Garancia sovrane për manifakturën, Prençe: Shifër e kënaqshme
2024-04-10 11:50:21

Edvin Prence (Foto Vizion plus)

Qeveria pritet të miratojë detaje në lidhje me Instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Ky instrument në ndihmë të këtij sektori parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues se sa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë. Kjo lloj kredie mbulohet rreth 70% nga sistemi bankar.  Konkretisht Akti normative i qeverisë parashikon më shumë mbështetje për sektorin fason, përmes Instrumentit të Garancisë së re Shtetërore prej 4 miliardë lekësh, në mënyrë që ky sektor të përballojë efektet e goditjeve, të përmirësojë proceset teknologjike dhe të rrisë më tej produktivitetin. Presidenti i ‘’Pro-Export Albania’’, Edvin Prençe tha se ajo që është vendosur nga bankat në dakordësi me Ministrinë e Financave në tavolinën teknike dhe me grupimin e manifakturës dhe pritet të jetë aktive brenda pak ditësh.

“Është një paketë dedikuar sektorit të manifakturave, absolutisht është një mbështetje e kërkuar në mbi 3 vite nga ana e sektorit dhe grupimit tone. Patjetër që do jetë mbështetëse, pasi është një kredi por mendoj se është ajo që i ka munguar sektorit, mungesa e likuiditetit. Kjo kredi sovrane do bëjë të mundur pasjen e një likuiditeti të bizneseve për të bërë të mundur investimet që ato kanë nevojë dhe blerjen e lëndës së parë.”- tha Prençe.

Bizneset presin që në mesin e muajit prill garancia sovrane të jetë vënë në funksion.

“Ajo që është dakordësuar por duhet parë se çfarë do vendosin bankat e nivelit të dytë në dakordësi me Ministrinë e Financave. Ajo që është diskutuar apo dakordësuar në tavolinat teknike dhe me grupimin tonë është kredi që shpresojmë të jetë gati në fund të javës tjetër. Sa i takon aktit normativ dhe në gjysmën e parë të muajit prill të jetë aktive dhe të jetë i mundur aplikimi nga ana e bizneseve.  Ajo që është shumë e rëndësishme dhe jemi në pritje të përqindjes së kredisë pasi në këtë mënyrë do të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe në ndihmë të bizneseve të sektorit të manifakturës. Pesha kryesore bie mbi biznesin.”

Një hap i tillë sjell frymëmarrje për këtë kategori biznesesh.

“Duke patur mungesë të likuiditetit është e rëndësishme dhe duhet të bëhet kjo garanci sovrane, por përqindja e kredisë 1.5 apo 2% është goxha e lartë pasi duhet të llogarisim dhe përqindjen e bonos së thesarit që arrin në gati 4, apo 4.5 %, kredia e cila është goxha e lartë. Për këtë shpresojmë që të pakten përqindja që i takon bankave të jetë më e ulët se 1.5%, dhe gjithmonë duke patur parasysh që sa më e vogël të jetë përqindja e kredisë, aq më shumë bizneset do të bëjnë të mundur dhe do jetë më atraktive për t’u përthithur. Duke pasur parasysh këtë mbështetje apo garanci sovrane me shumë politika të tjera që duhet të ndërmerren që shpresoj që do ndërmerren dhe do bënte që ky sektor të kalonte ciklin e plotë, e cila do ishte vlerë e shtuar për ekonominë shqiptare, një vlerë e shtuar për pagat e punonjësve, një vlerë e shtuar dhe për vetë biznesin që do të rimarrë veten dhe mund të orientohet drejt një politike të re zhvillimi.”- u shpreh Prençe,

Biznesi fason  (Foto Albanian construction portal)

Prodhimet fason (Foto Durresi lajm)

Fondi i parashikuar duket në masën e duhur për të ndihmuar sipërmarrjet që të dalin nga situata e vështirë.

“Patjetër që 4 miliardë lekë është një shifër goxha e kënaqshme për tani, është në një farë mënyrë dhe për të testuar dhe për të parë aplikimet që do jenë. Kemi pasur dhe një dakordësi nga ana e qeverisë që ky fond të përthithet totalisht për krejt mundësinë ndoshta për ndonjë rishikim të ndonjë buxheti të ri në muajin korrik të këtij viti. Pra si fillim është e kënaqshme si shifër dhe mendoj që të përsërisim në rast se duhet të ketë ndonjë përqindje të aksesueshme dhe favorizuese dhe mund të ishte përthithur pothuajse në mënyrë totale nga bizneset, të cilat kanë nevojë të theksuar dhe mungesë të likuiditetit.”

Presidenti i ‘’Pro-Export Albania’’ në intervistën për Tv Scan bën edhë një përmbledhje të dëmeve në të ardhura.

“Duke patur parasysh që sektori funksionon me kontrata të fiksuara një apo dy vjeçare dhe mendoj që ka patur një humbje të rëndësishme sektori si eksportues . Mund të llogarisim që humbja vetëm në 2023 ka qenë rreth 150 milionë euro për 6 mujorin e dytë të 2023 që pati një pikiatë dhe një rënie drastike të kursit. Kjo  nuk është gjë tjetër veçse fitimi i munguar i bizneseve, por është mungesa e theksuar e likuiditetit të të nevojshëm të aktivitetit të tyre ditor. Pra përfshihet këtu përtej humbjes 150 milionë euro dhe nuk mund të lëmë pa llogaritur dhe fatin e vendeve të punës që tashmë janë humbur në këtë periudhë. Përllogariten 6 mijë vende pune të humbura dhe shumë biznese që kanë nisur të bëjnë shkurtime të vendeve të punës, por nga ana tjetër dhe biznese që janë mbyllur totalisht e cila është gjë që i druhemi më shumë pasi një makineri e fikur dhe një biznes i mbyllur është e vështirë të rindizet dhe të rimarrë zhvillimin që ka patur përpara.”

Prej kohësh bizneset e manifakturës janë në vështirësi, ku  vetëm në dy muajit e parë të këtij viti bizneset e tekstileve dhe këpucëve kanë humbur afro 38 milionë euro. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, eksportet e këtij sektori në janar dhe në shkurt arritën në vlerën 182 milionë euro, që është vlera më e ulët që prej vitit 2021.  Goditjet ky sektor i mori që prej vitit 2020, pas izolimit nga pandemia, por me zhvlerësimin e valutave kryesisht të euros, janë ulur ndjeshëm edhe fitimet e tyre.