Prilli turistik ndërkombëtar i Shqipërisë
2024-04-12 10:02:50

Takimi i Komisionit pët Europën i OBT-së (Foto Probizz.al)

Takimi i Komisionit pët Europën i OBT-së (Foto Probizz.al)

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, ose 59 përqind më shumë, krahasuar me të janar-mars të vitit 2023.

Muaji mars 2024 shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike, me gati 735 mijë vizitorë të huaj, ose 91 përqind më shumë, krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat e larta të vizitorëve të huaj edhe gjatë muajve janar-mars 2024, konfirmuan trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor.

Më 8 prill 2024, në Tiranë u zhvillua për herë të parë në vendin tonë takimi i 70-të i Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit. Aktiviteti mblodhi së bashku 40 përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet e kontinentit.

Ndër shumë vendime që u morën në këtë takim, Komisioni për Europën miratoi Axhendën e Turizmit për vitin 2024, duke manifestuar prioritetet e Europës si destinacioni kryesor në botë dhe një pionier në inovacionin turistik, ndërsa Shqipëria konfirmohet si destinacioni me rritjen më të madhe të flukseve turistike në kontinent.

Autoritetet kombëtare të turizmit të Evropës janë takuar në Tiranë, për të avancuar zgjidhjet e përbashkëta për sfidat më të mëdha me të cilat përballet turizmi, si dhe mundësitë e ofruara nga kthimi i sektorit pas pandemisë.

Me pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë anëtarëve të turizmit të OKB-së në rajon, takimi shërbeu si një platformë për dialog dhe bashkëpunim, duke ofruar një terren për shkëmbimin e njohurive, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe adresimin e sfidave dhe mundësive, me të cilat përballet sektori i turizmit.

Më 9 prill 2024, po në Tiranë u zhvillua Konferenca e Investimeve në Turizëm. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zorba Pololikashvili, e konsideroi histori suksesi transformimin e Tiranës për vizitorët e huaj.

 

Qeveria shqiptare kumtoi në Konferencë se po përgatit një paketë mbështetje për emigrantët shqiptare që do kthehen të investojnë në zonat malore, duke ofruar lehtësi fiskale dhe mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit.

Të dyja aktivitetet ndërkombëtare të 8-9 prillit 2024, e vendosën Shqipërinë në qendër të zhvillimeve të turizmit evropian, si dhe të politikëbërjes në nivelin më të lartë të Organizatës Botërore të Turizmit për Evropën.

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, komenton këto ngjarje dhe shifra të rëndësishme për turizmin shqiptar

 

 

Eksperti Besnik Vathi në intervistë për CMG

Eksperti Besnik Vathi në intervistë për CMG

CMG: Barometri Botëror i Turizmit, një produkt i Organizatës Botërore të Turizmit, strukturë e OKB-së, e ka renditur Shqipërinë në vendin e katërt në botë për vitin 2023, për nga mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë, me një shtim vjetor 53 përqind, në krahasim me vitin 2022. Komenti juaj për këtë shifër dhe renditje, ju lutem.     

Besnik Vathi: Së pari, nuk diskutohet që është një arritje e madhe, ndryshimi dhe rritja nga vitit në vit e turizmit shqiptar.

Pra, Shqipëria, nga viti në vit, pret gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Kjo është një arritje e madhe. Kujt i dedikohet kjo arritje?

Pa dashur të heqim dhe të shtojmë merita, unë besoj dhe gjykoj që rritja që ka ndodhur vitet e fundit, është për shkak të hapjes së madhe të Aeroportit të Rinasit. Me hapjen dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, është bërë e mundur që Shqipëria të futet tërësisht në tregun botëror të turizmit.

Ne ishim më të vonuarit, me aeroportin më të shtrënguar, më të shtrenjtë në Evropë. Ai jo vetëm që nuk stimulonte rritjen nga viti në vit të fluturimeve ajrore, por përkundrazi, ato kompani ajrore që ndodheshin këtu, donin të ndërprisnin aktivitetin.

