Antigua e Barbuda është një prej vendeve nga Karaibet Lindore që vendosën më shpejt marrëdhënie diplomatike me Kinën. Gjatë një interviste për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), kryeministri i Antigua e Barbuda-s Gaston Browne u shpreh se gjatë 41 viteve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Antigua e Barbuda dhe Kina e kanë respektuar gjithmonë njëra-tjetrën dhe raportet dypalëshe janë bërë shembull i trajtimit të barabartë dhe i bashkëpunimit me përfitime reciproke mes një vendi të madh dhe një vendi të vogël.
"Jam i mendimit se gjatë 41 viteve, Kina është vendi që na ka dhënë përkrahjen më të madhe. Ajo na ka ndihmuar në zhvillimin tonë në të gjitha aspektet." - theksoi Gaston Browne.
Në vitin 2018, Kina dhe Antigua e Barbuda nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" dhe Antigua e Barbuda është vendi i parë nga Karaibet Lindore që nëshkroi këtë dokument. Bashkëpunimi dypalësh u ka sjellë popujve të dy vendeve përfitime reale. Lidhur me këtë, Gaston Browne u shpreh se Antigua e Barbuda është gjithmonë përfituese nga nisma "Një brez, një rrugë". Në 4 dekadat e fundit, Kina ka përjetuar suksese të mrekullueshme dhe ka punuar për të shpërndarë përvojën e saj, duke ndihmuar vende nga e gjithë bota të zhvillohen dhe lulëzohen së bashku.
Gaston Browne tha gjithashtu se Antigua e Barbuda i përmbahet parimit të "Një Kine" dhe se Tajvani është pjesë e pandarë e Kinës. Ai e vlerësoi Kinën për arritjen e ribashkimit paqësor të atdheut me sinqeritetin e përpjekjet më të mëdha. (Fani)