Kina mbështet përpjekjet e IAEA për të garantuar sigurinë e Zaporizhzhia
2024-04-12 11:28:41

Foto nga Xinhua

Kina mbështet Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në rolin konstruktiv për garantimin e sigurisë së objekteve bërthamore, pas sulmeve të fundit me dronë, në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP), tha të enjten një përfaqësues kinez.

Li Song, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në IAEA, tha në një takim të posaçëm të Bordit të Guvernatorëve 35-vendesh të Agjencisë, se ZNPP përballet me një rrezik të lartë të sigurisë bërthamore në mes të fushëbetejës, duke paralajmëruar se "ndikimi i aksidenteve bërthamore i kapërcen kufijtë dhe atje nuk ka vend për gabime".

Takimi u thirr me kërkesë të Rusisë dhe Ukrainës, për të diskutuar sulmet e fundit në ZNPP, të cilat ndodhën të dielën dhe të martën. Ato ishin sulmet e para prej nëntorit 2022, që synonin direkt ZNPP-në, termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, sipas IAEA.

Duke cituar një dokument të lëshuar nga Kina, shkurtin e kaluar, mbi pozicionin e saj për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, Li tha se Kina kundërshton sulmet e armatosura kundër termocentraleve bërthamore, ose objekteve të tjera paqësore bërthamore, dhe thekson nevojën për të shmangur aksidentet e shkaktuara nga njeriu.

Kina mbështet përpjekjet e IAEA, për të nxitur sigurinë e objekteve bërthamore të Ukrainës. Ajo mbështet shtatë shtyllat dhe pesë parimet e propozuara nga Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi për të garantuar sigurinë bërthamore në Ukrainë, tha Li, duke shtuar se Kina ka kontribuar në financimin e Agjencisë për "Projekti i Asistencës Teknike për Sigurinë Bërthamore në Ukrainë".(Çang Çuo)