Nga 29-31 mars u zhvillua në Tiranë Festivali për fëmijë “Twinkle Twinkle” në edicionin e tij të 3-të. Nata finale e festivalit u hap me këngën “Ave Maria” të Franz Schubert, kënduar mjaft bukur në versionin pop-klasik nga Isea Çili dhe Diego Zelka, shoqëruar me piano nga Elvis Peçi. Festivali u prezantua nga Yllka, Ema Laja dhe Ylli Tvvinkle (Edison Lleshi). Interpretuesit e këtij edicioni ishin nga mosha 6-16 vjec. Në natën e parë dhe të dytë juria përbëhej nga Prof. Suzana Frashëri dhe pedagoget, Ema Kançi dhe Marina Kurti, ndërsa në natën finale vlerësuan fëmijët Prof. Suzana Frashëri, Prof. Asoc. Dr. Kastriot Tusha dhe Prof. Arben Llozi.
Festivali u mbështet nga Bashkia e Tiranës dhe media partner këtë vit ishte Vizion Plus. Producent dhe drejtues artistik i festivalit ishte Elvis Peçi, i biri i kompozitorit Aleksandër Peçi, me koordinimin organizativ nga Marina Kurti, kordinatore e “Twinkle Twinkle Festival” on tour Albana Curo dhe koordinatore teknike Fjordaliza Stafa. Eventi është një prodhim nga “Ëndërro Production”. Trofetë e ndara në natën e parë ishin për këngën për fëmijë: ‘Best Rock’nga Luna Sahatqija, ‘Best Modern Folk’ nga Rejna Koçi, ‘Best Pop’nga Yelt Muça, ‘Best Dance’nga Ajslin Lalollari, ‘Best Alternative’nga Mjellmë Mehmeti, etj.
Natën e dytë të festivalit u ndanë çmime për këngëtarët adoleshentë: ‘Best Rock’ nga Ariel Ndoj, ‘Best Pop’ nga Amariliz Percakaj, ‘Best Dance’ nga Margarita Gjoka, ‘Best Ballad’ nga Skaila Beqo. Ndërsa në natën finale ishin 23 finalistë, të cilët u vlerësuan me shumë çmime “Ëndërro Production” nga Dea Laja, Zanat (Anja Canaj, Kejt Hitaj, Erinda Hyseni), etj, çmimi “Zëri muzikal” për Rei Hoxha, “Best new artist” për Lois Goçi, me çmimin “Little star” me këngën “Felice in Albania” u nderua këngëtarja italiane Sharon Dormi etj.
Kryeministri Edi Rama shkroi në Facebook për këtë festival: “Felice in Albania’, një këngë dedikuar Shqipërisë, nga vogëlushja italiane Sharon Dormi e cila prej disa muajsh jeton në Vlorë, dhe ka qenë pjesëmarrëse e festivalit për fëmijë “Twinkle -Twinkle” ku është vlerësuar me çmimin “Little Star”.
Në intervistë për Radio Ejani, finalistja Rejna Koçi, e vlerësuar me çmimin “Best Modern Folk” në këtë festival tregon eksperiencën e saj në këtë garë të këngës, por dhe pjesëmarrjen në festivalet “Krajka International Music Competicion 2022, në festivalin “Bilbilat 2023” ku është nderuar me çmime.
10 vjeçarja Rejna Koçi është nxënëse në klasën 3-të, në shkollën “Rreze Drite". Ajo studion kanto prej dy vitesh me sopranon Alma Strazimiri dhe ka konkuruar në disa kompeticione, ku është vlerësuar me çmime. Në “Twinkle Twinkle” Festival 2024 Rejna konkuroi me këngën "Qielli që lëshon xixa" me muzikë, tekst dhe orkestrim nga Aleksandër Peçi. Kënga është përpunim i një kënge popullore dhe fitoi çmimin "Best Modern Folk".
CMG: Në festivalin “Twinkle -Twinkle” fitove çmimin “Best Modern Folk”.Si ishte kjo eksperiencë për ty?