Me ndryshimet e fundit, ndërhyrjen e qeverisë dhe kalimin e pronësisë së Aeroportit të Rinasit, si dhe me uljen e taksave aeroportuale dhe uljen e tarifave të shërbimeve të ndryshme, e gjitha kjo bëri që të ketë më shumë fluturime dhe Shqipëria tashmë të hapet në treg.

Kjo bëri po ashtu që atë rritje të munguar në 15-20 vite, Shqipëria turistike ta përfitojë menjëherë, pas ndryshimeve në vitet e fundit, në menaxhimin dhe investimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

Ne vërtet kemi rritjen vjetore më të madhe, të tretën në botë, me sa e kam parë.

    CMG: Më 8 prill 2024, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit organizoi në Tiranë Mbledhjen e 70-të  të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit(UNWTO). Pse iu besua Shqipërisë ky takim i rëndësishëm evropian?

Besnik Vathi: Shqipëria ka rreth 25 vite që është vend anëtar i Organizatës Botërore të Turizmit.

Natyrshëm që një vend anëtar mund të presë takime të tilla të OBT-së. I erdhi rradha, ndoshta Shqipërisë. Më shumë, besoj se edhe rezultatet e mira në turizëm për Shqipërinë në vitet e fundit, kanë bërë që Shqipëria të caktohej vend pritës i një takimi të tillë të nivelit evropian.

CMG: Po në bashkëpunim me UNWTO, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë organizoi një ditë më vonë, më 9 prill, po në Tiranë, Konferencën kushtuar investimeve në turizëm. Pse ia vlejti edhe ky aktivitet, sipas jush?  

Besnik Vathi: Unë gjykoj që natyrshëm, kur ka konferenca dhe takime të tilla ndërkombëtare, ato të shfrytëzohen edhe për të promovuar jo thjesht turizmin në Shqipëri, por investimet në turizmin në Shqipëri.

Të mos harrojmë që ata që kanë ardhur, pjesëmarrës në këto takime, që të gjithë janë konkurrentë. Askush nuk është i lumtur që tjetri pret më shumë turistë.

Të gjithë ata pjesëmarrës duan të marrin sa më shume turistë për vendet e tyre, nga ajo tortë e madhe e lëvizjes turistike ndërkombëtare.

Edhe Shqiperia nuk duhet t’i shfrytëzojë këto takime thjesht vetëm për të pritur më shumë turiste nga viti në vit, por edhe për të zgjuar interesin e investimeve në turizëm.

Unë gjithnjë kam theksuar që këto investime duhet të jenë realisht për turizëm. Nuk duhet të lejohet abuzimi me atë pasuri kombëtare që ka Shqipëria, vijën bregdetare.

Vija bregdetare duhet shfrytëzuar për të sjellë sa më shumë të ardhura të qëndrueshme nga viti në vit.

Këto te ardhura nuk mund të jenë të qëndrueshme, në rast se ndërtojmë sipas modelit të mbushjes me beton të hapësirave të gjelbra në bregdet, që ne e quajmë “golemizim”, sipas emrit të fshatit pranë Durrësit, ku këto ndërtime u shtuan pa kriter.

Gjtihnjë e më qartë dhe saktë, ne duhet të ndërtojmë struktura akomodimi, të afta të na sjellin të ardhura çdo vit nga mikpritja e turistëve të shtuar.  

Takimi i OBT në Tiranë ( Foto Shqiptarja .com)

Takimi i OBT në Tiranë ( Foto Shqiptarja .com)

  CMG: Kohët e fundit, Agjencia për Nxitjen e Investimeve në Shqipëri, AIDA, ka marrë një aplikim nga kompania amerikane “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për një projekt zhvillimi turistik në ishullin e Sazanit, përmes markës së njohur ndërkombëtare Aman të resorteve turistike të nivelit të lartë në Azi. Kjo markë të kujton një tjetër emër të njohur, Club Med, i cili vite më parë donte investonte në Shqiperi në turizëm. Si e gjykoni këtë zhvillim?

