Kina i kërkon Kanadasë të ndalojë gënjeshtrat për "ndërhyrjen kineze"
2024-04-11 19:42:20

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina i kërkon Kanadasë të respektojë faktet, të braktisë paragjykimet ideologjike dhe të ndalojë gënjeshtrat për "ndërhyrjen kineze" dhe dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha të mërkurën ambasada kineze në Kanada.

Sipas raporteve, kryeministri kanadez Justin Trudeau e akuzoi të mërkurën Kinën se po përpiqej të "ndërhynte në zgjedhjet kanadeze", kur po merrte pjesë në një seancë dëgjimore publike mbi "ndërhyrjen e huaj".

“Kina është shumë e pakënaqur dhe i kundërshton me vendosmëri këto komente”, tha një zëdhënës i ambasadës.

Kina ndjek një politikë të gjatë të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nuk ka interes të ndërhyjë në punët e brendshme të Kanadasë, tha zëdhënësi, duke shtuar se pala kineze ia ka bërë këtë qëndrim të qartë dhe serioz palës kanadeze në shumë raste.

foto nga VCG

Disa politikanë në Kanada, të nxitur nga interesat e tyre, po përpiqen të vënë në shënjestër Kinën në seancën dëgjimore të hetimit publik, duke u përpjekur të etiketojnë dhe poshtërojnë Kinën, tha zëdhënësi, duke shtuar se dëshmitë, të karakterizuara me terma si "shumë e mundshme", "e mundshme" " dhe "e dyshimtë", nuk arrijnë të ofrojnë ndonjë provë thelbësore.

"Kjo tregon edhe një herë se i ashtuquajturi hetim publik i ndërhyrjes së huaj nuk është gjë tjetër veçse një farsë politike e orkestruar nga pala kanadeze," tha zëdhënësi.

Për një kohë të gjatë, pala kanadeze ka provokuar Kinën për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, si rajoni i Tajvanit, Xinjiang-u, Hong-Kongu dhe Xizang-u, si dhe ka kurdisur dhe mbështetur aktivitete të ndryshme separatiste kundër Kinës, shtoi zëdhënësi, duke vënë në dukje se mediat kanadeze kanë raportuar hapur se agjencitë kanadeze të inteligjencës së sigurisë kanë vëzhguar misionet dhe personelin diplomatik kinez në Kanada. 

“Është mjaft e qartë se kush po ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera,” tha zëdhënësi.  (Fang Xiaoyu/Artan)