Rejna Koçi: Në edicionin e dytë të këtij festivali isha me një këngë përshëndetëse, ndërsa këtë vit isha konkurente dhe normalisht një tjetër dimension. Kënga ime e parë, një fillim që do të mbetet një kujtim për këngët e tjera.
CMG: Ke marrë pjesë edhe në festivale të tjera për fëmijë, si kanë qenë këto pjesëmarrje për ty?
Rejna Koçi: Çdo pjesëmarrje ka patur emocionet e veta, kam punuar shumë dhe jam shumë e kënaqur me vlerësimet e dhëna.
CMG: Rejna, cili është synimi yt për të ardhmen?
Rejna Koçi: Gjëja e parë që më thotë mami është shkolla dhe patjetër që dua që shkolla të jetë e para. Gjithashtu edhe muzika është ëndrra ime, dua të punoj fort dhe të marr pjesë në festivale më të mëdha dhe me këngë të reja.
“Ka shumë gjëra të vogla që të japin gëzim, frymëzim dhe buzëqeshje. Nga vizatimi i një ylli të vogël pesëcepësh projektuar në kujtimet e fëmijërisë e deri tek finalizimi i “Twinkle Twinkle Festival” . Drita e yllit, si një hajmali e padukshme, ka ndjekur ose udhëhequr plot dashuri projektin “Twinkle” që nga edicioni i parë me një natë të vetme dhe 16 këngë konkurrente në vitin 2022, në një festival me tre mbrëmje spektakli në edicionet 2023 dhe 2024, duke sjellë deri më sot, afro 100 këngë të reja në repertorin e këngës për fëmijë dhe adoleshentë.
Historia e origjinës së yllit është thelluar këto tre vite, duke shkuar përtej së njohurës, përtej muzikës, përtej festivalit, përtej Tokës. Ylli dëshirëplotësues ‘Twinkle’, i rënë në kodrat e Saukut nga bota e tij qiellore “Twinklelandia”, siç shumë mund ta kenë dëgjuar tashmë, duke plotësuar dëshirat që i vijnë në “Twinklephone”, ka filluar të njihet me Tokën, dhe në serialin më të ri televiziv i cili fillon së shpejti transmetimin në Vizion Plus “Aventurat e Yllit Twinkle”. Ai bashkë me fëmijët dhe adoleshentët aktorë dhe këngëtarë të festivalit, dalin në eksplorim të atraksioneve kulturore e natyrore të kryeqytetit shqiptar e jo vetëm. Një buzëqeshje e vogël mund të kthehet në motorrin e një udhëtimi të gjatë drejt botëve të reja dhe një ëndërr e vogël, nëse arrijnë ta ndjekin me pasion e shumë punë mund të kthehet në anijen drejt realizimeve të panjohura. Ky edicioni i 3-të i TTF erdhi si një prodhim i ‘Ëndërro Productions’, një kompani e re, e vogël, por që ëndërron gjëra të mëdha, të cilat nuk mund të realizohen pa bekimin e yllit të vogël magjik të projektuar në memorjen e fëmijërisë. Sigurish që kjo nuk mund të realizohen pa krijimtarinë e pasur të kompozitorëve, producentëve dhe poetëve të këngës, nuk mund të realizohen pa besimin dhe mbështetjen e prindërve tek talenti i fëmijëve të tyre. Qëllimi nuk është vetëm të shihni yjet, por të bëheni një i tillë”, janë fjalët që përcjell stafi i këtij festivali, me në krye producentin dhe drejtuesin artistik Elvis Peçi.
Në një prononcim për mediat që në fillesat e këtij festivali, në edicionin e tij të parë Elvis Peçi është shprehur: “Idea ka nisur nga pika 0, duke parë interesin e madh që ka, qoftë interesin e artistëve, kompozitorëve, tekstshkruesve, fëmijëve që kanë shumë dëshirë të dalin në skenë, të shkëlqejnë dhe të shijojnë këtë bukuri të skenës, na kanë ndjekur në këtë ide të bukur, duke besuar ashtu si ne, për ta çuar këtë event drejt një shfajqjeje plot ngjyra dhe tinguj të rinj”.