Guido Dervishllari ne momente pune (Foto personale)
Guido Dervishllari ne interviste per CMG
Guido Dervishllari është një i ri nga qyteti i Pogradecit, i cili merret me fotografinë dhe videografinë. Ai ka studiuar për pikturë në liceun artistik, por pasioni për fotografinë bëri që Guido të përkushtohej më tepër në këtë fushë. Ka realizuar bashkë me stafin një dokumentar për vendlindjen e tij, si dhe një film me metrazh të shkurtër, me mesazh sensibilizues për gratë. Gjithashtu Guido është i pasionuar pas garave me makina në vendet malore, një pasion që e ushtron në kohën e tij të lirë. Në një intervistë për Radio Ejani, Guido Dervishllari tregon për fillesat e tij si fotograf dhe videograf, por dhe për produksionet e realizuara së fundi.
CMG: Si lindi pasioni për fotografinë?
Guido Dervishllari: Pasioni im për fotografinë e ka nisjen nga shkolla, sepse kam mbaruar liceun artistik, dhe aty kalova nga piktura tek fotografia. Këtë pasion doja ta ktheja në pjesën e punës, që të kisha dhe një të ardhme të mirë më vonë. Pra nga pasion ta ktheja në profesion, për të siguruar dhe të ardhura financiare.
CMG: Pasi u shkëpute nga piktura u bërë fotograf?
Guido Dervishllari: Piktura mbetet akoma pasion, por që të jesh një piktor në Shqipërri nuk ka një të ardhme të mirë. Mendova të isha fotograf se ishte prapë brenda artit. Piktura më ndihmoi shumë për të qenë fotograf dhe për pjesën e kompozimit më dha një shtysë shumë të madhe për të qenë një fotograf.
CMG: Flasim për zhanrin e videografisë, një punë që ti e bën për realizimin e dokumentarëve
Guido Dervishllari: Video dhe fotot janë të të njëjtës fushë dhe aparatet na e kanë lehtësuar punën. Nëse ke një aparat të mirë, mund të bësh video dhe foto njëkohësisht. Aparatet fotografike të kohës së sotme më kanë lehtësuar shumë punën si videograf. Momentalisht po merrem me një dokumentar, i cili flet për vendlindjen time, fshatin Remenj.
CMG: Si ka qenë si eksperiencë puna në realizimin e një dokumentari?
Guido Dervishllari: Në një dokumentar historik gjëja më e bukur është pjesa që ti shpreh diçka që është lënë në harresë. Kur punon me një staf, i cili të përcjell diçka të bukur, që ti po bën një punë që do vlerësohet nga dikush, është diçka e bukur. Dokumentari është një realizim që mbetet për brezat e ardhshëm.
CMG: Çfarë të inspiroi në realizimin e një dokumentari për vendlindjen?
Guido Dervishllari: Zgjodha ta nis nga vendlindja ime sepse ka shumë gjëra që njerëzit nuk i kishin përmendur ndonjëherë. Lasgush Poradeci ka jetuar në atë fshat, por ka shumë njerëz që këtë gjë e dinë nga librat që kanë lexuar. Gjithashtu kam përdorur shumë edhe lëgjendat për pjesën e dokumentarit, pjesën e mullinjve që kanë qenë atraksion për njerëzit. Qëllimi im ka qenë që të realizoj diçka për një fshat që ka qenë në harresë. Pas këtij dokumentari do mundohem që të kem dhe vende të tjera, ku mund t’i shfaq dhe të bëj promovim për Pogradecin.
CMG: Gjithashtu ke realizuar dhe filma me metrazh të shkurtër. Flasim për këtë ekpseriencë tënden
Guido Dervishllari: Filmi është diçka tjetër dhe ndryshon shumë nga dokumentari, sepse në një film është regjisori, drejtori fotografisë që të udhëzon. Në film ke një staf profesionist dhe ka një stil tjetër të të punuarit.
CMG: Si është pritur ky film nga publiku?
