Vlogerja paraqet imazhin e Kinës moderne
2024-04-10 12:01:44

Me prejardhje nga një fshat i largët malor në qytetin Baoshan, në provincën Yunnan të Kinës jugperëndimore, Dong Meihua është sipërmarrëse dhe vlogere për ushqimin. Por, është pasioni i saj për ushqimin ai që tërheq vëmendjen më të madhe, pasi videot e saj jo vetëm që paraqesin shijet, por ngjallin edhe një ndjenjë nostalgjie.

E njohur në mediat sociale si Dianxixiaoge– ose Yunnan foodie – që nga viti 2016, 34-vjeçarja tani ka rreth 40 milionë ndjekës në internet në Kinë dhe jashtë saj, me videot e saj që marrin deri në 50 milionë shikime secila.

Përkushtimi i Dong për eksplorimet e saj në zonën rurale e ka shtyrë atë të filmojë çdo ditë dhe të publikojë çdo javë për shtatë vjet, duke rezultuar në mbi 600 video të shkurtra deri më sot.

“Ushqimi nuk është vetëm për të mbushur barkun, por është gjithashtu pjesë përbërëse e kujtimeve tona”,- thotë ajo, duke shtuar se publikut të saj i pëlqen të shohë lumturinë e zakonshme të familjes së saj teksa ata ndajnë tre vakte në ditë.

Në fund të vitit 2018, videot e Dong filluan të postohen në platformat video dhe mediat sociale jashtë shtetit dhe shumë studentë kinezë jashtë vendit dolën vullnetarë për të përkthyer titrat e videos në shumë gjuhë. Aktualisht, ajo ka mbi 10 milionë ndjekës jashtë shtetit. Në fund të vitit 2019, ajo u ftua të fliste në Universitetin e Oksfordit, ku ndau udhëtimin e saj si ambasadore për kuzhinën dhe kulturën e Yunnan-it.

Dong është gjithashtu e përkushtuar për të udhëhequr më shumë fshatarë në Yunnan drejt prosperitetit të përbashkët. Ajo ka bashkëpunuar me fabrika ushqimore dhe ka promovuar mbi 120 produkte bujqësore vendase në llogaritë e saj në rrjetet sociale. Ajo ka përdorur gjithashtu transmetimin e drejtpërdrejtë për të paraqitur shijet lokale, të tilla si gatime me miell orizi, mish të kuq, çaj të kuq, hurma dhe bathë.

Dong thotë se shitjet e kombinuara ditore në platformat e saj arrijnë deri në 200.000 juanë (28.200 dollarë), që nga ana tjetër mbështet mbi 1000 vende pune.


Në pyjet e bambusë në Yunnan-in perëndimor, ajo demonstron gëzimin e prerjes së bambusë dhe bërjes së produkteve të ndryshme. Në fushat me kallam sheqeri, ajo filmon procesin tradicional të bërjes së sheqerit kaf. Duke ecur nëpër zona ujore, ajo paraqet kënaqësinë e mbledhjes së karavidheve të freskëta.

“Unë filmoj çdo gjë që pasqyron veçantinë e Yunnan-it”,- thotë Dong, ndërsa përmend gjithashtu videon e saj të parë që dokumenton procesin e mbledhjes dhe skuqjes së krimbave të bambusë. Ajo shpesh nxjerr video të shkurtra që janë vizualisht magjepsëse, duke e lejuar atë të tërheqë me shpejtësi vëmendjen e shikuesve të saj.

“Kur isha e re, isha e vendosur të largohesha nga vendlindja dhe të ndiqja mundësitë në qytet. Megjithatë, pasi u ktheva, zbulova një pasion të ri për të eksploruar dhe prezantuar bukurinë e krahinës sime, pasi Yunnan-i ka një kuzhinë unike dhe një pasuri specialitetesh”,- thotë ajo.

“Një imazh më i larmishëm dhe më i pasur i Kinës bashkëkohore paraqitet përmes ofertave të shumta të përmbajtjes tërheqëse në internet të bëra nga “influencer” të mediave sociale si Dong Meihua”,- deklaroi Wang Ning, zyrtari politik i Yunnan-it, në një fjalim në ceremoninë e hapjes së Forumit të Medias në Internet në Kinë, që filloi të shtunën.

“Jeta në Yunnan është një mënyrë jetese që ia vlen të shihet. Do të vazhdoj të përdor kamerën për të kapur gjithçka këtu, duke lejuar me të vërtetë botën të shohë krahinën time të dashur të lindjes dhe gjithashtu mirëpres më shumë miq nga vendi dhe jashtë tij për të vizituar Yunnan-in dhe Baoshan-in”,- thotë Dong.