Ali Oseku - foto Harabel
Për 50 vite piktori Ali Oseku kontribuoi në artin pamor shqiptar dhe mbetet një nga artistët më të rëndësishëm të këtij zhanri artistik. Pikturat e tij u dalluan nga kombinimet e ngjyrave dhe portretet interesante, të cilat janë një trashëgimi për artin shqiptar.
Oseku lindi në Tiranë më 25 shkurt 1944. Familja e tij ishte me origjinë nga Gjakova. Në vitin 1963 mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe më pas në vitin 1969 studimet e larta për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve.
Me të përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Ali Oseku u shndërrua në një prej figurave më tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë krejt të re për kohën përmes veprës së tij. Ai, ishte pjesë e atyre piktorëve të rinj, të cilët eksperimentonin një art “ndryshe” nga arti i realizmit socialist.
Fillimisht u emërua skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, por në vitin 1973, pikturat e tij u cilësuan "moderne", ndaj nuk duhej të pikturonte më.
Peizazh nga Ali Oseku - foto Harabel
Pak para se të dënohej, duke i besuar parandjenjës së tij, piktori dogji të gjitha tablotë e realizuara deri në atë kohë, përveç dy veprave që mundën të shpëtojnë dhe që sot ndodhen në studion e tij: “Portret burri” dhe “Portreti i nënës”.
Oseku, një nxënës i piktorit të madh Guri Madhi, është një artist ku gërshetoheshin ndikimet nga Picasso, Chagall, Jackson Pollock dhe Salvador Dali, idhujt e tij të dikurshëm. Pikërisht pse ndiqte idhujt e tij dhe pse piktura e tij ishte e ndikuar prej këtyre modernistëve, edhe u dënua.
Pas vuajtjes së dënimit për 4 vite, ai punoi si punëtor deri në vitin 1990. Mirëpo, Oseku u rikthye edhe më i fuqishëm, duke konfirmuar se asgjë nuk mund ta ndalojë një artist. Hapësira krijuese e lejoi atë të ishte i lirë dhe i pakufishëm, real dhe fluid, kozmik dhe joreal. Në veprat e tij ai i shpëton realitetit për të ekspozuar një realitet intim dhe poetik. Loja e kërkimit të ëndrrave e argëton atë si një fëmijë.
Peizazh nga piktori A. Oseku
Në vitin ’91 i rikthehet krijimtarisë dhe pikturës, si kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve, më pas pedagog dhe shef departamenti në Akademinë e Arteve të Bukura.
Ali Oseku ishte artisti, i cili asnjëherë nuk u përshtat me metodat krijuese të kohës. Në pikturat e tij nuk ka figura. Pikturat e tij lënë vend për interpretime të ndryshme, janë disa shtresore. Ai ishte një piktor guximtar e modernist i lindur.
Ai është artisti që kishte krijuar skenën e shfaqjeve, si “Prometeut” apo “Traviata”, etj; ishte artisti i shndërruar në legjendë. Ai kishte ndërtuara skena që kishin të bënin me simbole. Nuk ishin ato skenat televizive ilustruese që ndihmonin shfaqjen, por skena ku simbolet flisnin me gjuhën e tyre. Kjo e bënte artistin tepër të veçantë dhe shumë interesant, në raport me veprat që krijonte, por edhe karakterin e tij, shumë të drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht rebel.
Nga viti 1998 deri në vitin 2014, u bë Profesor i Asociuar dhe Përgjegjës i Departamentit të Grafikës në “Akademia e Arteve të Bukura”, Tiranë. Në vitin 2014 e në vazhdim, piktor në krijimtarinë e lirë.
Ka realizuar një numër të madh pikturash dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Ekspozita e tij e fundit u hap në 2023 me titull: “All light we cannot see” – E gjithë drita që nuk mund të shohim.
Peizazh nga piktori Ali Oseku
Në krijimtarinë e piktorit Ali Oseku, dallohen katër faza krijuese: faza e parë përkon me vitet ’70, ku nisi karrierën si piktor deri kur vjen drama e ndarjes nga piktura për shkak të dënimit që mori; faza e dytë përkon me kohën kur rinis të pikturojë, ku ai vazhdon të ruajtë tendencat figurative, deri në fillim të viteve 2000, faza e tretë, kur ende paraqitet deri diku konkret me krijimet e tij. Në këtë periudhë ai krijon një lloj shtresëzimi koliristik, por gjithmonë duke ruajtur freskinë. Për të arritur te faza e katërt e krijimtarisë, një fazë që e shpie pikturën e tij drejt një hapësire koloristike që stimulon vëmendjen e plotë të shikuesit, me shumë poezi dhe emocion njëkohësisht. Poezia e tij qëndron në aspektin kompozicional, por edhe atë koloristik.
Ali Oseku është një nga zërat më të rëndësishëm të artit vizual shqiptar. Një gjë është e sigurtë se, Ali Oseku do të jetë prezent edhe në shekujt që do të vijnë, duke u parë si një gur kilometrik në zhvillimin e artit bashkëkohor shqiptar, sidomos të pas viteve ’90, duke i dhënë një temp totalisht të veçantë.
Neritana Kraja