Rezarta Sadiku: Kurimi i shëndetit mendor është domosdoshmëri dhe jo luks
2024-04-11 17:28:30

Rezarta Sadiku studimet i ka përfunduar për psikologji dhe është lincesuar si psikologe klinike. Ka më shumë se 15 vite përvojë dhe thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, duke e konsideruar atë si një domosdoshmëri  dhe jo si një luks. Përmes shkrimeve të saj, Rezarta ka për qëllim të ndihmojë njerëzit të përballen me sfidat emocionale, siç janë ankthi dhe depresioni, dhe të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme.

Rezarta Sadiku ( foto facebook)

Rezarta Sadiku ( foto facebook)

Gjatë intervistës për Radio Ejani, ajo shpreh bindjen se shëndeti mendor duhet të konsiderohet një prioritet dhe nxit rininë të mos kenë paragjykime ndaj ndihmës së ofruar nga profesionistët e shëndetit mendor.  Për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve të saj, Rezarta nuk përmend asnjë histori të veçantë, por tregon se përvojat e saj si psikologe e kanë bërë të ndjehet shumë keq për shumë nga ata që ka ndihmuar. Rezarta është një shembull frymëzimi për të gjithë ata që kërkojnë të japin një ndikim pozitiv në shoqëri nëpërmjet edukimit dhe ndihmës së tyre në fushën e shëndetit mendor.

CMG: A është ndërgjegjësimi përmes fjalës një mision për psikologun?

Rezarta Sadiku: Të  them të drejtën kur unë kam filluar të shkruaj rreth gjërave të psikologjisë dhe çështjeve tepër të ndjeshme mbi raportet njerëzore apo edhe gjërave motivuese, ka qenë një instikt i brendshëm, por me kalimin e kohës ka marrë aprovimin e publikut. Kam vënë re që të gjithë i shohin dhe i duan këto materiale dhe në këto kushte ndihem rehat me veten kur kuptoj që shërbej për diçka. Është e rëndësishme që përmes shkrimit ne të ndërgjegjësojme sepse njerëzit në momente të ndryshme kalojnë sfida dhe ju duhet të marrin vendime të caktuara. Ndaj lufta që ata kalojnë patjetër që mund të zbutet përmes fjalës.

CMG: Shkrimet që ti publikon lidhen me jetën tuaj personale, apo i referohen vetëm publikut?

Rezarta Sadiku: Është disi e vështirë ta ndash këtë gjë sepse çdo njeri përjeton thuajse të njëjtat ndodhi në çdo moment të jetës. Preferoj që rrëfimet t’i nis nga aspekti personal për të përfunduar tek masa sepse mendoj dhe besoj që njeriu kupton më mirë kur rrëfimi është jetësor. Unë mund të kem qenë dikur në momente sfiduese, të cilat i kam tejkaluar dhe ja ku jam sot psikologe e zemrës dhe mendjes së kujtdo.

CMG:Pse mendoni që faqja juaj ka marrë këtë viralitet?

Rezarta Sadiku ( foto facebook)

Rezarta Sadiku ( foto facebook)

Rezarta Sadiku: Mendoj se ka marrë këtë progres pasi unë nuk e kam ngatërruar këtë faqe me përfitime personale. Kam zgjedhur gjithmonë që të ndërgjegjësoj apo edukoj masën dhe jo ta përdor faqen tonë dhe audiencën time për qëllime të tjera. Në faqen "Rreze Psikologjie" ka vërtet ndriçim për këdo që ka nevojë për të gjetur veten apo shëruar përjetimet e një të kaluare a të tashmeje.

CMG: Cili është problemi psikologjik më aktual i të rinjve ?

Rezarta Sadiku: Në gjykimin tim dhe në bazë të asaj që kam vënë re në eksperiencën disavjeçare është ankthi dhe depresioni. Ky fenomen ka marrë karakter shumë të madh sepse njerëzit kanë ndrojën për të kërkuar ndihmë apo të thonë të vërtetën në lidhje me gjendjen e tyre psikologjike.

CMG: A ka ende stigma në lidhje me rolin e psikologut në jetën e një pacienti ?

Rezarta Sadiku: Ende e kemi këtë mentalitet të dobët, që nuk e shohim shëndetin mendor primar, por të kemi sikletin për të shkruar tek psikologu. Megjithëse gjërat kanë ndryshuar disi, kuptojmë që ka më shumë kërkesë për ndihmë apo janë më të hapur për të thënë të vërtetën në lidhje me gjendjen e tyre, por ende nuk ju afrohet vendeve europiane.

CMG:Cila është historia më e dhimbshme që keni dëgjuar në seancat psikologjike?

Foto:VCG

Foto:VCG

Rezarta Sadiku: Ne kemi shumë ngjarje të rënda, të cilat më kanë rritur nivelin e empatisë duke më futur në gjendjen e kujtdo që vuan dhe ka nevojë. Nuk mund të përmend asnjë histori sepse psikologu duhet të ruajë në formë konfidencialiteti,  i cili është shumë i rëndësishëm. Por, patjetër që në shumicën e rasteve ne i marrim me vete këto histori dhe na bëjnë të ndihemi shumë keq.

CMG: Çfarë këshille do të jepje për të rinjtë?

Rezarta Sadiku: Shëndeti mendor është një domosdoshmëri dhe do t’iu lutesha të mos ta shohin si një luks, por si diçka urgjente. Mos të kenë paragjykime për rolin e psikologut, por të nxitojnë të marrin vendime dhe të jenë më të hapur kundrejt  problemit. Frika është nga emocionet më të shpeshta, por shpesh flasim për frikëra psikolgjike, që ndikojnë të mos realizojmë veten tonë dhe gjërat nuk janë askund përveçse në mendjen tonë dhe më pas kalojnë në stade të tjera, nëse nuk kurohen.

Intervistoi:Megi Latifi