Kina do të krijojë sistemin e rezervës së kapacitetit të qymyrit deri më 2027
2024-04-12 18:11:59

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina do të krijojë një sistem të rezervës së kapacitetit të qymyrit deri në vitin 2027, duke synuar të garantojë sigurinë e energjisë përmes furnizimit më elastik të qymyrit, sipas planeve të publikuara të premten.

Deri më 2030, Kina do të përpiqet të arrijë një rezervë vjetore të kapacitetit të qymyrit prej 300 milionë tonësh dhe të përmirësojë kapacitetin dhe elasticitetin e furnizimit me qymyr, sipas një dokumenti të publikuar bashkërisht nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës dhe Administrata Kombëtare e Energjetikës. 

foto nga VCG

foto nga VCG

Krijimi i sistemit të rezervës së kapacitetit të qymyrit do të mundësojë çlirimin e shpejtë të kapacitetit të prodhimit të qymyrit në situata ekstreme, si luhatjet e rënda në tregun ndërkombëtar të energjisë, kushtet e pafavorshme të motit dhe ndryshimet dramatike në qëndrueshmërinë e ofertës dhe kërkesës, duke garantuar furnizim të mjaftueshëm të qymyrit në këto rrethana, sipas një zyrtari të Administratës Kombëtare të Energjetikës.

Sistemi mund të shfrytëzojë më mirë rolin mbështetës të energjisë me qymyr në prodhimin e përgjithshëm të energjisë, të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë të energjisë së re dhe të lehtësojë transformimin e gjelbër dhe me karbon të ulët të sektorit energjetik, shtoi zyrtari.

foto nga VCG

foto nga VCG

Qymyri ka qenë prej kohësh lënda djegëse kryesore në Kinë. Vjet në Kinë u nxorën 4.66 miliardë tonë qymyr, 2.9 për qind më shumë se në vitin 2022, duke arritur rekord.

Rezerva e kapacitetit të qymyrit është e rezervuar vetëm për situata ekstreme dhe mbetet joaktive në kushte normale, sipas Administratës Kombëtare të Energjetikës.   (Fang Xiaoyu/Artan)