Kryebashkiaku Veliaj (Foto Atsh)
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti ekipin e Partizanit në volejboll për meshkuj që fitoi Kupën e Shqipërisë, shkruan “ATSH”.
Veliaj e cilësoi një sukses të jashtëzakonshëm, që vjen pas 38 vitesh.
Sipas tij, falë këtyre sukseseve, shumë të rinj dhe të reja po afrohen me ekipet zinxhir dhe po merren me sport.
“Jam shumë krenar për ju! Kishte kohë që nuk i kishim parë pallatet e sportit plot. Fakti që po mbushen shkallët e pallateve të sportit dhe që shumë të rinj po angazhohen me aktivitet fizik, është një lajm i jashtëzakonshëm. Sigurisht, ju jeni sportistë elitarë, sot keni dy kupa, Kupën e Shqipërisë, kupën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, por, mbi të gjitha keni fituar kupën dhe kampionatin e të qenit qytetar. Sot nuk mjafton të jesh vetëm sportist i mirë, duhet të jesh edhe njeri dhe model i mirë”,- deklaroi Veliaj.
Ai siguroi sportistët se Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen financiare për ekipet sportive për të avancuar edhe në kupat europiane. (Irma)