Eksperti Muça: Orientimi i qeverisë drejt arsimit dhe formimit profesional, pozitiv
2024-04-11 11:22:55

Arsimi profesional (Foto Albanian Cunstruction Portal)

Arsimi profesional (Foto Albanian Cunstruction Portal)

Qeveria kërkon t’i japë më shumë prioritet arsimit professional, pasi tregu i punës ka nevojë për punonjës të kualifikuar, sidomos për sektorin e turizmit, që është gjithnjë në rritje.Në një intervistë për Radio Ejani eksperti i karrierës, Erion Muça thotë se më parë duhen zgjidhur disa probleme për të parë se përse nuk kanë funksionuar këto degë ndër vite.

“Orientimi i qeverisë drejt arsimit dhe formimit profesional është pozitiv, por tanimë të përsëritura duke mos përbërë më lajm, kjo sepse duhet dhe kërkohet ndërhyrje konkrete dhe e menjëhershme në disa problematika që kanë shoqëruar këtë orientim në gjithë këto vite. E para, do të përmendja faktin që sot arsimi profesional paragjykohet nga ana e të rinjve, duke u cilësuar se drejt tyre shkojnë vetëm nxënësit më të dobët, që nuk arrijnë të vazhdojnë shkollën e mesme të përgjithshme, apo nuk synojnë adhe nuk kanë objektiv shkollimin e lartë. Kjo gjë nuk është e vërtetë pasi shumë shkolla janë duke punuar dhe duke vendosur një kriter mesatare pranimi për nxënësit për fushën e profileve që ofrojnë arsimin professional, drejt integrimit të të rinjve në zanate të caktuara.

Erion Muca (Foto personale)

Erion Muca (Foto personale)

Së dyti, është shumë  e rëndësishme që sot të punohet për ndërtimin e sistemeve dhe e skemave të punësimit paraprak të nxënësve të arsimit profesional nga ana e sipërmarrjeve dhe industrive në këtë drejtim. Shkollat duhet të punojnë fort në ndërtimin e mekanizmave drejt kontratave që të mund të rrisin sa më shumë marshin e punësimit të të rinjve dhe duke e mbyllur këtë cikël që edhe siguria e një të riu për të zgjedhur arsimin profesional se do punësohet është automatikisht dhe më e lartë.”- tha Muça.

E gjithë kjo fushatë, sipas ekspertit, duhet të shoqërohet edhe me zgjerim të kapaciteteve të shkollave profesionale.

“Së treti, duhet të punohet fort në zgjerimin e infrastrukturës të shkollave të arsimit  profesional pasi praktikisht tani që po flasim numri i nxënësve që vazhdojnë shkollat profesionale është shumë më i vogël se nevojat që ka në Shqipëri industria apo sektorë të caktuar për shërbimin e tyre. Kjo  krijon një vacuum, i cili duhet të mbushet përmes mundësisë së zgjerimit të infrastrukturës, me qëllim që shkollat profesionale të përballojnë edhe më shumë fluks të rinjsh drejt tyre sepse i menaxhojnë ashtu siç duhet me hapësira për laboratorë apo dhe hapësirat për punishte praktikash.”

Një hap i rëndësishëm, thotë Muça, është edhe përditësimi i programeve dhe kurrikulave.

“Së katërti, një tjetër element i rëndësishëm është përditësimi dhe trajnimi i instruktorëve dhe mësuesve të shkollave profesionale sa më i shpejtë i programeve dhe kurrikulave të tyre, shoqëruar me tekste përkatëse në gjuhën shqipe apo dhe të huaj, të cilat ofrojnë literaturë bashkëkohore të fundit për të rinjtë por dhe orientimin e tyre skematik, konkret dhe konceptual se si do duhet të veprojnë në detyrat dhe përgjegjësitë që duhet të kenë në punë përmes angazhimit që kanë patur në shkollë.”

Guida turistike(Foto Albanian rafting)

Guida turistike(Foto Albanian rafting)

Cilat janë nevojat më imediate në treg për punonjës?

“Disa nga fushat e zanateve me kërkesa më të larta momentalisht në treg janë ato që lidhen me zanate të ofruara në komunitet edhe familje. Këtu e kam fjalën për elektricistët apo hidraulikët, për specialistët e IT apo specialistët e programimit, si  edhe për specialistë ndërtimi apo më së shumti specialistë në industrinë e bareve dhe restoranteve apo hotelerisë, por në tërësi dhe turizmit, të cilët kanë nevojë të shtuar jo vetëm për kapital njerëzor për të plotësuar nevojat për shërbime të caktuara. Ky kapital njerëzor duhet të jetë në të njëjtën kohë i përgatitur dhe i formuar që t’i përgjigjet sfidave të shërbimit në këtë industri në mënyrë sa më cilësore dhe  profesionale me qëllim që jo vetëm të përballojmë ato 10 milionë turistë vjet dhe që ky numër pritet të rritet këtë vit, por të ndikojmë përmes cilësisë së ofrimit të shërbimit të shtojë këtë numër nga viti në vit, si parakusht shumë i domosdoshëm në ofrimin e standardeve që vendi ofron në industrinë e turizmit. “

E gjithë nisma për të nxitur arsimin profesional duhet të shoqërohet me më shumë motivim për të rinjtë, të cilët nesër do të përballen me tregun e punës dhe sipas ekspertëve nuk duhet të ndjehen të diferencuar. Për këtë duhen gjetur mekanizma.

“Kuptohet që të gjithë nismat që ndërmerren apo duhet të ndërmerren nga ana e qeverisë nuk duhet të jenë vetëm nisma që bëhen përmes thirrjeve publike, por duhet të shoqërohen mekanizmat dhe instrumente shumë funksionalë dhe atraktivë për të rinjtë që të përzgjedhin shkollat e arsimit professional. Duhen bërë në mënyrë të vazhdueshme anketime dhe studime apo hulumtime për këtë industry, sidomos lidhur me arsimin dhe ofrimin e cilësisë së shërbimit me qëllim që të përmirësohet në tërësi sektori apo tregu i sektorëve të ndryshëm që duan profesionistë. Të krijohet një klimë jo vetëm afruese për të rinjtë drejt këtyre industrive, por dhe stimuluese dhe motivuese ku diferenca përmes atij që mbaron një arsim të lartë dhe atij që mbaron një arsim profesional të mos jetë shumë e thellë. Këtu e kam fjalën dhe për shanse dhe mundësi për zhvillim profesional dhe karriere.”

Punonjëse restoranti(Foto Albrafting.org)

Punonjëse restoranti(Foto Albrafting.org)


Përfaqësues të qeverisë deklarojnë se shembujt që po ndiqen në vendin tonë për nxitjen e të rinjve në arsimin profesional janë më të mirat e BE, modele zvicerane dhe gjermane.