Xi zhvillon bisedime me presidentin e Surinamit Santokhi
2024-04-12 20:21:49

foto nga CMG

foto nga CMG

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten në Pekin bisedime me presidentin e Republikës së Surinamit Chandrikapersad Santokhi.  

Xi Jinping-u vuri në dukje se miqësia Kinë-Surinam ka një histori të gjatë dhe do të bëhet më e fortë me kalimin e kohës. Surinami është një nga vendet e para të Karaibeve që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, krijoi një partneritet strategjik me Kinën dhe nënshkroi një plan bashkëpunimi për ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë” me Kinën. Të dy vendet e kanë respektuar dhe e kanë trajtuar njëri-tjetrin si të barabartë, duke u bërë model i bashkëpunimit Jug-Jug. Kina është e gatshme të punojë me Surinamin për të konsoliduar më tej besimin e ndërsjellë politik, për të forcuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, për të zgjeruar shkëmbimet njerëzore e kulturore, për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar krijimin e një partneriteti më të ngushtë bashkëpunues strategjik Kinë-Surinam, duke sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

Presidenti Xi theksoi se Kina e vlerëson lart miqësinë e palëkundur të Surinamit dhe mbështetjen që i ka dhënë ky vend për çështjet që përfshijnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të saj. Edhe Kina e mbështet fuqishëm Surinamin në mbrojtjen e sovranitetit e të pavarësisë kombëtare dhe në zgjedhjen e një rruge zhvillimi të pavarur që u përshtatet kushteve të tij kombëtare. Kina është e gatshme të vazhdojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë me Surinamin, të ruajë shkëmbimet e nivelit të lartë, të intensifikojë shkëmbimet miqësore midis departamenteve, organeve ligjvënëse e partive politike dhe të forcojë shkëmbimet e përvojës në qeverisjen e shtetit. Kina mirëpret më shumë produkte të specializuara me cilësi të lartë nga Surinami për të hyrë në tregun kinez dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Surinamin në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”, të forcojë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit dhe të zgjerojë bashkëpunimin në tregti, investime, bujqësi, energjetikë, miniera, ndërtimin e infrastrukturës, ekonominë digjitale e fusha të tjera, duke sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve. Surinami është një nga vendet me numrin më të madh të kinezëve jashtë vendit në Karaibe dhe është vendi i parë në hemisferën perëndimore që e ka caktuar Festën e Pranverës të Kinës si një festë zyrtare. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të inkurajojnë shkëmbimet kulturore, të lehtësojnë shkëmbimet njerëzore dhe të ndërtojnë së bashku Institutet “Konfuci”, të forcojnë bashkëpunimin mes pushteteve vendore dhe të pasurojnë vazhdimisht shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Kina është e gatshme të punojë me Surinamin dhe vendet e tjera në zhvillim për të forcuar koordinimin dhe solidaritetin e bashkëpunimin shumëpalësh, për të mbrojtur interesat e përbashkët, për të arritur zhvillimin e përbashkët dhe për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me vendet e Karaibeve, mbështet vendet e Karaibeve në kërkimin e begatisë e të zhvillimit dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve, dhe është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive të saj për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve të rajonit.

foto nga CMG

foto nga CMG

Presidenti Santokhi u shpreh nga ana e tij se shkëmbimet miqësore ndërmjet Surinamit dhe Kinës kanë një histori të gjatë. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve 48 vjet më parë, Surinami i është përmbajtur gjithmonë me vendosmëri parimit të “Një Kine” dhe do të vazhdojë ta mbështesë në mënyrë të palëkundur Kinën në arritjen e ribashkimit kombëtar. Kina i ka ofruar ndihmë të vlefshme Surinamit në luftën kundër epidemisë dhe në drejtim të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera ka arritur rezultate të frytshme. Të gjitha këto pasqyrojnë shkallën e lartë të ndërsjellë të besimit politik dhe vëllazërinë e thellë ndërmjet dy vendeve dhe kanë nxitur shumë ekonominë e Surinamit, si edhe zhvillimin dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, duke krijuar një model për bashkëpunimin Jug-Jug. Presidenti Xi Jinping ka propozuar nisma të rëndësishme globale, si nisma “Një brez, një rrugë” dhe Nisma e Zhvillimit Global, duke mbrojtur një rend shumëpolar të barabartë e të rregullt botëror dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës, i cili ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e multilateralizmit dhe promovimin e paqes botërore dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Surinami e përkrah këtë dhe është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Kinën për të promovuar bashkërisht ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Pala surinamase shpreson se vizita e kësaj here do të jetë një mundësi për të forcuar më tej shkëmbimet ndërmjet dy vendeve, për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve, zhvillimit të gjelbër e reagimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet e partneritetit të bashkëpunimit strategjik dypalësh. Pala surinamase është e gatshme të bëjë përpjekje aktive për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Karaibeve dhe Kinës.

foto nga CMG

foto nga CMG

Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh për investimet ekonomike dhe tregtare, zhvillimin e gjelbër, ekonominë digjitale, arsimin dhe fusha të tjera.

Të dy palët publikuan “Komunikatën e përbashkët të shtypit midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Surinamit”.

Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan shtruan një banket mirëseardhjeje për çiftin e presidentit Santokhi në Sallën e Artë të Pallatit të Madh të Popullit.  (Fang Xiaoyu/Artan)