Besnik Vathi: Së pari, unë jam pro çdo lloj investimi.

Çdo lloj investimi është i mirëpritur dhe duhet të mbështetet, pasi është investim i huaj. Është kapital shtesë, i huaj, që hyn në ekonominë shqiptare. Angazhojnë njerëz në punë, hapin vende të reja pune.

Nxisin ekonominë tonë në tërësi, por sidomos ekonomitë lokale, të lidhura me investimin e huaj që kryhet.  Duke risjellë opinionin që investimet e huaja na duhen shumë në turizëm, ngul këmbë në atë që thashë më parë.

Jo thjesht nga emri. Ju përmendet dy emra. Markën “Club Med” dhe markën “Aman”. Club Med është thjesht investim turistik. Ai nuk ndërton, përveçse resorte të nivelit të lartë, delux, por jo elitar.

Janë struktura të shfrytëzueshme për turizëm gjatë gjithë kohës. Ky brand merr përsipër ato që janë shumë të rëndësishme: marketingun, shitjet.

Largimi i Club Med nga investimi në Shqipëri, ndërprerja e interesit të tij për Shqipërinë, ishte ndoshta humbja më e madhe që ka pasur turizmi shqiptar.

Duke risjellë emrin dhe brandin Aman, natyrshëm që është i mirëpritur. Por të investojë në një ishull si Sazani në Shqipëri, jo shumë i madh, por edhe jo shumë i vogël, pa u parë plotësisht çfarë përfshin projekti, sa dhoma hoteli do të jenë në këtë ishull?

Hotelet Aman në botë janë përgjithësisht me 30-50 dhoma. Në pjesën tjetër, Aman merret me ndërtime, me rezidenca banimi, me vila, të cilat u shiten personave të famshëm. Këta blejnë 20 apo 30 milionë euro një vilë.

Pra, duhet të dimë mirë, bëhet fjalë për të ofruar turizëm, apo për të ndërtuar rezidenca banimi, të cilat u shiten pastaj personave të famshëm. Kjo është e para, që duhet përcaktuar qartë.

Takimi i 9 prillit (Foto Argumentum.al)

Takimi i 9 prillit (Foto Argumentum.al)

E dyta, e theksoj që Sazani është një ishull, i cili duhet ta ketë të tërë spektrin e nivelit delux, dhe jo thjesht elitar.

Një investim elitar dhe i mbyllur vetëm për personat e famshëm nuk do t’i jepte shumë përfitime ekonomisë së Shqipërisë. Vetë këta persona të famshëm nuk do të vijnë në ishull, për të angazhuar punësime të mëdha. Mund të vijnë gjatë një viti një here ose dy herë dhe e mbajnë vilën për famë.

Do të doja që ishulli i vetëm që kemi, Sazani, të shfrytëzohej në maksimum, të kemi hotele me pesë yje. Të kemi hotele mesatare, delux dhe natyrshëm edhe ndërtime elitare. 

Por për këtë, do të duhej të kishim në Sazan një port kroçierash, të organizoheshin edhe eskursione, aktivitete hiking, të cilat angazhojnë sa më shumë turistë dhe ndihmojnë ekonominë tonë. Do të doja që të ishte një projekt i plotë, i kësaj natyre.

Do të doja edhe që AIDA të mos ishte thjesht pritëse e aplikimeve, por që ajo të përgatiste atë menunë, që çdo investuesi të huaj t’i thuhej “Po. Në këtë vend, kjo vijë bregdetare do të ketë këtë lloj turizmi, këtë lloj zhvillimi, prandaj dhe ju investitorë, mund të organizoheni dhe të investoni në këtë mënyrë”.

Ne duhet të ndërtojmë atë strategjinë e munguar, bazuar në analiza të sakta dhe të sakta, për të informuar saktësisht se ç’do duhet të bëjë Shqipëria me investimet në këtë pasuri të saj, që është bregdeti.   

 

Intervistoi Fatos Çoçoli