Hajro Pepa gjate ne koncerti (Facebook)
Hajro Pepa gjate ne aktiviteti (Facebook)
Këngëtari shkodran Hajro Pepa fillesat e tij me këngën popullore i ka që në fëmijëri. Për vite me radhë ka kënduar në skenë dhe në gëzime të ndryshme familjare. Ai është ngjitur për herë të parë në skenë në vitin 1979 në Tropojë, me këngën "Sa e bukur je natyrë", të cilën e kishte kënduar më parë artisti i njohur Shyqyri Alushi, duke vazhduar më pas perfeksionimin e kësaj rruge të bukur me këngën popullore.
Në karrierën e tij disavjeçare Hajro është aktivizuar me klubin e rinisë, si dhe me qendrën kulturore "Pjetër Gaci" në të gjitha festivalet pas viteve '91. Gjithashtu ai ka marrë pjesë rregullisht edhe me estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, duke u përfaqësuar deri në aktivitetet me Televizionin Shqiptar. Hajro Pepa ka qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete kombëtare, ku është vlerësuar me çmime të para dhe të dyta. Ka realizuar disa koncerte recitale në Teatrin Migjeni të Shkodrës, dhe po përgatitet për një koncert tjetër për publikun shkodran. Për Radio Ejani ai flet për karrierën muzikore, pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme si dhe projektet.
CMG: Si kanë qenë fillesat tuaja me këngën popullore?
Hajro Pepa: Kënga popullore për mua ka qenë shpirt dhe jetë. Fillimet me këngën kanë qenë që në moshë të vogël, sepse unë jam rritur me këngën. Nganjëherë po e quaj veten talent, por talenti nuk ka vlerë nëse dikush nuk arrin të zbulojë një mini talent të vogël. Para 54 vitesh kam patur një mësuese në shkollën fillore, Rreze Bala që unë e kujtoj me shumë nostalgji. Ajo shikonte një talent për këngën tek unë dhe në vend që të më ngrinte në mësim më ngrinte për të kënduar. Kështu që dalngadalë filloi pasioni për këngën, që në shkollën fillore deri në moshën e adoleshencës.
CMG: Kur ka qenë dalja e parë në skenë?
Hajro Pepa: Unë për herë të parë në skenë kam dalë në vitin 1979. Ka qenë një rast koinçidence në Tropojë, ku në atë periudhë drejtues muzike i shtëpisë së kulturës në Tropojë ishte kompozitori i njohur Kol Susaj. Kështu që ai pa diçka tek unë, dhe më ftoi të këndoja një këngë tek shfaqja atje. Kjo ishte hera e par që dola në skenë, ku këndova një këngë të të ndjerit Shyqyri Alushi, “Sa bukur je natyrë”. Në atë koncert kam marrë duartrokitjet e para nga publiku.
Hajro Pepa duke kenduar (Facebook)
CMG: Si i kujton angazhimet artistike me grupet muzikore të para viteve 90-të në qytetin e Shkodrës?
Hajro Pepa: Kjo është një histori shumë e gjatë, me klubin e rinisë kemi patur aktivitete të njëpasnjëshme në aspektin muzikor, të humorit dhe të estradës. Unë që në vitin 1982 kam qenë këngëtar i rregullt i klubit të rinisë të qytetit të Shkodrës. Kujtoj me nostalgji të gjitha aktivitetet, sepse kemi kënduar këngë popullore të gjithë Shqipërisë. Kujtoj kohën me ish drejtorin Nard Bushati, muzikantin e mrekullueshëm Bardh Luka, që sot jeton në Belgjikë, por dhe me Tonin Markun, një muzikant i mrekullueshëm, që sot jeton në Itali. Unë e kujtoj veten në klubin e rinisë jo vetëm si këngëtar, por dhe si aktor që kam luajtur disa role episodike me aktorin Edmond Halili, me të ndjerin Anton Krosaj dhe Aleks Selmani. Ka qenë një periudhë aktivitetesh të shkumta, kemi pasur një kënaqësi të madhe, që unë i kujtoj me shumë nostalgji.
CMG: Ruan kujtime me artistët e mëdhenj të këngës shkodrane si Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi?
