Para 8 viteve, uzina e çelikut “Smederevo” e Serbisë me një histori mbi 100-vjeçare ishte në prag falimentimi. Në prill të vitit 2016, Grupi kinez “HBIS” investoi në këtë uzinë, duke e ringjallur dhe kthyer në kohët e arta të saj.
Drejtori ekzekutiv i degës serbe të Grupit “HBIS” Song Sihai u shpreh:
“Që nga viti 2018, jemi ndërmarrja më e madhe eksportuese e Serbisë për 4 vite radhazi, duke shënuar rekordin historik të prodhimit të kësaj uzine”.
Drejtori i operacioneve i degës serbe të Grupit “HBIS” Vladan Alesiç tha:
“Pa dyshim, nisma “Një brez, një rrugë” është diçka madhështore, e cila është jo vetëm në dobi të kompanisë sonë. Ajo jo vetëm i ka dhënë uzinës “Smederevo” një impuls të ri, por ka përmirësuar edhe mirëqenien e punonjësve të uzinës dhe banorëve lokalë. Aktualisht rreth 20 mijë banorë punojnë për uzinën “Smederevo”, duke e ulur përqindjen e papunësisë në këtë qytet nga 18% në 6%.
Ish-drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Evropiane e Ndërkombëtare të Shtetit Hesse të Gjermanisë Dr. Michael Borchmann vë në dukje:
“Tani Kina po u jep vendeve anëtare të BE-së mbështetje për infrastrukturën. Nën kornizën e nismës ‘Një brez, një rrugë’, bashkëpunimet dypalëshe kanë pasur rezultate të rëndësishme, duke përfshirë hekurudhën Hungari-Serbi, portin e Pireut në Greqi, urën Peljesac në Kroaci dhe uzinën e çelikut ‘Smederevo’ në Serbi”.
Ky 19 mars përkon me 2-vjetorin e funksionimit të sigurtë të pjesës Beograd-Novi Sad të hekurudhës Hungari-Serbi. Shpejtësia e udhëtimit të kësaj hekurudhe të ndërtuar nga Kina do të shkojë 200 kilometra në orë nga 40 deri në 50 dikur dhe numri i udhëtarëve do të kalojë në 6 milionë e 830 mijë.
Presidenti serb Aleksandar Vuciç tha:
“Mund të them se kjo është një ide e madhe. Kur shkova në Kinë, ne udhëtuam për herë të parë me një tren kinez. Më kujtohet se shpejtësia e trenit nga Pekini deri në Tianjin ishte 300 kilometra në orë. Prej atëhere filluam të ëndërronim për një hekurudhë me shpejtësi të madhe në rajonin tonë. Tani ky është segmenti më i mirë dhe më i shpejtë në Evropën Juglindore”.
Kryetar i nderit i Shoqatës Kinë-Rumani Vicentiu Gheorghe u shpreh:
“Ndërtimi i hekurudhës Hungari-Serbi do t’i sjellë Kinës, Serbisë, Hungarisë dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Lindore, madje gjithë kontinentit, mjaft përfitime. Pjesa serbe e hekurudhës Hungari-Serbi do të përurohet në fund të vitit 2024, duke realizuar një projekt monumental në bashkëpunimin mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe transformimin e pajisjeve teknike hekurudhore të Kinës me standardin evropian”.
Kjo histori në Serbi shfaqi bashkëpunimin real Kinë-Evropë. Për një kohë të gjatë, ky raport ka treguar edhe një bashkëpunim të ngushtë ekonomiko-tregtar. Kina është partnerja e dytë më e madhe tregtare e BE-së, ndërsa Evropa ka marrë përfitime të mëdha nga investimet në Kinë. Të dy palët kanë ndërtuar marrëdhënie të pandara bashkëpunimi dhe pengimi i këtij raporti me pretekstin e “heqjes së rreziqeve” ose “pakësimit të varësisë” është i pamatur dhe nuk përputhet me interesat e vetë evropianëve.
Drejtorja ekzekutive e Institutit të Globalizimit në Shqipëri Marsela Musabelliu u shpreh:
“Në vitin 2023, vëllimi tregtar Kinë-Evropë arriti në 5.5 trilionë juanë (rreth 702 miliardë euro) dhe vëllimi tregtar në minutë kaloi në 1 milion e 300 mijë euro. Sipas të dhënave të fundit del se numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë ka kaluar në 85 mijë, duke lidhur 219 qytete nga 25 vende evropiane dhe krijuar një kanal të sigurtë për zinxhirët prodhues të furnizimit global”.
Tani bashkëpunimi ekonomiko-tregtar Kinë-Evropë po zgjerohet drejt investimeve për energjinë e re. Në Hungari, Kompania “CATL” e Kinës po ndërton fabrikën e baterive, sikurse edhe kompanitë e tjera kineze “EVE Energy”, “Huayou Cobalt” dhe “SUNWODA” pritet të investojnë në këtë vend. Krahas këtyre, gjiganti kinez i automjeteve të energjisë së re “BYD” do të investojë për ndërtimin e një stabilimenti të automjeteve.
Lidhur me këtë, ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto tha:
“Dua të shtoj faktin se Hungaria është bërë objektivi numër 1 i investimeve kineze në Evropën Qendrore. Ne jemi krenarë për këtë. Ne kurrë nuk e kemi parë Kinën si një rrezik ose kërcënim. Ne gjithmonë e kemi refuzuar këtë mendësi në Evropë. Ne nuk kuptojmë pse ata duan të ‘shpëtojnë nga rreziku kinez’, sepse nëse nuk ka rrezik, cili rrezik duhet të hiqet?!”.
Gjermania është ekonomia e parë më e madhe e BE-së dhe vendi i që mban marrëdhëniet më të ngushta ekonomiko-tregtare me Kinën. Sipas statistikave të Institutit Ekonomik të Gjermanisë, në vitin 2023, investimet gjermane në Kinë arritën në 11.9 miliardë euro, duke shënuar një rekord historik. Kjo tregon se qarqet ekonomike gjermane kanë ende besim të plotë te tregu kinez.
Dr.Michael Borchmann tha:
Si një përfaqësues i vendeve të shquara anëtare të BE-së, kancelari gjerman vizitoi Kinën, i shoqëruar nga disa ministra. Mendoj se ky është një sinjal i rëndësishëm, domethënë zgjerimi i bashkëpunimit me Kinën është i domosdoshëm. (Fani)