Guido Dervishllari: Filmi i fundit që kemi realizuar ka qenë “Më fal”, një film sensibilizues për gratë. Premierën e filmit e bëmë në Pogradec, dhe është pritur shumë mirë, si nga moshat e vjetra ashtu dhe ato të reja.
Guido Dervishllari me kolegun ne xhirime (Foto personale)
Guido Dervishllari me stafin e punes (Foto personale)
CMG: Jeton në Pogradec, por punon edhe në Tiranë. Ke menduar të largohesh nga vendlindja?
Guido Dervishllari: Mua më ka pëlqyer gjithmonë vendlindja, ngaqë është një vend i qetë, por frymëzimin na e ka dhënë edhe pjesa e liqenit të Pogradecit. Ndërkohë që dhe në Tiranë po përshtatem mirë, por nuk e ndërroj me Pogradecin.
CMG: Mendon se Tirana do të ofronte më tepër mundësi për këtë profesion që ti ushtron?
Guido Dervishllari: Unë jam gjatë gjithë kohës në lëvizje, dhe punën e kam të fokusuar dhe në vende të tjera. Kam punë në Tiranë, por dhe jashtë shtetit kur xhirojmë ndonjë dokumentar.
CMG: Tashmë ke një studio produksioni tënden në Pogradec. Si ka ecur puna me studion dhe stafin që punon?
Guido Dervishllari: Unë kam krijuar një staf timin, i cili merret me pjesën e audios, videos dhe gjëra të tjera. Mendoj se njeriu kërkon akoma më shumë për të arritur majat. Ka qenë pak i vështirë fillimi, por gjithmonë ka një herë të parë, ku me kalimin e kohës pasionin e kalon në punë dhe gjen bashkëpunëtorët e duhur për të arritur akoma më shumë.
CMG: Je i kënaqur me punën që bën dhe të ardhurat financiare nga ky profesion?
Guido Dervishllari: Pasioni me punën janë pak larg me njëra-tjetrën, por kur pasionin e kalon në punë, është shumë herë më ndryshe sepse e bën këtë gjë me shumë qejf.
CMG: Ke menduar të largohesh nga Shqipëria, për të investuar në karrierë jashtë vendit?
Guido Dervishllari: Momentalisht nuk e kam menduar fare këtë pjesë, sepse deri tani jam marrë me aktivitete këtu në Shqipëri. Kam krijuar diçka timen dhe jam shumë mirë këtu.
CMG: Sa kohë zgjat realizimi i një dokumentari ose filmi me metrazh të shkurtër?
Guido Dervishllari: Kjo gjë varet nga pjesa e xhirimeve, sepse xhirojmë në vende të ndryshme. Përsa i përket filmit të fundit, xhirimet i kemi mbyllur brenda një dite. Ndërsa realizimi i dokumentarit kërkon më shumë kohë, sepse xhirohet në vende të ndryshme.
CMG: Përveç pasionit për pikturën dhe fotografinë a ke pasione të tjera?
Guido Dervishllari: Kam pasion të bëj gara me makina nëpër vendet malore dhe kam marrë pjesë me një kushëririn tim në disa gara. Akoma kam frikë të ngas një fuoristradë, por është diçka e bukur dhe e kam shumë qejf.
CMG: Cila ka qenë mbështetja më e madhe në rrugën tënde të artit?
Guido Dervishllari: Fillimisht më ka mbështetur familja, si dhe një miku im që merret me montazhin Dejvis Ismolli, i cili më ka ndihmuar për t’u profesionalizuar në këtë punë. Ai ka qenë shtysa kryesore që më futi në gjak këtë profesion. Kur isha në lice unë merresha me pikturë dhe Dejvis punonte me fotografinë, ku më vonë nisa dhe unë këtë rrugëtim me fotografinë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Guido Dervishllari: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani. Gjithashtu dua të përshëndes në veçanti Klevisa Liçkollarin, e cila po më ndihmon shumë për dokumentarin që po realizojmë së fundi.
Intervistoi: Gazmend Agaj