Kina synon të shtojë mbi 25 % investime për përmirësimin e pajisjeve industriale deri më 2027
2024-04-10 19:30:37

foto nga VCG

foto nga VCG

Qeveria kineze ka publikuar synime dhe masa specifike për përmirësimin e pajisjeve industriale në përpjekjen më të fundit për të zgjeruar investimet efektive dhe për të zhvilluar forca të reja prodhuese cilësore.

Sipas një plani veprimi të publikuar bashkërisht nga shtatë departamente qeveritare, përfshirë Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Kina do të rrisë investimet në pajisjet industriale me më shumë se 25 për qind deri në vitin 2027.

Para vitit 2027, shkalla e depërtimit të aplikimit të mjeteve digjitale në kërkim-zhvillim në ndërmarrjet e mëdha do ta kalojë 90 për qind dhe më shumë se 75 për qind e proceseve kryesore të prodhimit do të kontrollohen numerikisht, sipas planit të veprimit.

Dokumenti sqaron se fokusi i planit është të përshpejtojë ndërtimin e sistemit modern industrial dhe të zhvillojë industri moderne të nivelit të lartë, inteligjente dhe që mbrojnë mjedisin.

Plani i veprimit e vë theksin në heqjen e pajisjeve të vjetruara në sektorë të tillë si bujqësia, makineritë e ndërtimit dhe biçikletat elektrike. Ky plan inkurajon kompanitë e teknologjisë së lartë në fushat e aviacionit, pajisjeve fotovoltaike, baterive të energjisë dhe fermentimit biologjik, që të përmirësohen në pajisje më të përparuara me efikasitet dhe besueshmëri më të lartë.

Plani thekson transformimin digjital, duke thënë se përmirësimi i pajisjeve do të promovohet në fusha të tilla si pjesët e makinerive të kontrolluara numerikisht, robotët industrialë dhe logjistika inteligjente. Fabrikat inteligjente do të përjetojnë zhvillim më të shpejtë me përdorimin intensiv të teknologjive të reja si inteligjenca artificiale, teknologjia 5G dhe informatika e përparuar, thuhet në dokument.

foto nga VCG

foto nga VCG

Ndërkohë, plani thekson zgjerimin dhe aplikimin e pajisjeve që kursejnë energjinë dhe mbrojnë mjedisin në sektorët kryesorë si ndërtimi dhe industritë e çelikut dhe metaleve me ngjyrë. Përveç kësaj, do të ketë përdorim më të gjerë të trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe pajisjeve të kursimit të ujit në industri të tilla si ajo petrokimike, tekstilet, prodhimi i letrës, lëkura dhe ushqimi.

Plani premton mbështetje më të madhe fiskale e financiare për përmirësimin e pajisjeve industriale, duke vënë në dukje se do të ketë politika tatimore preferenciale për pajisjet që mbrojnë mjedisin e inteligjente dhe do të krijohen edhe programe speciale të rihuadhënies për risitë dhe përmirësimet teknologjike. Përveç kësaj, institucionet financiare do të udhëzohen gjithashtu për të forcuar mbështetjen me kreditim afatmesëm dhe afatgjatë për përmirësimin e pajisjeve.

Kina e ka vënë theksin në rinovimin e pajisjeve dhe këmbimin e mallrave të konsumit pas një mbledhjeje të Komisionit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike të mbajtur në shkurt. Mbledhja ka bërë planifikim intensiv me nëntë departamente të qeverisë qendrore, duke përfshirë Ministrinë e Tregtisë, duke publikuar së bashku një njoftim për përmirësimin e sistemit të riciklimit të Kinës në fund të shkurtit, kurse Këshilli i Shtetit bëri një plan të detajuar në mars për zbatimin e tij.

foto nga VCG

foto nga VCG

Ekspertët thonë se pajisjet industriale dhe mallrat e qëndrueshme të konsumit në Kinë kanë hapësirë të madhe për t'u zëvendësuar dhe nisma jo vetëm që mund të stimulojë konsumin dhe investimet, por gjithashtu mund të përmirësojë shpërndarjen e burimeve, duke kontribuuar në zhvillimin e gjelbër dhe të qëndrueshëm të strukturave industriale.

Të dhënat zyrtare tregojnë që ka një kërkesë të madhe për rinovimin e pajisjeve në Kinë. Sipas kryetarit të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zheng Shanjie, investimet për pajisjeve në industri, bujqësi dhe fusha të tjera kyçe të Kinës ishin rreth 4.9 trilion juanë (681.3 miliardë dollarë) në vitin 2023, ndërsa përditësimi i pajisjeve do të krijonte një treg të madh me një vëllim vjetor më shumë se 5 trilionë juanë (rreth 695 miliardë dollarë).  (Fang Xiaoyu/Artan)