Hajro Pepa: Këto emra kanë qenë kolosë të muzikës popullore qytetare shkodrane. Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi kanë qenë vërtetë kolosë dhe kanë vlera të padiskutueshme, por dhe shumë të tjerë sepse ata kanë qenë brezi i artë i artit shkodran dhe në Shqipëri. Unë kam patur kënaqësinë dhe shansin që t’i njoh nga afër, të pi kafe, por edhe kam kënduar me ta. Brezi ynë jemi munduar të bënim diçka të mirë, por ata kanë pasur diçka më shumë se ne.
CMG: Përveç këngëve si solist ke realizuar dhe duete me të tjerë këngëtarë të këngës popullore?
Hajro Pepa: Patjetër që kam pasur bashkëpunime me shumë këngëtarë. Kam bërë shumë bashkëpunime në performanca live me këngëtarët Bujar Qamili, Violeta Zefi, Mukades Çanga, Adnan Bala dhe Enriketa Kuqani, e cila është një këngëtare dhe soprano shumë e mirë. Kam bashkëpunuar dhe me shumë këngëtarë të tjerë, dhe vërtetë ka qenë një kënaqësi e madhe me punuar me njëri-tjetrin, sepse ne e kemi dashur, e kemi afruar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
Hajro Pepa me aktoren Zyliha Miloti (facebook)
CMG: Ti vazhdon të këndosh live në ambjente të ndryshme. Si ndjeshesh kur performon live para publikut?
Hajro Pepa: Normalisht që vitet bëjnë punën e vet, dhe është një moment që duhet t’i lirosh rrugën brezit të ri, por vazhdoj të performoj live sepse në radhë të parë kënga për mua ka qenë pasion dhe dashuri. Unë vazhdoj të këndoj, në përgjithësi jeta ime artistike si këngëtar ka qenë gjithmonë live. Mendoj se nuk ka vlerësim më të madh sesa të jesh përballë publikut live, dhe është i vetmi vlerësues që të jep notën pozitive ose negative. Duke pasur parasysh që publiku na ka duartrokitur ndër vite, na ka dashur dhe vazhdon të na dojë, unë i jam mirënjohës publikut, popullit të Shkodrës dhe dashamirësve të artit të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, sepse kam performuar në shumë qytete të Shqipërisë.
Kam dhënë shfaqje në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Elbasan. Performancat tona kanë qenë të gjithanshme, sepse ne këngëtarët e Shkodrës nuk jemi thjsht fanatik të këngëve shkodrane, por ne i duam këngët e Shkodrës, të Korçës, këngët e jugut dhe ato të Shqipërisë së mesme. Ne i këndojmë të gjitha trevat, jo vetëm në koncerte, por dhe në ambjente familjare i përfshijmë të gjitha trevat e vendit.
CMG: Përveç këngëve shkodrane, cila është ajo trevë që përshtatet më shumë me zërin tuaj?
Hajro Pepa: Në përgjithësi në koncerte unë performoj së pari këngët shkodrane, pastaj vijnë serenatat korçare dhe këngët e Shqipërisë së mesme, por pa lënë mënjanë dhe këngët e jugut. Normalisht këndoj dhe këngë të trevës së Kosovës, gjithmonë duke u përshtatur me këngën qytetare.
CMG: Cilat do të jenë aktivitetet tuaja muzikore në vazhdim?
Hajro Pepa: Unë para pak ditësh kisha një mini koncert me këngë qytetare në TV Blue Sky në Shkodër, një program rreth një orë. Gjithashtu po përgatitem për një koncert recital në Teatrin Migjeni dhe ky është koncerti im i katërt në qytetin tim. Duke pasur parasysh se sezoni turistik po vjen, do të performoj në ambjentet më të bukura të qytetit të Shkodrës. Unë këndoj live te Oborri Shkodran në pedonalen e Shkodrës çdo fundjavë, ku me fillimin e sozonit turistik do të performojmë çdo natë për tre muaj rresht.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim të karrierës.
Hajro Pepa: Faleminderit ju për intervistën. Uroj mbarësi dhe shëndet për të gjithë njerëzit, dhe gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj