo është ëndrra e madhe e çdo instrumentisti, apo çdo artisti, është magji më vete. Fillimi është pak i vështirë, por fundi do jetë magjik.
CMG: Cila është pjesa artistike që e luan me më shumë kënaqësi?
Herta Toska: Në mbrëmjet muzikore që bëj, pjesët popullore të sjella në mënyrë moderne, janë shumë të bukura, ato më japin mua, por edhe publikut që më dëgjon një lloj kënaqësie. E ndjej se publiku i përqen performancat e mia, dhe kjo është një gjë shumë e bukur, ai moment është fantastik.
CMG: Cili është kompozitori yt i preferuar nga muzika klasike?
Herta Toska: Për mua është pak e vështirë që të zjedh një kompozitor, sepse ka pjesë të ndryshme nga kompozitorë të ndryshëm që më pëlqejnë shumë. Ndoshta do të veçoja Mozartin, sepse ai ka një stil pak më të çelur si kompozitor dhe pjesët e tij kanë shumë muzikalitet, por ka dhe kompozitor të tjerë si Bach, apo Vivaldi. Gjithsesi do të veçoja Mozartin.
CMG: Jeton dhe punon në Gjermani. Si është jeta jote mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?
Herta Toska: Prej më shumë se dy vitesh jetoj në Gjermani, por e kam gjetur rrugën,vij menjëherë kur më ftojnë në ndonjë mbrëmje në Shqipëri, por më shumë jam nëpër evropë dhe në Gjermani. Tani për dy orë me avion janë afruar distancat për të lëvizur si në Shqipëri dhe në Evropë.
CMG: Në Gjermani interpreton vetëm për publikun shqiptar, apo edhe për atë të huaj?
Herta Toska: Më së shumti në 99% të kohës luaj vetëm për publikun shqiptar, por kam pasur edhe mbrëmje muzikore në disa Piano-bare të huaja që më kanë ftuar, ku luaj pjesët më të dëgjuara ndërkombëtare. Kam luajtur edhe për gjermanët.
CMG: Cilat janë planet që pret të realizosh në të ardhmen?
Herta Toska: I kam disa plane, të cilat shpresoj që të realizohen. Ajo çfarë mund të them momantalisht është se, jam duke punuar për një instrumentale tjetër, një pjesë popullore që ta sjell në versionin modern, do jetë shumë e bukur, por do e le surprizë. Por kaq mund të zbuloj për momentin.
Intervistoi: Sava Lena